OpEd

Tri ideologjizëza në shoqërinë shqiptare

Tri ideologjizëza bashkëkohore janë duke u bërë secilën herë më populliste në shoqërinë shqiptare: dersizmi i radikalëve fetarë, aktivizmistika e profesorëve universitarë dhe parahistoricizmi banal i historianëve trushpëlarës.

Dersizmi qe i zhurmshëm. U shukue. U kthy prapë para dy viteve dhe tani është duke u pehatur si krokodili nën ujë. Ders mbajnë predikuesit fetarë që kanë kaluar “hijen” e autonomisë së fesë dhe janë shndërruar në hoxhallarë gjuhëtherrcë helmues. Këta janë trushpëlarësit më oportunistë të kohës sonë, në vendet tona.

Aktivizmistika është motoja e një numri të madh të profesorëve ojëqëistë që luajnë rolin si progresivist, por në realitet janë vetëm oportunist. Studenti mësohet të bëhet ushtar i përjetshëm i mendimit të ashtuquajtur kritik, por që nuk bëhet tjetër pos aktivist me parullë në dorë i rangut “piun”, i pajisur me gjuhë revolutuese kundër shtetit, shoqërisë e...gati gjithçkafit.

Parahistoricizmi banal është bërë “dija alternative” e kuluareve të restoranteve, festivaleve, shkollave mediokre, medieve, etj. Aty predikohet përkatësia e njëjtë e popullit tonë me Toti Tatin. Kjo ushqen edhe etnonacionalizmin banal, edhe turbofolkun edhe mediokritetin e zakonshëm.

Të tri këto ideologjizëza janë të ndryshme dhe të njëjta në shumë gjëra. Por, mbi të gjitha, këto zhumhure të kohës duan ta shkatërrojnë mendimin e lirë, moralitetin reciprok, vetëbesimin politik e kulturor të këtij vendi edhe ashtu të lodhur. Pse po i fut në një thes, bëhet pyetja? Radikalizmi. Të trijat e kanë të përbashkët radikalen/rrënjësoren sepse ofrojnë zgjidhje të shpejtë me ndryshime rrënjësore/radikale. Radikalët duan ta transformojnë shoqërinë shpejt e me zor e sipas diktatit të tyre.

Shteti, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duket se i kultivon të trijat edhe me taksa t'qytetarëve edhe me hapësirë publike edhe ligj. Po ashtu edhe mediet duket se i kultivojnë të trijat. Pa dyshim se shihet se universiteti i rekruton dhe ushqen të trijat po ashtu, por shpesh aktivizmistika mbizotëron sepse shitet si e kohës. As tregu s'lë mangu asgjë në këtë drejtim.

Duket se prej aktivizmistikës nuk ka shpëtim. Këtë betejë e kanë humbur shumica e vendeve perëndimore. Në emër të emancipimit, të drejtave të qejfit, dëshirave imagjinare, krijohet turma e pakënaqur dhe ndryshon shoqërinë, me hatër ose me protesta të dhunshme ose me sulme personale. Prandaj, ndoshta vetëm duhet përkrahur sa më shumë deri sa ta lajë fruthin e vet.

Dersizmi mund të shkaktojë dridhje dhe frikë, por betejën duket se do ta humb, sepse ka hyrë si mish i egër në botëkuptimet e pasluftës dhe luftohet nga aktivizmistika dhe parahistoricizmi banal. Por, edhe nga forcat e jashtme. E më së shumit nga mendjet e shëndosha të këtij vendi, që fatmirësisht ekzistojnë. Prandaj, ndoshta dersi duhet të merret si “flamë” prej së cilës duhet ruajtur me dietë 50 vjeçare, e jo me penicilin të shpejtë që mund të shkaktojë reaksion të madh.

Duket se parahistoricizmi banal është para të qenit “muzeal” si mendim. Andaj, një “dokumentim” i shpejtë i tij, për ta parë se si ka mbijetuar si botëkuptim, edhe do të mund të ishte i rëndësishëm. Por, rrezik të madh nuk duket se ka prej kësaj ideologjizëze vetëshkatërruese.

Se si mbetën gjallë shqiptarë e dimë deri diku, por se si do të mbesin gjallë në të ardhmen, kjo nuk dihet. Por, sot po dihet që këto ideologjizëza po rriten pandërprerë.