OpEd

Tri vota e një fjalim

Apo si të përfitosh 20 mijë euro pagë vjetore pa punuar

Kur Teuta Rugova u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, ajo nuk kishte mbushur as 24 vjet. Ajo mori votat dhe besimin e 37 mijë votuesve në shumë lokalitete të Kosovës. Pas Ukës, ajo ishte fëmija i dytë i ish-presidentit Rugova, që po merrte mandatin e deputetes. Si deputetja më e re, asaj i ra hise që të bashkëkryesonte seancën e parë konstituive të Kuvendit më 17 korrik 2014. Por në seancat që do të pasonin deri në shpërbërjen e legjislaturës së pestë më 10 maj 2017, nuk do të dëgjonim shumë nga deputetja Rugova.

Në 95 seanca ajo mori fjalën vetëm tri herë, kur parashtroi një pyetje parlamentare për zbatimin e strategjisë për rininë, si dhe në cilësinë e anëtares së Komisionit për punë të jashtme, asaj iu desh të lexonte dy herë rekomandimet e komisionit. Kaq ishte angazhimi i deputetes, e cila në vit mesatarisht mori 22 mijë euro pagë, kurse në tërë mandatin përafërsisht përfitoi rreth 55 mijë euro. Përveç pagës dhe mëditjeve, ajo ishte një ndër deputetet e cila ka shpenzuar më së shumti edhe në udhëtimet jashtë vendit.

Procesverbalet e takimeve të Komisionit parlamentar për punë të jashtme dëshmojnë se Teuta nuk ishte aktive as në punimet e komisionit, në të cilin mbante pozitën e zëvendëskryetares së parë. Përderisa deputetja Rugova ishte prezente fizikisht në shumicën e seancave të Kuvendit, transkriptet e 95 seancave tregojnë se për punimet e Kuvendit më i rëndësishëm ishte babai i saj i ndjerë. Emri i Ibrahim Rugovës u përmend së paku 51 herë.

Por rasti i Teuta Rugovës nuk është i vetmi në mesin e deputetëve të legjislaturës së kaluar. Rast edhe më ekstrem është ai i Blerim Shalës, i cili hyri në Kuvend si pjesë e listës së AAK-së, por dha dorëheqje nga grupi parlamentar i kësaj partie, për t’iu bashkuar PDK-së në fund të mandatit. I tërë angazhimi i Blerim Shalës për tre vjet në Kuvend mund të përmblidhet në një fjalim të vetëm, në seancën e 22 dhjetorit 2014, kur po diskutohej për buxhetin e shtetit. Buxhet nga i cili gjatë tërë mandatit i mori mbi 100 mijë euro në paga dhe mëditje si deputet dhe për angazhimin e tij në negociatat e Brukselit.

Në anën tjetër, shumë deputetë të tjerë nuk kanë marrë pjesë në punimet dhe në votimet e Kuvendit. Një ndër ta është edhe Fatmir Limaj, kryetar i Partisë Nisma. Sipas raporteve monitoruese të KDI-së për votimet në Kuvendin e Kosovës, nga 363 çështje që kanë dalë për aprovim në Kuvend, Fatmir Limaj ka votuar vetëm tri herë apo pjesëmarrja e tij në vendime është vetëm 0.8%. Një nga tri votat të cilat i ka dhënë deputeti Limaj ka qenë edhe vota për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhjet e parakohshme, për të kërkuar një mandat të ri dhe përgjegjësi më të mëdha në vendimmarrje. Për tri votat e Fatmir Limajt, qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar rreth 55 mijë euro nga taksat e tyre.

