OpEd

Trump is back

Kur Biden fitoi zgjedhjet në vitin 2020, ai i tha botës “America is back”. Sot pas katër vjetësh “Trump is Back”. Kjo është një botë e re për shoqërinë amerikane dhe botën. Katër vjet nga sot mund ta kthejmë kokën mbrapa dhe të konkludojmë se në fakt presidenca e dytë e Trumpit ishte një presidencë mediokre sikur ajo e 2016-s dhe të gjitha parashikimet ogurzeza ishin ekzagjerim, por edhe mund të kthejmë kokën dhe të kujtojmë këto zgjedhje si zgjedhje kur lindi një botë e re

Para gati dhjetë vjetësh Trumpi ofroi një profeci. Ai tha se votuesit e tij e mbështesin aq shumë saqë edhe “mund të vras dikë në mes të ditës në Avenynë e Pestë dhe prapë nuk do të humbas asnjë votues. Është e jashtëzakonshme”. Kjo profeci u përmbush në zgjedhjet e fundit amerikane. Dje populli amerikan zgjodhi Trumpin për president paçka se ai u akuzua për grusht shtet, u dënua për dhunim të një gruaje, u dënua për 34 raste për mashtrim me biznes, refuzoi të pranonte rezultatin zgjedhor të vitit 2020 dhe synon të jetë i rrethuar nga gjeneralët e llojit të Hitlerit. E gjithë kjo – dhe shumë më shumë – nuk i ka penguar popullit amerikan. Duke iu kthyer profecisë së tij, Trumpi jo se nuk humbi asnjë votues, por fitoi plot të tjera.

Kësisoj Trumpi dje hyri në histori. Udhëtimi i tij politik duket sikur skript i skenarëve më fërgëllues të Hollivudit. Nga një befasi e jashtëzakonshme e vitit 2016, e te rënia dramatike nga pushteti në vitin 2020, dhe deri te spektakli i sotëm kur Trumpi kurorëzon udhëtimin e tij unikal me një vend të veçantë në historinë amerikane. Ky ishte rikthim më impresionues në historinë politike amerikane. Kjo është hera e dytë në histori kur një ish-president amerikan, pasi që kishte humbur një herë zgjedhjet, arrin të bëhet përsëri president. Dhe po ashtu, në janar kur Trumpi do të betohet, ai do të jetë zyrtarisht presidenti më i vjetër në historinë amerikane. 

Pse votoi populli amerikan kështu? Vetëm koha do të ofrojë përgjigje të plotë në këtë pyetje, por qysh tani mund të themi dy gjëra. E para, Partia Demokratike bëri gabimin fillestar me rikandidimin e Bidenit për president. Mandati i tij ndonëse i karakterizuar me ekonomi të mirë dhe arritje të rëndësishme legjislative sikur programi i modernizimit të infrastrukturës në vlerë prej 1 trilion dollarë, u karakterizua po ashtu me një luftë të vazhdueshme polarizuese me Trumpin. Dueli në mes tyre u bë personal. Njëkohësisht natyra e bëri të veten dhe thjesht Joe Biden i vitit 2024 nuk ishte ai i vitit 2020. Ndërkohë kur demokratët kuptuan gabimin pas debatit fatkeq presidencial, zëvendësimi papritmas dhe jodemokratik i Bidenit me Harris vetëm ka sforcuar narrativen e Trumpit për establishmentin dhe “deep state-in” amerikan. E dyta, pjesë e madhe e shoqërisë amerikane beson se sistemi politik dhe ekonomik amerikan ka lënë mbrapa interesat e klasës së mesme. De-industrializimi ka lënë pa punë një pjesë të madhe të popullsisë, inflacioni ka goditur shtresat më të cenueshme të shoqërisë, ndërsa migrimi ka hedhur zjarr në benzinën e pakënaqësisë së qytetarëve amerikanë. Në gjithë këtë mes Trumpi është parë si hero anti-establishment i cili është i aftë të luftojë për të dobëtin. Nuk është rastësi përse Trumpi në fillimin e programit të tij zgjedhor 16 faqesh ia dedikon atë “Burrave dhe Grave të Harruar të Amerikës”. Por përtej programeve politike asgjë nuk kapi më mirë këtë sentiment të popullit amerikan se fotografia e famshme e tentim atentatit mbi Trumpin dhe thirrja e tij e famshme “fight, fight, fight”.

