Ka tre alternativa më të mira se sa heqja tremujore e taksës së benzinës. E para është transferimi i parave të gatshme direkt te familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta, duke përdorur të njëjtën sasi të të ardhurave të Qeverisë, që do të hiqeshin si rezultat i heqjes nga taksat e benzinës (rreth 20 miliardë dollarë gjatë gjashtë muajve, sipas vlerësimit të administratës Biden)
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka propozuar pezullimin tremujor të taksës federale prej 18.4 centësh për galon. Vendimi për të cilin duhet miratimi i Kongresit ka për qëllim të ofrojë lehtësim për familjet amerikane që po luftojnë me rritjen prej 60% të çmimit të benzinës nga rreth 3 dollarë për galon para pushtimit rus të Ukrainës në gati 5 dollarë për galon tani. Mirëpo janë në dispozicion politika më të mira.
Duke lënë mënjanë kundërshtimin e Kongresit, propozimi i Bidenit ka disa pengesa të mundshme. Së pari, nuk ka cak të mirë. Rezultatet e pushimeve të taksave të gazit të shteteve individuale të SHBA-së sugjerojnë se kursimet do t'u kalohen pjesërisht vetëm konsumatorëve në formën e çmimeve më të ulëta në pikat e karburanteve. Pjesa tjetër e të ardhurave të papaguara nga taksat do ta nxiste linjën përfundimtare të kompanive të naftës që tashmë po korrin fitime të papritura nga çmimet e larta ndërkombëtare të naftës. Për më tepër, amerikanët relativisht të pasur ka të ngjarë të përfitojnë më shumë nga çmimet më të ulëta të benzinës, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e fitimeve do të shkonte për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta që kanë nevojë për ndihmë më të madhe.
Së dyti, çmimet e larta të naftës kanë rritur kostot e energjisë në të gjithë Amerikën. Një ulje e vogël në çmimin e benzinës nga 5 dollarë për galon në, të themi, 4,80 dollarë nuk është aq e dobishme, kur pjesa tjetër e faturës së energjisë shtëpiake mbetet e lartë.
Së treti, heqja e taksës së benzinës që zvogëlon të ardhurat e Fondit të Mirëbesimit të Autostradave të Qeverisë federale – rezultat që Bideni po ia kërkon Kongresit ta shmangë – do të ndikonte në shpejtësinë e ndërtimit ose mirëmbajtjes së infrastrukturës në të ardhmen.
Së fundi, koha prej tre muajsh nuk ka gjasa të jetë e besueshme nëse sanksionet perëndimore ndaj Rusisë nuk janë të sigurta se do të hiqen brenda kësaj periudhe, ose nëse recesioni mjaft i rëndë global i ul çmimet globale të naftës në nivelet e paraluftës. Më shumë gjasa, çdo heqje tatimore që miratohet do të zgjatet disa herë, duke komplikuar problemin e të ardhurave të humbura.
Ka tre alternativa më të mira se sa heqja tremujore e taksës së benzinës. E para është transferimi i parave të gatshme direkt te familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta, duke përdorur të njëjtën sasi të të ardhurave të Qeverisë që do të hiqeshin si rezultat i heqjes nga taksat e benzinës (rreth 20 miliardë dollarë gjatë gjashtë muajve, sipas vlerësimit të administratës Biden ). Nëse Bideni dëshiron të nxjerrë në pah shqetësimin e tij në lidhje me çmimet e larta të benzinës në veçanti, mund të lëshojë “kuponin e kompensimit të kostos së gazit”, i barabartë në vlerë me taksën e patubuar të benzinës, të cilën marrësit mund ta përdorin në pikat e karburantit ose për t’i paguar faturat e shërbimeve. Nuk ka nevojë të ndalohet rishitja e kuponëve.