Deputetët si Teuta, Blerimi e Fatmiri kanë bërë që Kuvendi i Kosovës në masë të madhe të mos jetë funksional. Shumë herë Kuvendi nuk arriti që të grumbullohet për shkak të mungesave të deputetëve, apo edhe seancave të ndërprera nga hedhja e gazit lotsjellës nga partitë kundërshtuese të demarkacionit. Pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë, Kuvendit të Kosovës iu nevojitën një javë që të mblidhet dhe të dalë me një reagim. Në seancën plenare të 10 janarit 2017, pas dhjetë orë diskutimesh, deputetët nuk arritën të aprovojnë një rezolutë e cila kërkon lirimin e Haradinajt dhe largimin nga listat e Interpolit të ish-ushtarëve të UÇK-së. Për tetë muaj të 2016-s, në 14 seanca plenare sa janë mbajtur, deputetët kanë munguar plot 719 herë, kurse 19 mbledhje të komisioneve parlamentare kanë dështuar të mbahen në mungesë kuorumi. Por, me gjithë këto dështime të shumta, në fund të vitit 2016 Kryesia e Kuvendit ndau nga 600 euro shpërblim për punëtorët e administratës për punën e tyre jashtë orarit, një shpërblim që në total kapi shumën e 121 mijë eurove.

E shumë deputetë të tjerë, përveç marrjes së pagës së Kuvendit, votën e tyre e kanë kushtëzuar edhe me marrjen e favoreve të tjera për ta apo familjarët e tyre. Menjëherë pas pjesëmarrjes në votime për zgjedhjen e presidentit të Kosovës kishte deputetë që morën si shpërblim licencë për terminal doganor, post ambasadori apo punësim të familjarëve në institucione publike. Përderisa dhënia e votës për përfitime biznesore e familjare do të duhej të ishte e dënueshme me ligj, për mospunën e një deputeti në Kuvend nuk ka asnjë dënim ligjor.

Por këtë dënim mund t’ua japin qytetarët me votën e tyre. Më 11 qershor rreth 1.7 milionë qytetarë do të kenë të drejtën e votës (po, aq sa ka banorë Kosova sipas regjistrimit të popullsisë). Nëse bazohemi në të dhënat e daljes në votime në të kaluarën, pritet që në këto zgjedhje të votojnë rreth 800 mijë persona. E pjesa më e madhe e votuesve nuk kanë një vend pune, ose punojnë në vende të sigurta pune, me një pagë e cila assesi nuk e mbyll muajin. E votuesit e papunë ose me pagë minimale, do të kenë si opsion votimi edhe Teuta Rugovën e Fatmir Limajn, tri fjalimet e tri votat e të cilave i kanë kushtuar së bashku mbi 110 mijë euro votuesve kosovarë.

Votuesi nuk duhet të shikojë vetëm programet zgjedhore të partive, por edhe historikun e angazhimit të secilit kandidat veç e veç. Deputetët të cilët nuk kanë marrë pjesë në diskutime e as në votime kanë bojkotuar pjesën më të madhe të seancave të Kuvendit dhe punimet e komisioneve parlamentare, nuk do të duhej të merrnin edhe një mandat të deputetit. Ngase kjo votë më së shumti i kushton votuesit. Nga zgjedhjet fitues do të duhej të dilnin qytetarët, e jo deputetët me pagat e tyre vjetore mbi 20 mijë euro.

Janë 971 kandidatë të cilët kërkojnë votën e qytetarëve për të fituar një mandat deputeti në legjislaturën e gjashtë. E në çdo parti ka kandidatë të cilët e meritojnë të jenë përfaqësues të qytetarëve, falë angazhimit të tyre të mëhershëm apo kandidatë të rinj që i kanë hyrë për herë të parë kësaj gare. Por institucioni më i lartë i vendit nuk do të duhej të kishte asnjëherë vend për deputetë si Teuta, Blerimi apo Fatmiri. Teuta e Blerimi nuk janë më të dëmshëm për jetën institucionale të këtij vendi, sesa, për shembull, deputetët si Adem Grabovci e Shukri Buja, të cilët kohën e tyre e ndajnë në mes të Kuvendit dhe gjykatave në të cilat kanë procese të hapura gjyqësore. Por shteti i Kosovës ka nevojë për përfaqësues në Kuvend, të cilët me zërin e votën e tyre i japin fund keqqeverisjes, e jo aso që zgjedhin heshtjen. Ngase, siç e ka thënë Edmund Burke, krejt çka i duhet të keqes të fitojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.