Duke shikuar përpara nën presidencën e dytë të Trumpit, SHBA-ja do të hyjë në një periudhe të re të polarizimit dhe të paparashikueshmerisë politike. E para, Trumpi tani vjen me një mandat të fortë politik ku jo vetëm se ka fituar presidencën, por tani më partia e tij ka fituar edhe Senatin. Gjasat janë reale që Republikanët do të kontrollojnë edhe Kongresin. Kjo do të hapë rrugë Trumpit për qeverisje pothuaj të papenguar deri në “midterms”. Së dyti Trumpi tani vjen me përvojën e presidencës së parë. Kjo nënkupton se tani me përvojën e akumuluar ai do të jetë në gjendje të ushtrojë më efektivisht pushtetin ekzekutiv. Kjo do të reflektohet në veçanti te përzgjedhja e kabinetit dhe stafit të tij. Për dallim nga Trumpi “outsideri” i vitit 2016, Trumpi i 2024-tës do të vijë me një ekip të përzgjedhur të shërbyesve të besueshëm politikë të cilët do t’i shërbejnë verbërisht Trumpit. Kësisoj kësaj radhe nuk do të jetë askush në Shtëpinë e Bardhë që do të përmbajë Trumpin nga idetë dhe iniciativat e tij ekstreme. 

Dhe kur jemi tek idetë ekstreme, Trumpi ka të tilla me bollëk. Gjatë fushatës ai është zotuar se do të hakmerret dhe do të burgosë kundërshtarët e tij politikë, si dhe prokurorë dhe gjykatës të cilët kanë qenë të përfshirë në rastet gjyqësore kundër tij. Ai madje ka përmendur përdorimin e ushtrisë për të luftuar “armikun e brendshëm”. Ai po ashtu është zotuar për politizimin e shërbimit civil duke shkarkuar afro 50,000 shërbyes civilë të “deep state-it” dhe zëvendësimin e tyre me shërbyes besnikë politikë të Trumpit. Për të zgjidhur problemin e migrimit ai synon të krijojë “kampet e koncentrimit” dhe do të organizojë “deportimin më të madh në historinë amerikane”. 

Ka zëra të arsyeshëm që thonë se këto ishin thjesht zhurmë e fushatës zgjedhore dhe se Trumpi nuk do të avancojë asnjë nga këto politika. Vetëm koha do të tregojë a është kështu. Sidoqoftë çfarë mund të presim është se ndaj çdo lëvizje ekstreme të Trumpit demokratët do të përgjigjen me ashpërsi të barasvlershme duke futur kështu shoqërinë amerikane në një vorbull të panjohur politik.

E gjithë kjo do ta bëjë SHBA-në të paparashikueshme edhe në skenën globale. Deri më sot Trumpi ka vizatuar konturat kryesore të doktrinës së politikës së tij të jashtme të cilën ai e quan “Paqja Përmes Fuqisë”. Sa i përket luftës në Ukrainë Trumpi është zotuar se do ta ndalë luftën “brenda një dite”, duke e bërë të qartë se ai ka ndërmend të bëjë presion Ukrainës që të dorëzohet para Rusisë. Sa i përket luftës në Gazë, Trumpi tanimë ka bërë publik planin e tij i cili i garanton Izraelit të drejtën e mbajtjes së tokave palestineze, ndërsa në anën tjetër u ofron palestinezeve një pako financiare prej 50 miliardë euro për të rindërtuar vendin e tyre. Ndaj Kinës Trumpi është zotuar se do të ushtrojë një miks të presionit ushtarak dhe ekonomik për të parandaluar rritjen gjeopolitike dhe ekonomike të saj. Me një anë ai është zotuar për prezencë më të fortë të forcave amerikane në Azi, ndërsa në anën tjetër ai ka premtuar vendosjen e tarifave rekorde ndaj produkteve të Kinës pasi që sipas tij “tarifa është fjalë më e bukur në botë”. Ndaj Iranit Trumpi do ta kthejë politikën e “presionit maksimal” duke kthyer sanksione të ashpra ekonomike ndaj regjimit në Teheran, por edhe duke realizuar misione ushtarake për të dënuar Iranin për mbështetjen që u ofron grupeve terroriste në Lindjen e Mesme. Sa i përket NATO-së Trumpi do të vazhdojë të vendosë në dyshim përkushtimin e tij ndaj aleancës dhe do t’i kthehet insistimit të tij për rritjen e kontributeve nga ana e vendeve evropiane. 

Por duke iu kthyer rajonit tonë, është tejet vështirë të parashikohet se si do të sillet administrata e Trumpit. Sidoqoftë tri gjëra mund të themi tani për tani. E para, vijat e trasha të politikës amerikane nuk do të ndryshojnë. Pra, administrata e Trumpit do të vazhdoj ta njohë sovranitetin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor dhe do të mbështesë avancimin e tyre drejt strukturave euroatlantike. Së dyti dhe më praktikisht, duke u nisur nga fakti se rajoni ynë nuk do të jetë prioritet i administratës së Trumpit, kjo nënkupton se individët brenda ekipit të Trumpit do të kanë hapësirë të madhe të manovrimit për të dizajnuar qëndrimet më konkrete amerikane ndaj rajonit tonë. Së treti, presidenti Vuçiq prej kohësh ka thënë se shteti i Serbisë “vetëm duhet të mbijetojë” administratën Biden deri te ardhja e administratës Trump dhe më pastaj çdo gjë do të jetë në favorin e Serbisë. Kjo është edhe arsyeja përse dje presidenti Vuçiq ishte ndër liderët e parë që e uroi presidentin Trump, përse ministri i Jashtëm serb Gjuriq postoi foto me shampanjë duke festuar fitoren e Trumpit dhe përse Dodiku postoi një video nga festa e fitores së Trumpit me këngë popullore serbe. Pra, është e qartë që së paku pritjet në Beograd janë se administrata e Trumpit do të jetë më e hapur se administrata Biden ndaj interesave serbe në rajonin tonë. 

Në këtë mes shtrohet pyetja se si duhet të pozicionohet Kosova karshi administratës Trump. Janë dy gjëra që besoj mund të ndihmojnë Kosovën në afrimin e saj me administratën Trump. E para, duhet pasur parasysh se administrata Trump nuk është një administratë ideologjike, por një administratë transakcionale. Rrjedhimisht institucionet e Kosovës duhet të fillojnë të investojnë kohë dhe energji në një dialog kuptimplotë me administratën e re amerikane për të identifikuar interesat e përbashkët. Në këtë dialog institucionet e Kosovës duhet të hyjnë si aleatë dhe partnerë të SHBA-së, por të koordinuara me vendet e BE-së. Dhe po ashtu që nga fillimi institucionet e Kosovës duhet të bëjnë të qartë privatisht vijat e tyre të kuqe, por njëkohësisht duke qenë të gatshme të ofrojnë kompromise mbi fushat e interesit të veçantë të administratës Trump – qofshin ato politike apo ekonomike. Së dyti, administrata Trump nuk do të jetë një administratë institucionale, por personale. Llogaria e Twitterit e Trumpit do të jetë fillimi dhe fundi i formulimit të politikës amerikane. Kjo do të vlejë edhe për institucionet sikur Departamenti i Shtetit apo Këshilli i Sigurisë Nacionale. Rrjedhimisht është esenciale që institucionet e Kosovës të fillojnë të identifikojnë pikat kyçe të kontaktit me administratën e Trumpit. Siç shkon ajo fjalë “people shape policy” dhe askund kjo nuk është më e vërtetë se në rastin e administratës së Trumpit. 

Kur Biden fitoi zgjedhjet në vitin 2016, ai i tha botës “America is back”. Sot pas katër vjetësh “Trump is Back”. Kjo është një botë e re për shoqërinë amerikane dhe botën. Katër vjet nga sot mund ta kthejmë kokën mbrapa dhe të konkludojmë se në fakt presidenca e dytë e Trumpit ishte një presidencë mediokre sikur ajo e 2016-s dhe të gjitha parashikimet ogurzeza ishin ekzagjerim, por edhe mund ta kthejmë kokën dhe të kujtojmë këto zgjedhje si zgjedhje kur lindi një botë e re.