Një polic i vrarë në Gjermani, një mësues i vrarë në Francë, një regjisor i vrarë në Holandë: të gjithë këta - dhe shumë të tjerë - janë viktima të islamistëve. Evropa Perëndimore duhet t’i luftojë ashpër shkelësit e vlerave të civilizimit. Koha e përkëdheljes së fanatikëve duhet të marrë fund. Shoqëria shqiptare dhe komunitetet e saj në diasporë duhet të jenë shumë vigjilente, sepse radikalizmi islamist është duke depërtuar thellë në shumë segmente të jetës së përditshme dhe po e deformon identitetin kombëtar
1. Fytyra e terrorit
Si duket fytyra e terrorit? Kryesisht kështu: një burrë me mjekër, me pantallona mbi zogun e këmbës, me sy që nxjerrin urrejtje dhe me një thikë në dorë. Ose me një rrip të mbushur me eksploziv. Në ditën e fundit të majit një refugjat afgan, me mjekër e me syze, qëlloi me thikë disa njerëz në Mannheim të Gjermanisë. Krimi i tij u regjistrua nga kamera e një telefoni mobil. Brutaliteti me të cilin goditi ky fanatik ishte i llahtarshëm. Mes të therurve me thikë ishte edhe një politikan gjerman, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj islamistëve. Mes të plagosurve rëndë ishte edhe një polic. (Më shumë për policin shih pikën e tretë të këtij teksti). Kundër sulmuesit policia hapi zjarr dhe e plagosi. Një dëshmitar tha se kishte numëruar 6 persona të lënduar. Fytyra e terrorit u shpalos para shumë vjetësh (më 2004) në Holandë, kur një islamist vrau regjisorin Theo von Gogh. Ai ishte kritik ndaj keqpërdoruesve të fesë islame. Në vitin 2020 një terrorist çeçen (18-vjeçar) ia hoqi kokën arsimtarit Samuel Paty, i cili gjatë orës së mësimit kishte treguar disa karikatura të profetit islam.
2. Thika si simbol i tmerrit mesjetar
Sulmet me thikë nga persona me origjinë të huaj, shpeshherë islamistë, janë shtuar në Gjermani. Vitin që shkoi një palestinez goditi me thikë disa pasagjerë në një tren mes Kielit dhe Hamburgut në Gjermaninë veriore. Dy të rinj vdiqën nga plagët, ata ishin 17 dhe 19 vjeç. Në dhjetor 2022 një afgan e vrau me thikë një nxënëse 14-vjeçare në Illerkirchberg në Gjermaninë jugore dhe e plagosi rëndë një shoqe të saj. Në tetor 2022 një burrë nga Somalia vrau me thikë dy punëtorë në Ludwigshafen. Para tij, po ashtu, një somalez vrau tri gra me thikë. Pas sulmit në Mannheim pasuan reagimet e rëndomta të politikanëve gjermanë, të cilët duket se nuk kanë plan të qartë si të përballen me kriminalitetin e gjerë. Kancelari Olaf Scholz e dënoi sulmin disa herë. Edhe ministrja e tij e Brendshme e dënoi krimin. Ajo tha: “Nëse hetimet tregojnë se kemi të bëjmë me motiv islamist, atëherë ky do të ishte një konfirmim i radhës i rrezikut të madh nga veprat e dhunshme islamiste”. Deklarata e ministres është paksa absurde. Detyrë e saj nuk është t’i paralajmërojë njerëzit nga rreziqet, por të kujdeset për shmangien e rreziqeve.
