Për botën që ndryshon dhe njerëzit që vazhdojnë të vuajnë
I. Rrëfimi i nënës
Ishte shkurti, pas vitit të ri 1878, kur ushtria serbe hyri në rajonin e Leskovcit. Dimër i ashpër, acar. Perandoria Otomane ishte në tërheqje, serbët ishin në depërtim. Shqiptarët, në tokat e tyre shekullore, ishin caku i artilerisë dhe bajonetave të ushtrisë dhe vullnetarëve serbë. Pamëshirshëm shumë civilë u vranë, të tjerët u dëbuan, i gjithë rajoni u spastrua nga shqiptarët.
Si të gjitha familjet e tjera shqiptare të asaj ane, edhe ajo e Shaban Thaçit u gjet në shënjestrën e forcave serbe. Shumë vite më vonë, rreth zjarrit të mbrëmjeve në odat e Suharekës, pleqtë na mblidhnin për të na rrëfyer se si familjarët e tyre ishin detyruar të mblidhnin vetëm ato që mund t’i bartnin me duar, t’i hipnin fëmijët e gratë në qerre me kije, të braktisnin fshatin e të parëve dhe të merrnin udhën drejt Prishtinës. Të kërcënuar nga ushtria serbe dhe të pambrojtur nga pushteti otoman, familja e Shaban Thaçit nga fshati Berjan i Poshtëm brenda natës u shndërrua në muhaxhirë.
Me vite mbanin shpresën se një ditë do të ktheheshin në vendlindje, aty ku në dimrin e vitit 1878 lanë shtëpitë, arat e pëlleshme dhe varret e të parëve. Por derisa spastrimi etnik i kryer nga Serbia u legjitimua nga Kongresi i Berlinit, i cili Serbisë ia fali tokat që ua kishte marrë shqiptarëve, pasardhësit e Shaban Thaçit kishin nisur një jetë të re, tashmë në fshatin Tërrnje të Suharekës. E megjithatë, Berjani i Poshtëm, bashkë me shtëpitë dhe arat, varret e familjarëve mbetën në kujtimet kolektive të të gjithë familjes edhe shumë vite pasi që vdiq edhe i fundit që kishte lindur atje. Është një varrë që nuk u shërua kurrë.
Më shumë se një shekull pas dëbimit nga Berjani, familja e Shaban Thaçit, sikur edhe gjithë shqiptarët e Kosovës, ishte në shënjestrën e forcave serbe. Në mars të vitit 1999, forcat serbe hynë në fshatin Tërrnje, ku vranë dhjetëra civilë dhe të gjithë të tjerët i dëbuan drejt Shqipërisë. Sikur në kohën e Shaban Thaçit, gratë e fëmijët hipën në qerre, burrat ecën në këmbë, duke lënë prapa vetes shtëpitë, arat e pëlleshme dhe varret. Historia e spastrimit etnik ishte gati të përsëritej, por jo edhe Kongresi i Berlinit. Bota e vitit 1999 ishte ndryshe nga ajo e kohës së Shaban Thaçit...
II. Rrëfimi i babës
Sipas kujtimeve, do të ketë qenë pranverë e vonshme e vitit 1924 kur Bajram Jashari e mori me vete të birin Tasimin drejt Selanikut. Tashmë rreth 15 vjeç, Tasimi do të ketë qenë rritur mjaft për të ofruar ndihmë në punëtorinë e gjellëtoren-ëmbëltoren që babai e kishte hapur më 1922 në qytezën Pravishtë, afër Kavalës, në Greqinë Lindore.
I ardhur në kërkim të punës nga bjeshkët e Sharrit në Kosovë, Bajram Jashari ishte vendosur në Pravishtë dhe brenda disa vitesh kishte krijuar një pronë të lakmueshme për kohën – dyqanin e vet dhe një shtëpizë modeste për banim, që e gjitha pronë e tij. Si kurbetçi që ishte, paratë e fituara i kishte për të mbajtur familjen e madhe në Kosovë. Por Pravishta gati se iu kishte bërë shtëpi e dytë – i dinte të gjitha gjuhët e kësaj qyteze që asokohe ishte një mjedis multietnik, ku njëlloj fliteshin greqishtja, turqishtja, shqipja, bullgarishtja, si dhe gjuha rome.
Të gjitha këto gjuhë, bashkë me zakonet, traditat dhe preferencat e popujve të ndryshëm për ushqime e ëmbëlsira do t’i mësonin Tasimi dhe vëllai Shashivari, deri në vitin 1927, kur brenda natës u shndërruan viktima të spastrimit etnik.
Vite më vonë, në moshë të shtyrë, sytë e Tasimit mbusheshin lot dhe zëri i dridhej derisa rrëfente për atë natë të trishtë të vitit 1927, kur policia greke u dha vetëm disa minuta për të paketuar vetëm ato që mund t’i merrnin në dorë, dhe i detyroi që të braktisnin Pravishtën – tashmë me emrin Eleftheroupoli – e të iknin drejt Kavallës, ku do merrnin anijen për Stamboll, ku mbetën edhe gjashtë vjet të tjerë.
