OpEd

Tri të këqijat dhe mesazhi i Shën Naumit

Nuk ka asnjë dyshim se ata që sot valëvisin flamurin e copëtimit të Kosovës do të ngelin keq në analet e historisë së Kosovës.

Në diskursin aktual rreth copëtimit të Kosovës, katër aspekte bien në sy: i pari, bindja e përgjithshme e kosovarëve se lobimi ka qenë në themel të këtij ndryshimi të shpejtë në politikën amerikane lidhur me rrugën që duhet ndjekur në dialogun me Serbinë; i dyti, që lidhet me të parin, ka të bëjë me arsyet e ndryshimit rrënjësor të politikës amerikane ndaj mënyrës së përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi; i treti, ka të bëjë me të këqijat që i vijnë Kosovës pas një copëtimi të tillë; dhe, së fundi, e keqja që i ngelet në derë autorit të copëtimit të Kosovës, pa marrë parasysh që mund të ketë ndonjë përfitim të papërfillshëm territorial, por jo për interesat afatgjate të vendit. Përdorimi i fjalës “autor” është i qëllimshëm dhe bëhet në shenjë respekti për vendimin kolosal për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili përdor fjalinë “autorët e Deklaratës së Pavarësisë”, ani se këtu bëhet fjalë vetëm për njërin prej atyre që shpallën Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe që ka marrë flamurin e copëtimit të Kosovës.

Kufijtë e lobimit

Gjatë leximit këto ditë të pjesëve të njërës prej veprave të dijetarit romak Seneka, që flet për keqardhjen dhe përshkruan të huajt në Romën klasike, m’u kujtua një vizitë në SHBA në vitin tanimë të largët 2001. Disa nga vizitorët, siç e thotë Seneka, kishin ardhur në Romë për të marrë edukim liberal, disa për të kryer detyrat zyrtare dhe postet që mbanin, të tjerët për të shpenzuar paratë e fituara dhe kështu me radhë. Ne, që po vizitonim SHBA-në, si pjesë e “programit të vizitorëve të huaj” të Departamentit të Shtetit, i takonim grupit të atyre që kishin për qëllim marrjen e mësimeve për qeverisjen liberale amerikane. Shumë nga ne kishim lexuar sa e sa herë për lobimin, por asnjëherë nuk e kishim kuptuar se si, në fakt, funksionon sistemi i lobimit. Këtë e mësuam në një prej kurseve të shumta që na u mbajt gjatë vizitës sonë gati njëmuajshe atje. Një nga trajnuesit na tregoi se, ta zëmë, sado para që mund të ketë robi i botës, megjithatë nuk mund të ndikojë pa fund në politikën zyrtare amerikane, sepse ndikimi bëhet çdo herë në kuadër të vijave të trasha të politikës së jashtme të secilës administratë. Këtë përgjigje na e dha në pyetjen tonë kurioze nëse Sadam Huseini, ish-diktatori irakian i kohës, apo Moamer Gadafi, po ashtu diktator i kohës në Libi, mund të "blinin" lobistët amerikanë për të shtyrë përpara agjendat e tyre politike.

Dy janë arsyet pse e tregova këtë storie të shkurtër: e para, kaherë kam kultivuar me fanatizëm bindjet liberale, pa pasur më parë rastin që të përjetoj nga afër esencën e lobimit në sistemin amerikan të qeverisjes; dhe, e dyta, për të shprehur bindjen time të palëkundur se lobimi që po bëhet me vite të tëra me taksat tona vetë për veti nuk shpjegon ndryshimin substancial të politikës së presidentit Trump ndaj Kosovës. Ky ndryshim është pasojë e ndryshimeve në politikën e jashtme amerikane ndaj Lindjes së Mesme dhe rifokusimit të saj më thellë në Azi, në kuadër të projektit të ri gjeostrategjik transpacifik. Lobimi me paratë tona, në këtë kontekst, vetëm sa ka shpalosur dhe sa ka përshpejtuar një agjendë që ndryshe nuk do të kishte qenë në rend të ditës në këtë kohë.

