Trumpi e imagjinon NATO-n si një kompani të mbrojtjes, e cila do t’i mbronte vetëm ata që paguajnë. Ky është një thjeshtëzim i rrezikshëm për rolin e Aleancës perëndimore ushtarake. Por, kur i kritikon vendet evropiane të NATO-s se nuk po investojnë sa duhet në mbrojtje, ndërkohë që llogarisin se i mbron Amerika përmes NATO-s, nuk e ka krejt gabim. Sepse shifrat e NATO-s dëshmojnë se Shtetet e Bashkuara ndajnë për mbrojtje dy herë më shumë se të gjitha 30 vendet e tjera anëtare së bashku. Ndonëse asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim obligimin për t’i mbrojtur të gjithë aleatët, që të gjithë presidentët amerikanë në 50 vjetët e fundit kanë kërkuar që evropianët të investojnë më shumë në mbrojtje.
Dikujt mund t’i duket i pasaktë konstatimi se Gjermania për dekada e ka zhvilluar ekonominë e saj në kohën kur është bazuar në naftën dhe gazin e lirë nga Rusia dhe mbrojtjen ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky konstatim është tepër i thjeshtësuar, por nuk mund të thuhet se në të nuk ka edhe të vërteta. Si fuqia më e madhe ekonomike evropianë, Gjermania ka investuar shumë pak në mbrojtje. Por ka edhe arsye historike për këtë. Së pari pas Luftës së Dytë Botërore, zhvillimi ushtarak i Gjermanisë nuk ka qenë diçka e dëshirueshme as nga aleatët. Së dyti, akoma ekziston marrëveshja për stacionim të trupave ushtarake amerikane në Gjermani. Dhe si shtet anëtar i NATO-s, Gjermania gëzon edhe mbrojtjen kolektive sipas artikullit 5 të Traktatit të Washingtonit, sikur që ka edhe detyrime nga ky artikull. Dhe amerikanët, jo vetëm Trumpi, besojnë se gjermanët, më shumë sesa vendet e tjera, duhet të rrisin investimet e tyre në mbrojtje për të kontribuar më shumë kështu edhe në kapacitetet e përbashkëta mbrojtëse të NATO-s.
Kur ishte president amerikan, Donald Trump, në disa raste përmendi pikërisht Gjermaninë për të ilustruar se si “amerikanët paguajnë për të mbrojtur evropianët”. Kjo ka tingëlluar dhe tingëllon mirë edhe në veshët e shumë amerikanëve, të cilët nuk mendojnë shumë për hollësitë se si funksionon NATO-ja.
Donald Trump ka qenë gjithmonë i njohur për deklarata të çuditshme që shpesh edhe kanë shokuar aleatët. Për shembull kur ka thënë se “ata që nuk paguajnë nuk do t’i mbrojmë”. Apo tash kur thotë se do ta inkurajonte Rusinë t’i sulmojë ato vende evropianë që “nuk paguajnë” për mbrojtje.
Trumpi kur ishte president thoshte se “Gjermania ia paguan dhjetëra miliarda dollarë në vit Rusisë duke blerë gazin e saj, ndërsa pret nga ne që ta mbrojmë nga po ajo Rusi”. Pastaj bënte pyetjen retorike se “pse të luftojnë ushtarët amerikanë në një luftë të tretë botërore që mund ta shkaktojnë malazezët, që janë popull krenar, por agresiv”. Nuk ka rëndësi sa di Trumpi për vendet e vogla dhe sa dinë amerikanët për to. Sa nuk ka rëndësi për mbështetësit e Trumpit se as ai nuk ua di emrat liderëve të tjerë. Kështu e ka quajtur kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, që ndajnë ideologjinë e përbashkët nëse fare kanë ideologji, si “President i Turqisë”. Me rëndësi është se mbështetësit e Trumpit kuptojnë gjuhën e thjeshtë që u thotë atyre se janë viktimë e shpenzimeve që bëhen nga Amerika për të mbrojtur të tjerët, ndërkohë që kjo shkon në dëm të qytetarëve amerikanë. Pse të paguajnë, për shembull në logjikën e tyre, për të mbrojtur Evropën kur me ato para mund të ndërtojnë një mur në kufirin me Meksikën.
Trumpi e imagjinon NATO-n si një kompani të mbrojtjes, e cila do t’i mbronte vetëm ata që paguajnë. Ky është një thjeshtëzim i rrezikshëm për rolin e Aleancës perëndimore ushtarake. Por kur kritikon vendet evropiane të NATO-s se nuk po investojnë sa duhet në mbrojtje, ndërkohë që llogarisin se i mbron Amerika përmes NATO-s, nuk e ka krejt gabim. Sepse shifrat e NATO-s dëshmojnë se Shtetet e Bashkuara ndajnë për mbrojtje dy herë më shumë se të gjitha 30 vendet e tjera anëtare së bashku. Ndonëse asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim obligimin për t’i mbrojtur të gjithë aleatët, që të gjithë presidentët amerikanë në 50 vjetët e fundit kanë kërkuar që evropianët të investojnë më shumë në mbrojtje.
