OpEd

Trump ose Biden? Pse Evropa duhet të dridhet

Miliona amerikanë tashmë kanë votuar. Zgjedhjet presidenciale javën e ardhshme në SHBA do të jenë pa dyshim ngjarja më e rëndësishme politike e vitit 2020. Rëndësia e tyre lidhet drejtpërdrejt me Evropën dhe të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike.

Trump ose Biden? Të dy kandidatët presidencialë ndjekin strategji të ndryshme në pothuajse të gjitha çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme. E raporti me Evropën mbetet një nga çështjet që ata nuk i bashkon. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunimi i SHBA-së me Evropën nuk ka qenë një çështje që i ka ndarë në mënyrë thelbësore kandidatët për president. Por kësaj radhe kemi një tjetër rast, ngaqë edhe dy kandidatët presidencialë janë “të veçantë“: Trump, i cili kurrë nuk mbajti ndonjë post publik ose politik para se të zgjidhej president më 2016, dhe Biden, i cili gati gjysmë shekulli (për 47 vjet) aktivisht merret me politikë.

Retorika “Keep America Great” do të thotë që SHBA-ja të tërhiqet nga organizatat multilaterale dhe të largohet nga strategjia e multilateralizmit dhe globalizimit. Administrata Trump tashmë është tërhequr nga një seri marrëveshjesh ndërkombëtare dhe ka braktisur disa organizata ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Partneritetit Trans-Paqësor (2017), Marrëveshjen e Klimës së Parisit (2017), dhe ka ndërprerë Partneritetin e Tregtisë dhe Investimeve Transatlantike (TTIP) (2017).

Biden premton se do të ndërrojë drejtim

Seria e tërheqjeve u pasua nga largimi pres UNESCO-s (2017), nga Marrëveshja bërthamore me Iranin (2018), nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (2018), nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) (2019), ka braktisur marrëveshjen e mbikëqyrjes ajrore “Qiejt e Hapur” (2020), si dhe ka njoftuar daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Përveç kësaj, Trump e ka përshkruar BE-në si një “kundërshtare” dhe NATO-n si “të dalë mode”. Të gjitha këto masa patën ndikim në dhe mbi Evropën. Ndryshe nga Trumpi, Bideni ka premtuar se do të rikthehet SHBA-ja në rolin e saj si lojtar kryesor në sistemin multilateral. Në një artikull në “Foreign Affairs”, Biden shkroi se ai dëshiron ta kthejë SHBA-në “përsëri në krye të tryezës për të punuar me aleatët dhe partnerët e saj dhe për të mobilizuar me veprime kolektive kundër kërcënimeve globale”.

E ardhmja e paparashikueshme

Një presidencë e Bidenit do të ishte jashtëzakonisht qetësuese për evropianët. Biden premtoi se gjatë vitit të tij të parë në detyrë ai do të organizojë një “samit global për demokracinë” për të ripërtërirë frymën dhe bashkëpunimin e kombeve në botën e lirë.

Nga kjo pikëpamje, duke qenë se sistemi ndërkombëtar ka ndryshuar dhe është bërë më i paparashikueshëm, një president Biden sigurisht nuk do t’i përmbushë të gjitha dëshirat e evropianëve. Për evropianët do të shtrohet gjithnjë e më shumë pyetja, nëse ata do të ishin të gatshëm për një partneritet të ripërtërirë me SHBA-në: Një partneritet i ri transatlantik do të duhej të merrte parasysh se fokusi i politikës botërore po zhvendoset nga hapësira Euro-Atlantike në Indo-Paqësore ku Evropa mund të shndërrohet një shtojcë gjeostrategjike dhe se autoritarizmi e iliberalizmi po vazhdojnë gjithnjë e më shumë të forcohen.

Zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA do të përcaktojnë kursin. Dhe ato do t'i përgjigjen pyetjes së shtruar nga Daniel Hamilton, një ekspert i njohur i raporteve transatlantike: a do të shndërrohen Shtetet e Bashkuara nga të qenit “fuqi evropiane” në një nga “fuqitë në Evropë”. Sigurisht, kjo gjithashtu varet se a është Evropa e gatshme për një “Amerikë tjetër”.

(Dr. Faruk Ajeti është visiting scholar i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Universitetin Johns Hopkins në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Washington (D.C) dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Politikë Ndërkombëtare në Vjenë. Artikulli është marrë nga gazeta ditore austriake “Die Presse” dhe ribotohet me lejen e autorit)