Ndryshimet e politikës ndaj Kosovës, deri dje bipartizane

Me ardhjen e Trumpit në pushtet, bota ka parë ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme. Në fakt, këto ndryshime i kanë rrënjët nga zhvillimet e mëhershme në ato pjesët e botës ku më parë SHBA-ja kishte pasur fokus më të madh. Në rend të parë, e kemi fjalën për Lindjen e Mesme: ndryshimet strukturore në këtë pjesë të botës bënë që SHBA-ja të ndryshojë politikat e veta të jashtme, gjë që u reflektua edhe në pjesët e tjera të botës dhe në marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën. Për SHBA-në më nuk përbën rrezik konflikti ndërshtetëror, por konfliktet e shkaktuara nga entitetet nënshtetërore dhe joshtetërore. Lufta kundër ISIS-it përbën vetëm njërën prej formave dramatike të manifestimit të këtij rreziku për amerikanët në atë pjesë të botës. Ky rrezik nuk është i menaxhueshëm me ndërhyrje nga jashtë si dikur: investimi dhe përpjekjet e SHBA-së në përmirësimin e strukturave shtetërore të dështuara në vendet e Lindjes së Mesme përbën një punë Sizifi. Për këtë arsye, rruga e vetme për amerikanët është që t’i lënë këto çështje në duar të aktorëve vendorë, duke investuar në ruajtjen e interesit amerikan vetëm në dy-tri shtete kyç, si dhe në sigurimin e rrugëve detare të tregtisë dhe të komunikimit ndërkombëtar. Siguria e Izraelit, frenimi dhe monitorimi i Iranit me ambicie imperiale, përbëjnë dy aspekte që bëjnë përjashtim nga ky ç’interesim i përgjithshëm amerikan kundrejt dinamikave të Lindjes së Mesme dhe politikave të tyre të brendshme. Kjo logjikë shpjegon tërheqjen nga Siria, epitomin e këtij ndryshimi në politikën e jashtme amerikane, që manifeston pamundësinë për të ndikuar në dinamikat e brendshme të shumicës së shteteve të Lindjes së Mesme. Kjo, asgjë tjetër, qëndron prapa ndryshimit që e shohim sot në politikën e jashtme amerikane ndaj rajonit: nafta dhe burimet e energjisë nga ai rajon nuk përbëjnë më asnjë interes të prekshëm amerikan për të investuar para, mund dhe përpjekje për të mbështetur shtetet e këtij rajoni, diçka që ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë. Ky ndryshim është reflektuar edhe në marrëdhëniet e SHBA-së me evropianët, të cilët nuk kanë çfarë kërkojnë në këtë pjesë të botës pa praninë amerikane. Kjo, megjithatë, përbën një hendikep të madh për BE-në, nga shkaku se gjendja e pasigurt dhe kaotike në Lindjen e Mesme, që aktualisht ekziston, potencialisht mund të breksitizojë tërë kontinentin e vjetër.

Në kontekst të këtij vorbulli duhet parë pozitën e Kosovës në dialog, ku amerikanët shfaqen të painteresuar për rajonin e Lindjes së Mesme dhe evropianët synojnë të mbajnë standardet e vjetra të multilateralizmit me Iranin, palestinezët dhe aktorët e tjerë rajonalë, shtetërorë dhe joshtetërorë. Këto të fundit, në fakt, përbëjnë problemin dhe shkakun kryesor të politikës aktuale amerikane të mosinteresimit për atë pjesë të botës. Vakuumi që po ngel prapa nga ky mosinteresim, që tani shihet se do të mbushet nga aktorët lokalë dhe nga padronët e tyre, Rusia dhe Kina. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka riorientuar politikat e veta nga bashkëpunimi transpacifik, me kuptim dy anët e Pacifikut, gjë që shihet nga intensifikimi i punëve për rritjen e sigurisë së Japonisë, të Koresë së Jugut, si dhe frenimin deri në frustrim të Kinës në politikat e saj agresive ndaj vendeve në dy anët e detit të Kinës së Jugut deri në Oqeanin Indian. Arsyeja për një riorientim në këtë pjesë të botës është fare e thjeshtë: aleatët amerikanë janë më të besueshëm, sepse janë entitete stabile shtetërore, siç janë edhe armiqtë potencialë, me të cilët mund të bëhet biznes dhe pazare të parashikueshme e me leverdi. Tregu dhe interesi ekonomik transpacifik është më i pajtueshëm me interesat ekonomike amerikane se sa nafta apo burimet e tjera të energjisë, për të cilat duhet të luftohet me investime të pafund, pa asnjë perspektivë për ndryshim të kulturave të qeverisjes në ato vende. Ndryshimi i qeverisjes në Lindje të Mesme duhet të vijë nga brenda, kurse stabiliteti i prishur më nuk përbën një rrezik real për amerikanët, nisur nga fakti se ekzistojnë akoma disa vende që mund të llogariten si aleatë për ruajtjen e interesave minimale amerikane në atë rajon. Për evropianët, ky orientim i politikës amerikane është i largët dhe përfshirja në çështjen e Kosovës përbën të vetmen pikë ku mund të puqen me amerikanët, por për shkaqe të ndryshme: ndërkohë që, për BE-në, zgjidhja e rastit të Kosovës nëpërmjet koncesioneve substanciale në favor të serbëve, nënkupton qetësim të Rusisë dhe të Serbisë, për amerikanët kjo nënkupton ruajtje të strukturave të NATO-s si një barrierë ndaj ndikimit rus në sferat amerikane të interesit jashtë Evropës, gjithnjë me shpresë së evropianët do të jenë pjesë e rrezikut të përbashkët rus jashtë territorit të Evropës.

Cilat janë të këqijat?

Në një situatë si kjo, ku BE-ja dhe SHBA-ja kanë dallime diametralisht të kundërta për çështjet e sigurisë globale, më shumë se kurdoherë më parë, zgjidhja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet copëtimit të Kosovës, paraqet opsionin më të lehtë për dy palët që ndërmjetësojnë nga distanca. Vetë natyra e ndërmjetësimit, nga distanca dhe si lehtësues, flet shumëçka për marrëdhëniet ndërmjet aleatëve të Kosovës në dy anët e Atlantikut. Këto marrëdhënie, të ftohura si pasojë e koncepteve diametralisht të kundërta për sigurinë dhe interesat globale të Perëndimit, kanë kushtëzuar dhe kushtëzojnë modalitetet e zgjidhjes së nyjës Kosovë-Serbi. Ai modalitet, që përmblidhet në fjalinë “arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët”, ka për levë ndikimi copëtimin e Kosovës, pikë në të cilën pajtohet pjesa dërrmuese e BE-së dhe administrata aktuale amerikane e presidentit Trump. Të parët pajtohen me shpresë se Rusia do të ndalë politikat alla-Ukrainë në Kontinentin e Vjetër, kurse të dytët me bindjen se ndaj Iranit Rusia do të ketë një rol konstruktiv në vitet që po vijnë.

Nga këndi i Kosovës kur shikohet, kjo situatë del me pasoja të pariparueshme dhe prodhon tri të këqija të mëdha. Ato të këqija janë si vijon: e para, copëtimi domosdo shkakton tragjedi njerëzore dhe ndarje familjesh në ato pjesë të destinuara për copëtim; e dyta, copëtimi çimenton aspektet e sigurisë së fortë ashtu që menaxhimi i copëtimit mund të arrihet vetëm me njerëz të profilit të atyre që sot janë në pushtet dhe që po valëvisin flamurin e copëtimit; dhe, treta, copëtimi shtyn Kosovën në periferi të ngjarjeve rajonale dhe globale për një kohë të pacaktuar, duke e bërë një vend të paqeverisshëm dhe në agoni permanente për shkak të ndikimeve të përhershme të Serbisë dhe të vendeve të treta me stof kulturor islamik. A nuk mjafton për ata që kanë pak mend për të parë se ku ka përfunduar Marrëveshja e Dejtonit (1995), e cila ka qenë shumë më e sofistikuar dhe me garanci kolosale ndërkombëtare? A ka nevojë të bindet dikush se copëtimi krijon situata që nuk menaxhohen për një jetë njeriu? Albert Einstein, kur ka definuar marrëzinë, ka thënë se të marrë janë ata që përsërisin veprimet e gabuara me shpresë se do të arrijnë një rezultat tjetër nga i pari. Jo vetëm kaq! Pikërisht copëtimi i Kosovës, me sa duket, do të shërbejë si një shpëtim i fytyrës së dështimit të Marrëveshjes së Dejtonit, duke ia vënë Kosovës mbi supe një pjesë të barrës dejtoniane, si pasojë e copëtimit të ngjashëm më atë të bërë në Dejton.

Mesazhi i Shën Naumit

Nuk ka asnjë dyshim se ata që sot valëvisin flamurin e copëtimit të Kosovës do të ngelin keq në analet e historisë së Kosovës. Nuk ka asnjë rëndësi që në një kohë mund të kenë qenë idealistë e ëndërrimtarë të një Kosove tjetër, përpjekës titanikë për pavarësinë e vendit. Mësimi për Ahmet Zogun, mbretin e parë shqiptar, është shumë domethënës në këtë drejtim: pjesëmarrës i të gjitha ngjarjeve historike dhe protagonist i tyre që nga Komploti i Taksimit (1912), Ahmet Zogu në fund do të ngelë në histori si një njeri me një njollë të pashlyeshme, që në kohën kur e mori as që e ka paramenduar. Kështu, së paku, thonë biografët e tij, vendorë e ndërkombëtarë, tek përshkruajnë Mbretin e shqiptarëve të ketë thënë në përpjekje për të bindur parinë e kohës se më mirë është të ekzistojë një shtet me shumicë shqiptare islamike, se një element i fuqishëm sllav dhe shqiptarësh ortodoksë në Shën Naum dhe në periferinë e tij. Nuk është se Zogu bëri ndonjë vepër të keqe që nuk e kanë bërë bashkëkohësit e tij: ajo që i kushtoi me vend të keq në histori mbretit Zog lidhet pikërisht me mënyrën si e humbi Shën Naumin dhe pjesët e caktuara të rrethinës së Vermoshit. A e rrëzoi nga pushteti F. Nolin, si një komunist dhe prorus? Jo! E rrëzoi F. Nolin dhe do ta rrëzonte F. Nolin edhe po të ishte eksponent i Woodrow Wilsonit, pikërisht nga shkaku se pazaret e tij për rikthim në pushtet nuk kishin fare të bënin me ideologji, por me falje të pjesëve më të mira të territorit të Shtetit sovran shqiptar për qëllime të mbetjes në pushtet. Si pasojë e këtij fakti, qëndrimi i huaj ndaj mbretit Zog po ashtu ka qenë negativ gjatë tërë kohës sa ai qëndronte në ekzil gjatë Luftës së Dytë Botërore. E konsideronin si një aventurier dhe huligan të fiseve shqiptare, pa asnjë fije gjaku blu në trupin e tij.

Si për ironi, për Shën Naumin dhe Vermoshin ka pasur një vendim të forumit më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare të kohës, Gjykatës Ndërkombëtare Permanente e Drejtësisë (GJNPN), që i pat njohur Shtetit shqiptar të drejtën e pakontestueshme për sovranitet territorial ndaj tyre. Kjo ka ndodhur falë mbrojtjes së shkëlqyer, që mbahet mend, të juristit francez, profesorit më të njohur të së drejtës ndërkombëtare të kohës, Gilbert Gidelit. Serbët edhe atëherë vetë e kishin dërguar çështjen në GJNPD dhe kishin humbur. Zogu ia kishte dhënë me vullnet, në gusht të vitit 1925, territorin e Shën Naumit dhe pjesët e Vermoshit, me arsyetimin e sipërcekur, duke anuluar efektivisht vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris (1921) dhe vendimin e GJNPD-së (1924), të cilat thoshin se këto territore i takonin Shqipërisë.

(Autori është ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës)