OpEd

Tri ditë zgjat çudia, e përjetë plaga e dhunës!

Si për çdo gjë, edhe për aktet më makabre që shokojnë madje masën, veç tri ditë flasim. Tri ditë qajmë e vajtojmë kolektivisht dhe premtojmë se do të bëhemi zëri i grave të shtypura, atyre që shohin e ndjejnë dhunën çdo ditë, atyre që për vite të tëra kanë njohur forma të ndryshme dhune nga e cila nuk janë shkëputur dot. E njohim dhe denoncojmë dhunën psikike dhe atë fizike që jo rrallë herë ka kulmuar edhe me vrasje. Ndërsa harrojmë me dhjetëra nënshtresa të këtij fenomeni i cili ka shkaktuar vuajtje të ndryshme të mëdha te shumë gra, e që me raste i ka paralizuar tërësisht duke mos i lejuar të gjejnë forcën që të kundërshtojnë vendime të paracaktuara patriarkale.

K.SH. ishte në të njëzetat e hershme kur solli në jetë fëmijën e saj të parë. Ishte martuar me aranzhim, apo mësit siç njihet në popull dhe konsiderohej martesë e rregullt për fundvitet e 80-ta, në fshatin ku jetonte. Nuk e besoj se figura e saj do të më tërhiqte vëmendjen, po qe se nuk do të niste e të cilësohej si heroina e familjes ku erdhi si anëtare e re. Ajo bëri një akt, me apo pa vullnetin e saj, e bindur apo e pabindur, me apo pa presion nga të tjerët, nuk di ta them. Nuk mund të dihet në ishte përcaktim vullneti apo thjesht pamundësi kundërshtimi, sepse nuk u shtrua kurrë si diskutim kjo çështje. Ajo e fali të parin fëmijë që solli në jetë. Meqë vëllai më i madh i familjes së burrit, pra kunati i gruas së re nuk kishte një fëmijë, ‘i takonte’ vëllait të vogël t’ia falte të parin që do lindte.

U bë festë në familje, me darkë për burrat nën tinguj çiftelie, e zijafete për gratë që vallëzuan me muzikë popullore. U thurën lavde të mëdha për zemërgjerësinë e çiftit të ri, e u uruan për më shumë fëmijë. Por nuk shkoi gjatë kohë, e gratë si vigjilente të zellshme, filluan të observonin me vëmendje raportet brenda familjes ku ndodhi e pazakonta. Interesoheshin për çdo gjë për rritjen e atij fëmije të falur. Teksa i vogli rritej me gjithë kujdesin e mundshëm nga xhaxhai dhe gruaja e tij, sytë ishin fokusuar mbi nënën biologjike në sjelljen e saj me të birin që tash ishte fëmija i kunatit. Vëzhgohej çdo emocion i nënës që lindi, por fëmijë nuk kishte, solli në jetë dikë që kurrë nuk do ta thërriste nënë. Çdo shtrembërim fytyre, apo reagim spontan pakënaqësie i saj nxiste hamendësime se mos kishte të bënte me të birin. Si e shihte ajo të birin, me sy të ngazëllyer, me bishtin e syrit apo me shikim të përhumbur?. Gratë ndër dhëmbë pëshpëritnin se sa e fortë ishte, e se si syri verr nuk i bënte edhe kur i biri qortohej me apo pa vend, nga tashmë nëna adoptuese. “E lumja ajo për vete”, ishte fjala që përmbyllte çdo diskutim për të. Por mbaj mend edhe një gjë tjetër rreth asaj figure gruaje. Kur erdhi në shtëpinë e burrit fliste shumë pak. Më vonë pothuajse nuk fliste fare. Në heshtje lëvizte për të kryer punët e shtëpisë, e buzëqeshja ishte diçka që nuk i ngjitej shpesh në fytyrë.

Derisa isha bërë vetë nënë, kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend se një akt i tillë i cilësuar atë kohë si shumë human e siç thoshin, bëhet veç nëse forcën ta ka dërguar Zoti, ka qenë krejt e mundur të jetë bërë tërësisht pa dëshirën e gruas që përjetoi por nuk e gëzonte amësinë. Vetëm duke përjetuar diçka aq të fuqishme e vështirë të shpjegueshme me çfarëdo gjuhe të folur, do të mund të këmbëngulja që një forcë të tillë asnjë Zot i kësaj bote nuk ta dërgon. Por si mund të shpjegohet një akt i tillë që bëri njëzetvjeçarja K.SH, duke falur diçka që nuk falet? U pyet ajo në do apo nuk do që të heqë dorë nga krijesa e vogël që solli vetë në këtë botë me shumë mund e dhimbje? Nuk do mend, që nuk e pyeti askush për asgjë. I pranuar si vullnet i atij Zoti që lavdërohej se i kishte dërguar forcën për të falur të birin, ajo uli kokën dhe jetoi e heshtur gjithë jetën.

Ajo ndoqi një rregull të vënë në atë familje që para se vet të fuste këmbët në shtëpinë e tyre. Nuk gjeti forcë ta kundërshtonte ashtu siç nuk kundërshtoheshin shumë rregulla e kode të gdhendura nga traditat fanatike të shumë familjeve kosovare. Shpesh ato kanë qenë të pakapërcyeshme madje edhe nga vetë burrat e le më gratë. Të rralla gra kanë marrë guximin për t’iu kundërvënë kanuneve fisnore. Ose u janë nënshtruar zellshëm traditave të shtëpisë e rrethit ose janë ndarë për t’i lënë fëmijët prapa që me shumë gjasë edhe nuk i kanë parë kurrë më. Diçka që vendoste familja e burrit si mund ta kontestonte një nuse e re? Kishte ndonjë pikë autoriteti ajo grua për t’i vënë në diskutim vendimet e të tjerëve? Nëse nuk kishte vendosur vetë për fatin e saj në martesë dhe e kishte pranuar martesën e aranzhuar nga familja e saj, si të pritej që të ndryshonte vendimet e familjes së burrit, qoftë edhe kur ata vendosën që ajo të hiqte dorë bebja e saj, që në momentin kur e kuptoi se ishte shtatzënë. Ashtu ishte e përcaktuar i thanë; fëmijën duhet ta sillte në jetë për dikë tjetër.

A nuk është dhunë brutale, apo edhe krim i llojit të vet detyrimi i nënës që të heqë dorë nga fëmija? A nuk është goditje në dobësinë më të madhe të saj, për çka siç kemi mësuar që nga mitologjia e historia e këtij njerëzimi, nëna është e gatshme edhe të flijohet për të voglin kur ai është në rrezik? Si ka mundësi që në heshtje u pranuan të tilla dukuri, e që përktheheshin e transmetoheshin madje si akte humane? Nëse një grua e re, përballonte një dhimbje të tillë të shkëputjes nga i vogli që në minutat e para kur e sillte në jetë, çka tjetër nuk do të mund të përballonte? Çfarë lloj ofendimi, dëmtimi fizik a psikik do të ishte më lëndues sesa një imponim i tillë?.

Dhuna mbi gruan në shoqërinë tonë ka qenë dhe mbetet aq e thellë dhe e sofistikuar në secilën pore të aspektit social që nga ekzistenca e saj, sa gruan e bën të paaftë e gati të paralizuar për të lëvizur në realizimin e të drejtave themelore. Kjo është veç njëra nga dhjetëra llojet e dhunës të cilën shpesh nuk e cilësojmë si të tillë.

P.s.

Gruaja me inicialet K.SH. ndërkohë ka lindur edhe fëmijë të tjerë. Ajo sot jeton diku jashtë Kosovës.