3. Vdekja e policit
Polici gjerman, i cili u sulmua me thikë në qytetin e Mannheimit nga një kriminel islamist afgan, vdiq të dielën nga plagët e rënda. Mjekët luftuan nga e premtja për jetën e tij. Pa sukses. Ai ishte vetëm 29-vjeçar. Me vdekjen e tij vdiq edhe një copë e sigurisë publike në Gjermani. Urrejtja e fanatikëve fetarë kundër vlerave perëndimore, kundër lirisë së fjalës, kundër barazisë gjinore nuk është risi. Hordhi djemsh të rinj, të rritur në “kultura” mesjetare, të bindur se “nderin” apo dogmat fetare duhet t’i mbrojnë me thikë e armë të tjera, prej vitesh paraqesin një problem tejet të madh për shoqëritë perëndimore. Në disa qytete (si në Malmö të Suedisë) gjendja e sigurisë është më e keqe se në Bagdad. Këtë e tregoi një anketë para disa ditësh. Në Holandë kriminelë marokenë janë të gatshëm të vrasin një njeri për 2000 euro. Vdekja e policit Rooven L. e ka shtyrë politikën gjermane të reagojë. Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian partitë e etabluara po përpiqen të tregohen të ashpra me qëllim që këtë temë të mos ua lënë për “komercializim” ekstremistëve të djathtë të Alternativës për Gjermaninë. Nga përvoja e deritanishme mund të parashikohet se pas zgjedhjeve partitë do t’i kthehen orarit të përditshëm të punës dhe përbetimet e tyre do të mbesin vetëm paralajmërime. Tema do të vazhdojë të trajtohet nga populistët e djathtë.
4. “Imam Meti”
Krahas kriminelit afgan, i cili vrau policin, në skenë u paraqitën duartrokitësit e krimit. Për shembull njëfarë “Imam Meti”, i lindur në Prishtinë, i cili ka jetuar gjatë në Gjermani dhe tani, sipas gazetës gjermane “BILD”, supozohet se jeton në Serbi. Pas sulmit me thikë të islamistit afgan, në platformën TikTok u postua një video e shkurtër në të cilën personi me pseudonimin “Imam Meti” e lavdëroi atentatin dhe bëri thirrje për vepra të tjera të dhunshme islamiste. “Imam Meti”, i cili në video flet gjermanisht, thotë se vrasësi në Mannheim meriton “nivelin më të lartë të parajsës” dhe e quan atë “shembull” që duhet ndjekur.
Siç njofton revista “DER SPIEGEL”, autoritetet gjermane arritën ta identifikojnë personin që postoi videon urrejtjenxitëse në TikTok. Ai është Muhamed R., i lindur më 1988 në Prishtinë. Nuk dihet ende përkatësia e tij etnike. Ky 35-vjeçar prej kohësh është në shënjestër të autoriteteve gjermane për shkak të postimit të videove me përmbajtje islamiste dhe antisemite. Vitin e kaluar ai bëri thirrje për të shkuar në Izrael dhe për ta sulmuar shtetin izraelit.
Muhamed R. ka qëndruar në Gjermani mes viteve 1991-2019. Për herë të fundit ka qenë i lajmëruar në Hamburg. Ai është i njohur për autoritetet e drejtësisë. Ka qenë edhe i dënuar më 2018 për shkak të rezistencës kundër zyrtarëve në lidhje me veprën e shkaktimit të lëndimit trupor. Para disa vjetësh autoritetet në Hamburg filluan procedurat për dëbimin e tij, por “Imam Meti” humbi në ilegalitet. Organet gjermane të sigurisë supozojnë se ai gjendet në botën e jashtme, shkruan “DER SPIEGEL”. Sipas kësaj reviste, ai e ka të ndaluar hyrjen në Zonën e Schengenit.
5. Hallet e shoqërisë shqiptare
Jo vetëm në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës, por edhe në diasporë po depërton egërsisht helmi i islamit politik, i cili nuk ka të bëjë asgjë me mesazhet paqësore që gjoja i përçojnë imamët dhe dinjitarët e tjerë fetarë. Mes shumë rasteve po veçojmë këtu tri prej tyre.
