OpEd

Tri vija në një rrëfim

Për njeriun që nënshkruhet me vijë, të burgosurin që me to shënon ditët në pritje të lirisë, vizat si fjalë e vitit dhe urimi që vijat të bashkohen për t’u bërë skicë e një pikture tjetër

Më shumë sesa personazh, Nexhi është gjendje. Paradoksale për kohën kur jeton, por ai është analfabet. Emri e mbiemri i tij janë një vijë pingule. Rëndom e gris letrën sa herë që nënshkruhet. Pavetëdijshëm, kaq i duhet ta zbërthejë gjendjen e tij emocionale. Dufin e tij. Edhe kur si ndër dhëmbë nis e rrëfen një ditë të zakonshme. Përplasja është përditshmëria e Nexhit. Më shumë me vetveten sesa me autoritetet që për asnjë çmim ai s’mund t’i heqë nga lista e armiqve. Me aq sa ai lë të kuptohet nga historia e tij, një burrë truplidhur në rininë e tij, sot është ky: i pensionuar para kohe nga një ndërmarrje ndërtimore dikur në zë, ka vite që kërkon përqindjen e privatizimit, një pension për të lidhur ditët që i kanë mbetur, ose diçka në mes. Mbi të gjitha, ai kërkon arsyen për t’u ballafaquar. Mund të mos fitojë as pensionin, as përqindjen, por askush s’mund t’ia tjetërsojë natyrën prej protestuesi. I tillë mbetet edhe kur premtimet ia jep një zyrtar krejt i dorës së dytë, në një copë letre blloku të verdhë shënimesh, ku i shkruhet emri dhe numër-kontakti i një zyrtari më të lartë. E sigurt, për ta hequr qafe e jo për t’i kryer punë. Ose për t’ia ushqyer rrejshëm shpresën se betejës së tij më në fund do t’i vijë fundi. Në raste si ky, shpresa i zgjat deri te mundësia e parë që dikush tjetër t’ia lexojë emrin që i është shënuar. Dhe historia përsëritet: se filanin e ka takuar, ia kanë hequr prej duarsh që të mos e bëjë telef, por, megjithatë, në një tjetër rast e ka kapur për fyti, ia ka këputur dy a tri pullat e këmishës, sa i janë dashur për ta zbrazur mllefin.

Nexhi është njëri nga ne. S’ka të bëjë me mënyrën se si nënshkruhet, por me atë se si trajtohet. Për shtetin ai është një vijë.

* * *

Ka vite, mbase një dekadë, kur kalimthi do ta zija çerekun e një filmi, mjaftueshëm për ta kuptuar esencën. Duhet të ketë qenë film çek, asi që teatrin e absurdit e bart në kinematografi. Personazhi: një i burgosur truphollë, lakuriq prej brezit e përpjetë. I dobët, por dobësia s’është përcaktuese e vuajtjes së tij. Përkundrazi. Në pah i del kurrizi i pathyeshëm. Skenë e gjatë në qelinë me tavan të lartë, tepër të lartë, sikur të jetë ndonjë kthinë uzine e shndërruar në burg. Gjatësia e skenës është një lojë e qartë. Teston durimin e shikuesit. Mesoburri, me hapa e mat qelinë, një akt i përditshmërisë së tij. Matja: lojë e dyfishtë midis testimit të durimit të shikuesit dhe karrem për zbërthimin e gabueshëm të një rutine të tillë. Shpjegimi vjen në lloj monologu me zërin e personazhit që as për nga ngjyra a tonaliteti nuk jep shenja dorëzimi. I burgosuri mat territorin e tij, përditë bashkë me agun e mëngjesit dhe muzgun e kuqërremtë, për t’u bindur se ai nuk i tkurret. Në ditë zhgënjimi dyshon në mos ia ka huqur numërimit, e në rastin më të keq edhe në mos i është zvogëluar këmba. Në ditë të zymta, për t’u bindur, matjen e bën edhe me pëllëmbë si një lloj prove matematikore e ekuacionit me një të panjohur. Absurditeti qëndron te ngulmimi në të vërtetuarit e një të vërtete të vetme jo të panjohur për të: gjendjes së tij. I burgosuri bëhet rob i konstatimit të fatit të vet. Mbrojtja e territorit nga tkurrja është beteja që ta shpëtojë qenien nga ngufatja në mungesë të lirisë, edhe të asaj për lëvizje.

Thyerja e skenës së gjatë bëhet me dorën e të burgosurit në plan tepër të afërt, e cila gërryen në mur vijat pingule. Krejt bashkë në paralele kanë të përbashkët vetëm kohën e mungesës së lirisë. S’kanë kurrfarë kuptimi pos numërimit të ditëve si rob brenda një territori që e lë të hapur mundësinë e tkurrjes që vjen nga pavetëdija që shitet si domosdoshmëri ose pazar për blerjen e lirisë.

I burgosuri është njëri nga ne. Që mat territorin e vet dhe ditët e tij janë viza.

* * *

Viza, do të ishte fjala e vitit 2018 – e vitit paraprak dhe atij që po vjen – sikur edhe Kosova, si puna e Gjermanisë, të kishte një soj asociacioni që tash e katër dekada detyrë të përvitshme e ka ta përzgjedhë jo vetëm atë që gjermanët e shqiptojnë më së shumti për 365 ditë. Është një lloj fondi fjalësh që kur bëhen tok, ndër vite, kanë fuqinë e të shkruarit të historisë. Ose shpikje a bashkim fjalësh që bëhen nocion, i cili zbërthen një çështje të caktuar, rëndom një problem me të cilin përballet vendi.

Viza do të ishte fjala e Kosovës jo veç në kontekstin e liberalizimit të vizave.

Më shumë sesa shenjë, viza është gjendje për kosovarët që konsiderohen sikurse vija e nënshkrimit të Nexhit. Veç një vijë mjafton për t’i përthekuar krejt bashkë, absurditetin, zhgënjimin, mashtrimin, nënshtrimin, mllefin. Është shndërrimi në përcaktues të humbjes së sensit për të ardhmen. S’ka të bëjë kryekëput me mungesë të lirisë së lëvizjes. Ka të bëjë me bjerrjen e kohës, humbjen e shansit për ta bërë ndryshimin. Me fuqinë që i është dhënë kutrum se mjafton një vizë që ditët të mos jenë vija. Se ajo i ka në dorë zbardhjen e ditëve. Me humbjen e shpresës, dhe të frymës për ta kërkuar atë.

Gëzuar për vijat që bashkohen dhe bëhen skicë për një pikturë tjetër!