Për shkak se të gjitha shpenzimet e Qeverisë në kuadrin e këtij programi do të shkonin për familjet në nevojë, pa subvencionuar firmat tashmë fitimprurëse të naftës, do të ishte shumë më e mirë sesa propozimi i Bidenit. Është gjithashtu më miqësor ndaj mjedisit pasi nuk inkurajon domosdoshmërisht më shumë konsum të benzinës. Familjet që marrin transfertën mund të zgjedhin t’i përdorin fondet për të mbuluar shpenzime të tjera të nevojshme.
Alternativa e dytë është lejimi i kompanive dhe rafinerive amerikane të naftës të eksportojnë vetëm pjesë të prodhimit shtesë mbi nivelin e paraluftës. Në thelb, kjo është politikë me dy pjesë, siç e kam përmendur në kolumnen time të mëparshme. Nga njëra anë, prodhuesit e naftës do të ndaloheshin të eksportonin çdo prodhim përpara se shitjet e tyre të brendshme të arrijnë nivelet e paraluftës. Nga ana tjetër, joshja e çmimeve të larta ndërkombëtare të naftës – të cilat janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën – do të inkurajonte kompanitë ta rrisin prodhimin.
Më e rëndësishmja, kjo politikë do ta rriste sasinë e naftës së shitur në SHBA, do ta nxiste zhvendosjen në përzierjen e naftës së papërpunuar të përdorur në rafineri drejt varieteteve më të lehta dhe në këtë mënyrë do t'i shtynte çmimet e brendshme të energjisë nën nivelin e tyre të 24 shkurtit. Kjo do t’i lejonte amerikanët e zakonshëm për të përfituar në mënyrë indirekte nga çmimet e larta ndërkombëtare të naftës.
Politikëbërësit mund të kalibrojnë pjesën e prodhimit të ri që firmat e naftës lejohen të eksportojnë në mënyrë që fitimi shtesë nga shitjet ndërkombëtare të tejkalojë reduktimin e fitimit nga shitjet e brendshme. Me fjalë të tjera, kjo skemë është krijuar për të ndarë përfitimet nga çmimet më të larta ndërkombëtare të energjisë midis familjeve amerikane dhe kompanive të naftës. Në mënyrë thelbësore, ndryshe nga propozimi i Bidenit për ndalimin e tatimit, nuk do të kishte humbje të të ardhurave të Qeverisë dhe si rrjedhojë nuk do të kishte asnjë ndikim negativ në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e autostradave të Amerikës dhe sistemeve të tranzitit masiv.
Opsioni i tretë do të ishte që Bideni të kombinonte heqjen e taksës së benzinës me taksën mbi kompanitë e naftës. Kjo do të siguronte që paratë publike të mos përdoren për të subvencionuar firmat fitimprurëse të naftës dhe do të shmangte varfërimin e Fondit të Mirëbesimit të Autostradave. Më e rëndësishmja, taksa e mirëprojektuar, siç është taksa vetëm mbi të ardhurat nga shitjet e naftës jashtë shtetit, mund të çojë në ulje më të madhe të çmimeve të benzinës vendase sesa do të rezultonte vetëm nga heqja e taksës së shitjeve dhe gjithashtu të gjeneronte më shumë të ardhura se Qeveria do të hiqte dorë, duke pezulluar taksën federale të benzinës. Prandaj, Qeveria do të kishte para shtesë për t'ua kaluar familjeve amerikane, ndërkohë që fitimet e kompanive të naftës do të mbeten mbi nivelin e paraluftës.
Nga tre alternativat e mësipërme, opsioni i dytë – lejimi i eksporteve të naftës në SHBA vetëm kur prodhimi tejkalon nivelin e paraluftës – deformon më së paku prodhimin dhe nuk rrit deficitin buxhetor. Dy opsionet e tjera mund të synojnë në mënyrë më efektive ndihmën për familjet me të ardhura të ulëta. Por secila prej tyre, ose ndonjë kombinim i tyre, do të ishte më i mirë se propozimi aktual i Bidenit sa u përket efikasitetit ekonomik dhe drejtësisë.
(Shang-Jin Wei, ish-kryekonomist në Bankën Aziatike të Zhvillimit, është profesor i Financës dhe Ekonomisë në Shkollën e Biznesit Columbia dhe Shkollën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)