Në fillim të marsit një 15-vjeçar theri me thikë dhe për pak ia mori jetën një hebreu në Zürich. Ai ishte me origjinë nga Tunizia, por në rrjedhën e hetimeve u zbulua se sulmuesi ka ndjekur një kurs në një “xhami shqiptare” në një lagje të Zürichut. Në kurs ishte mësuar për një autor arab të shekullit të 13-të. Pse kjo “xhami shqiptare” lejon që një palestinez me origjinë nga Siria të organizojë kurse fetare? Pse në këtë xhami ka mbajtur ligjëratë edhe një ekstremist greko-gjerman i konvertuar në mysliman?
Rasti tjetër: Gazeta zvicerane “SonntagsZeitung” shkroi në fillim të shkurtit se futbollistët e Grasshoppersit të Zürichut, Florian Hoxha dhe Meritan Shabani, i pari i lindur në Zvicër, i dyti i lindur në Gjermani, bashkë me lojtarin Elmin Rastoder, me gjasë boshnjak, janë takuar me një imam radikal nga Libani të quajtur Abdul Wahab. Takimi ishte zhvilluar në një xhami afër Zürichut. Në një fotografi të postuar në Instagram, tre futbollistët ngritin gishtin tregues drejt qiellit - një gjest identifikues kryesisht i myslimanëve radikalë. Futbollistët shkruajnë: “Ishte kënaqësi që u njohëm, vëlla”. Kush është Abdul Wahabi të cilin futbollistët shqiptarë të Grasshoppersit dhe shoku i tyre boshnjak e quajnë “vëlla”? Abdul Wahabi është predikues radikal dhe përdor gjuhë toksike në komunikimet e tij publike. Abdul Wahabi shkruan se “80 për qind e grave perëndimore marrin ilaçe depresive”. Grave u bën thirrje të mbulohen. Idol i Abdul Wahabit është Andrew Tate, një influencues britanik, i njohur për gjuhën urrejtëse ndaj grave. Tate gjendet në burg në Rumani, i akuzuar për kontrabandë me njerëz dhe për dhunim. Abdul Wahabi i drejtohet Andrew Tates me këto fjalë: “Të jam aq mirënjohës! Pasi që ti aq pozitivisht ke ndikuar në jetën time, unë do të përçoj tutje mesazhet e tua dhe do të ndryshoj jetën e shumë të tjerëve”. Tate i krahason gratë me qen. Nëse qeni nuk të dëgjon, ti nuk je përgjegjës për të, nëse gruaja e fëmija nuk të dëgjojnë, ti nuk je përgjegjës për ta, thotë ai. Imami libanez Abdul Wahab flet nëpër tubime radikalësh në Britani të Madhe bashkë me Mohamed Hoblos, një nxitës i urrejtjes dhe selafist nga Australia. Hoblos thotë: “Nëse e harron një namaz, ti je më i keq se një vrasës, dhunues, terrorist dhe keqpërdorues fëmijësh, që lutet”. Ose: “Një grua e mirë është si hëna e plotë: vjen natën dhe zhduket ditën”. Ose: “Një burrë i vërtetë e di si duhet luftuar”. Në janar autoritetet zvicerane ia kanë ndaluar hyrjen në Zvicër, Mohamed Hoblosit. Sipas disa burimeve ai në Zvicër deshi të hyjë me Abdul Wahabin, të cilit iu lejua hyrja. Futbollistët Florian Hoxha, Meritan Shabani dhe Elmin Rastoder nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës “SonntagsZeitung”. Ka heshtur edhe klubi i tyre i futbollit. Andaj mbetet e paqartë nëse futbollistët kanë qenë naivë kur janë takuar me një imam radikal apo me vetëdije kanë lejuar të keqpërdoren e të instrumentalizohen për propagandë radikale fetare? Dhe rasti i tretë është nga viti 2020: në profilin e Facebookut të xhamisë së qytezës së Langenthalit në Zvicër, shqiptarëve të besimit mysliman u jepen këshilla për të mos përdorur gjuhën