NATO nuk është një organizatë ku vendet anëtare paguajnë obligimet e tyre. Në fakt ato paguajnë, por kjo është vetëm një shumë simbolike sa për të siguruar funksionimin e selisë në Bruksel, stafin, dhe strukturat e përbashkëta civile e ushtarake. Pra buxheti kolektiv i NATO-s është vetëm 3,3 miliardë euro në vit. Kjo paraqet vetëm 0,3 për qind të shpenzimeve vjetore të NATO-s për mbrojtje. Dhe kur flitet për investime në mbrojtje, dhe për respektimin e detyrimeve ndaj NATO-s, mendohet në investimet që secili vend anëtar i bën për fushën e mbrojtjes në nivel shtetëror, e pastaj ato kapacitete mund të vendosen edhe në dispozicion të përbashkët NATO-s. NATO nuk është ushtri e as nuk ka një ushtri të saj. Forcat ushtarake të NATO-s janë vetëm kontribute të forcave të armatosura të vendeve anëtare. Në nivel të NATO-s janë vetëm strukturat komanduese dhe disa struktura të përbashkëta, por fuqia e NATO-s është mbledhja e fuqive individuale të vendeve anëtare në fushën e mbrojtjes. Dhe kjo “siguri kolektive” vërtet i vë në pozicion të mirë vendet më të vogla, sepse ato duke qenë anëtare të Aleancës, fitojnë mbrojtjen nga fuqia më e madhe ushtarake në botë. Por, NATO ka vendosur si cak të përbashkët që secili vend anëtar duhet të ndajë për mbrojtje së paku 2% të Bruto Prodhimit Vendor. Ndonëse të gjitha vendet kanë bërë përparim drejt arritjes së këtij qëllimi, akoma ka një numër të madh vendesh që nuk e kanë respektuar këtë obligim. Dhe këtu qëndron problemi me mosrespektimin e detyrimeve të vendeve anëtare, e jo pse “nuk paguajnë për NATO-n” siç thotë Trumpi. Ato nuk duhet të paguajnë për NATO-n, por duhet të forcojnë forcat e veta ushtarake. Dhe po të mos ishin në NATO, do të duhej të investonin edhe më shumë dhe nuk do të kishin as për së afërmi sigurinë që e kanë si vende të Aleancës.
Dhe këtu amerikanët kanë të drejtë kur kërkojnë që aleatët evropianë në NATO të investojnë më shumë në mbrojtje dhe në këtë mënyrë, të forcojnë mbrojtjen kolektive euro-atlantike. Për momentin janë shumë, shumë larg që dëshmohet edhe përmes shifrave të fundit që i ka publikuar NATO-ja.
Investimet e të gjitha vendeve të NATO-s në vitin 2023 në mbrojtje kanë qenë 1.264 miliardë dollarë. Të gjitha vendet e NATO-s, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë investuar në mbrojtje së bashku vetëm 440 miliardë dollarë në vitin 2023 ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës individualisht kanë investuar dy herë më shumë, më saktësisht 860 miliardë dollarë. Nëse llogariten investimet në mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar (65,7 miliardë dollarë), Turqisë (15,8 miliardë dollarë), Kanadasë (30 miliardë dollarë) Norvegjisë (8,8 miliardë) atëherë kontributi i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë në NATO për mbrojtje paraqet vetëm rreth 20 për qind. Me largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, Bashkimi Evropian është dobësuar edhe më shumë sa u përket kapaciteteve mbrojtëse të përbashkëta. Franca, e cila ka mbetur e vetmja fuqi bërthamore në BE, e që është edhe anëtare e NATO-s, ka shpenzuar në vitin e kaluar për mbrojtje vetëm 56,6 miliardë dollarë. Kjo është pak për një vend i cili do të duhej t’u printe përpjekjeve evropiane për forcimin e autonomisë në fushën e mbrojtjes që të jetë në gjendje të mbrojë veten, në rast nevoje edhe pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Amerikanët nuk do të kishin asgjë kundër që BE-ja të jetë më e fortë ushtarakisht. Sepse kjo do ta forconte edhe NATO-n. Por nëse Trumpi eventualisht vjen në Shtëpinë e Bardhë, dhe vazhdon ta vërë në dyshim parimin themelor mbi të cilin ishte themeluar NATO para 75 vjetësh, atëherë e tërë bota e lirë do të jetë në probleme.