Si pasojë e marrëveshjes greko-turke për shkëmbimin e popullatave, të arritur në Lozanë të Zvicrës, dhjetëra e mijëra njerëz u detyruan të braktisnin shtëpitë dhe pronat e veta. Edhe pse nuk po ikte nga vendlindja, Tasimit dhe familjes së tij po ia merrnin gjithë atë që kishin. Kur tregonte vite më vonë, gjyshi Tasim theksonte se gjithçka ndodhi shpejt dhe pa dhunë, si pjesë e marrëveshjes që nënkuptonte një “spastrim etnik paqësor”. Por sado paqësore që ishte,mbetej spastrim etnik. Mbetej padrejtësi.
Tasimi nuk do të jetojë të shohë spastrimin etnik të Ferizajt, më 1999. Por pasardhësit e tij e panë. Dhe e përjetuan. Dhe mbijetuan që të kthehen në shtëpitë e veta, të lumtur që nuk pati një marrëveshje tjetër të Lozanës, që do t’ua mohonte gjithë pronën dhe jetën e ndërtuar deri më tash. Bota e vitit 1999 ishte ndryshe nga ajo e kohës së Bajram Jasharit...
III. Rrëfimi im
Në vitin 1999 e mësuam gjeografinë e vendit tonë më mirë se që e kishim mësuar ndonjëherë në shkollë. Duke punuar në gazetë në kohët e luftës, i mësuam emrat e fshatrave të Drenicës e Dukagjinit, dhe maleve, luginave e përroskave gjithandej Llapit e Shalës.
Shumë kohë para se bota të evidentojë që Serbia kryen një spastrim etnik në Kosovë, ne e pamë atë në terren. Në fillim, bëhej zbrazja sistematike e fshatrave. Dikur, nisën edhe me qytezat. Më vonë, erdhën në rend qytetet. Në pranverën e vitit 1999, shumica e banorëve të Kosovës ishin dëbuar jashtë vendit, ndërsa prej atyre që kishin mbetur në Kosovë, shumica nuk ishin nëpër shtëpitë e veta.
Familjarët e stërgjyshit të nënës, Shaban Thaçi, pothuaj të gjithë ishin refugjatë në Shqipëri - përveç atyre që u vranë nga forcat serbe. Familjarët e gjyshit të babait, Bajram Jashari, kryesisht ishin strehuar nëpër fshatrat e Tetovës dhe Gostivarit. Shumica besonin se do të kthehen aq sa mundi të kthehet Shaban Thaçi në Berjan, apo Bajram Jashari të kthejë pronën e vet në Pravishtë.
Rregullat e luftës kurrë nuk u respektuan nga forcat e Beogradit, dhe Kosova shpëtoi vetëm falë faktit se bota nuk ishte e njëjtë me atë të kohës së Shaban Thaçit e Bajram Jasharit. Bota nuk ishte e kohës së Kongreseve të Berlinit dhe marrëveshjeve të Lozanës, dhe kjo ishte arsyeja e vetme pse sot në Kosovë jetojnë shqiptarët. Forca e atyre që luftuan Serbinë nuk do të mjaftonte kurrë për të mbrojtur vendin dhe popullin, të mos kishim në krah ata që refuzuan të legjitimojnë spastrimin etnik.
Kështu ishte më 1999, dhe kështu mbeti deri më 2008, kur Pavarësia e shpallur e Kosovës u pranua si rezultat i natyrshëm për një popull që kërkonte lirinë, dhe si pasojë e pashmangshme për Serbinë si shtet që tentoi të asgjësonte tërë një popull për t’ia marrë atij territorin.
* * *
Ka kohë që nuk kam marrë më shumë telefonata dhe email mesazhe prej kolegëve gazetarë dhe miqve nga e gjithë bota sesa gjatë 7-8 muajve të fundit.
Planet e publikuara për një marrëveshje të mundshme për këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngacmuar kureshtjen e medieve perëndimore. Gazetarët veteranë, që kishin raportuar nga Kosova që nga koha e luftës së viteve 1998-1999, ktheheshin tani të habitur si mbeti kjo çështje ende e pazgjidhur, 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.
Disa të tjerë pyesnin si mund të pranojë Kosova një rihapje të çështjes që u mbyll dyfish – nga NATO-ja më 1999 dhe Perëndimi më 2008.
E të tjerët paralajmëronin se bota tashmë ka ndryshuar – As Evropa e as Amerika nuk janë ato që ishin dikur – më 1999 e 2008 - ndërsa kostoja për shtetin e papërfunduar të Kosovës vetëm mund të rritet, jo të reduktohet.
Po, bota ka ndryshuar. Nuk është më ajo e vitit 1999 dhe 2008. Por me ndihmën tonë, duket sikur 2019-a mund t’i ngjajë 1878-s së Shaban Thaçit apo 1927-s së Bajram Jasharit, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’i ngjajë pak Kongresit të Berlinit dhe pak marrëveshjes së Lozanës.
Një spastrim etnik i legjitimuar prej vetë nesh!