shqipe. Tingëllon absurde, por kështu është. Qe disa nga porositë dhe këshillat që shefat e kësaj xhamie u japin shqiptarëve përmes Facebookut: “Mos thuaj ‹Shum bukur› thuaj ‘Masha ‘Allah’”, “Mos thuaj ‘Përshëndetje’ thuaj ‘Selamun Alejkum’”, “Mos thuaj ‘Wow’ thuaj ‘Subhan ‘Allah’”, “Mos thuaj ‘Do e bëj’ thuaj ‘In shaa Allah’”, “Mos thuaj ‘Mir jam’ thuaj ‘Elhamdululah’”. (Gabimet drejtshkrimore janë të përgjegjësve të xhamisë). Imami i kësaj xhamie e bart para emrit titullin doktor, pra s’kemi të bëjmë me një analfabet që nuk ia di rëndësinë gjuhës amtare. Në webfaqen e xhamisë ky imam në gjermanisht prezantohet kështu: “Përherë punojmë në projekte të ndryshme - më së shpeshti për të arritur më të mirën për klientët tanë”. Si është e mundur që një dinjitar fetar t’i shohë besimtarët si klientë? Më tutje imami shkruan: “Herë pas here ne eksperimentojmë me koncepte dhe ide krejtësisht të reja”. Me gjasë pjesë e këtij eksperimenti është edhe thirrja që shqiptarët të mos e përdorin gjuhën e tyre amtare, por të shërbehen me fjalë arabe.
6. Xhamitë më të rëndësishme se mësimi në gjuhën shqipe
Ndonëse në çdo qytet e qytezë në Zvicër ku jetojnë shqiptarët ka një a më shumë xhami, hapja e tyre vazhdon me intensitet. Në St. Gallen po planifikohet ndërtimi i një xhamie për 15 milionë franga. Në Reinach të kantonit Aargau më 2021 është hapur një xhami që ka kushtuar 4 milionë franga. Më 30 tetor 2022 u organizua një tubim në Spreitenbach afër Zürichut me rastin e blerjes së një xhamie. Morën pjesë edhe përfaqësues të bashkësive islame në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Preshevë. Vetëm gjatë asaj mbrëmjeje u mblodhën 750 mijë franga për xhaminë me emrin “Oaza”. Në vitin 2018 mediat njoftuan se në Sulgen, në kantonin Thurgau, brenda tri orëve u mblodhën gati 1,2 milionë franga për ndërtimin e xhamisë me emrin “Buhara”. Më 2023 u njoftua se në Fribourg të Zvicrës franceze janë mbledhur gati dy milionë franga për një “xhami shqiptare”. Më 2018 në Frauenfeld u përurua po ashtu një xhami e re për, siç thuhej, myslimanët shqiptarë. Miliona franga ka kushtuar edhe një xhami në Glarus. Supozohet se tashmë janë hapur mbi 100 “xhami shqiptare” në Zvicër, shumica prej tyre ofrojnë “mësim fetar”. Dhe shumë prindër preferojnë t’ua besojnë fëmijët e tyre imamëve që shpesh nuk flasin asnjë fjalë gjermanisht, nuk e njohin kulturën e shtetit mikpritës. Arsimtarët shqiptarë që japin mësim plotësues tregojnë se është duke rënë numri i fëmijëve që ndjekim orët e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Rezultati i këtyre devijimeve është ky: shqiptarët hyjnë në mesin e komuniteteve në Zvicër me më së paku nxënës nëpër gjimnaze, të cilat janë parakusht për studime në universitete prestigjioze. Me qindra miliona që harxhohen për ndërtime xhamish do të mund të dhuroheshin mijëra bursa për studentë. Madje do të mund të hapej edhe një gjimnaz privat i komunitetit shqiptar, ku krahas planprogramit zviceran do t’i kushtohej vëmendje edhe gjuhës dhe historisë shqiptare. Trendi, fatkeqësisht, po shkon në drejtim tjetër. Dhe sa më agresiv trendi, aq më e madhe propaganda e lloj-lloj “mediumi” me tema fetare.
LEXO EDHE: