OpEd

Treni nuk është më në stacion

Nëse plani franko-gjerman (evropian, i përkrahur nga SHBA-ja) është në binarët e Rambouillet e Vjenës, ja disa sugjerime për hapësirën publike të debatit prej pushtetit e opozitës e deri tek emisionet e mbrëmjes

Mbërrita të përcillja pak edhe nga mbledhja e djeshme e Kuvendit të Kosovës debatet e së cilës pastaj u amplifikuan në debate politike të mbrëmjes në televizione dhe më duket se ekziston një shkëputje nga realiteti mes përshkrimit të gjendjes dhe zhvillimeve në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë.

Ja disa vërejtje që mund të shërbejnë për hapësirën publike të debatit.

Treni është nisur

Propozimi franko-gjerman (evropian, i përkrahur nga SHBA-ja) tashmë është kornizë e pranuar prej kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimi i tyre i ardhshëm - takimet e ardhshme - nuk do të jenë për tekstin e Propozimit, por për aneksin implementues. Debati rreth planit - pse është pranuar, pse është më i keq apo më i mirë, çka t’i shtohet e çka t’i hiqet, mund të shërbejnë si ushtrime mendore , por nuk kanë efekt në tekstin e kornizës. Treni i udhëtimit planit franko-gjerman nuk është më në stacion, ai tashmë është nisur, dhe në të brenda janë Kosova e Serbia.

Kahu është i ditur

Rrugëtimi i planit franko-gjerman nuk është drejt të panjohurës. Ky është dallim i madh me procesin e Brukselit të filluar prej dhjetë vjetësh, i cili ishte i pacak në hapësirë dhe kohë.

Në momentin kur Kosova dhe Serbia kanë pranuar këtë kornizë, kanë pranuar që negociatat të zhvillohen mbi parimet e barazisë së të dyja shteteve me personalitetet e tyre juridike. Të dyja shtetet nisen prej njohjes së ndërsjellë të personalitetit të tyre të veçantë juridik. Kjo nuk do të thotë vendosje de jure e marrëdhënieve ndërshtetërore; këtë të drejtë Kosova dhe Serbia e mbajnë për të ardhmen, kurdo që të jenë pjekur kushtet.

Koha dhe hapësira e udhëtimit janë të kushtëzuara me krizën më të madhe politike dhe të sigurisë evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, luftën e zhvilluar nga Rusia në Ukrainë. Rrjedhimisht, ky proces negociator për herë të parë në tridhjetë vjetët e fundit bëhet pa Rusinë. Kahu është, rrjedhimisht, evropian gjegjësisht euroatlantik. Ky kah nuk është i ri: “perspektiva evropiane” si premtim i Samitit të Selanikut për Ballkanin Perëndimor i mbush 20 vjet dhe nëse nuk konkretizohet mund të konsumojë edhe 20 vjet të tjerë.

Negociatat Kosovë-Serbi duhet të konkretizojnë “perspektivën”. Dhe, këtë projekt ambicioz u kërkohet ta bëjnë në muajt e mbetur të këtij viti.

Treni ka vagonët e së kaluarës

Ndonëse është një kontekst i ri negociator, procesi franko-gjerman nuk fillon prej së pari. Treni i nisur tërheq pas marrëveshjes e procesit të Brukselit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e komunave serbe. Këto obligime nuk do të zhduken vetvetiu dhe kërkojnë trajtim politik e juridik.

Marrëveshjet 2013/2015 kanë kërkesa juridike përtej mundësive të tanishme të Kushtetutës së Kosovës. Politikisht fillojnë me premisën se paketa Ahtisaari e dalë nga negociatat 2005-2007 , të cilat Kosova i ka zhvilluar me Serbinë, por dakorduar me SHBA-BE, është e pamjaftueshme për serbët e Kosovës, Serbinë e tash edhe për BE-SHBA.

Në fakt, ky tren tërheq vagonët që nga Rambouillet (1999) , Vjena (2005-2007) dhe Brukseli (2011-2023). Në të gjitha këto procese negociatore janë adresuar çështjet e komuniteteve joshumicë, në veçanti ato të serbëve të Kosovës dhe në të gjitha ato është përcaktuar në një masë të rëndësishme forma e funksionimit të shtetit të Kosovës.

Procesi franko-gjerman ka kapacitet të njëjtë serioziteti si edhe proceset e Rambouillet dhe Vjenës.

Treni ka nevojë për udhëtarët e vet

Kapaciteti transformues që kanë negociatat, që e presin Kosovën, tejkalojnë legjitimitetin e Qeverisë. Nëse ato kanë ngjashmëri me Rambouillet dhe Vjenën, atëherë Kosova do të bënte mirë që të gjente një formulë për krijimin e konsensusit politik mes pushtetit dhe opozitës. Gjetja e një formule nuk do të thotë automatikisht kopjim i atyre të kaluara, por kërkon që të ndërtojë frymën e konsensusit nga ato të kaluarat.

Procesi i Brukselit është mësim i mirë se çfarë janë rezultatet e mungesës së konsensusit. Dhjetë vjet më pas Kosova është peng i një marrëveshjeje të nënshkruar pa konsultim e konsensus.

Njëra prej sfidave më të mëdha të procesit franko-gjerman (evropian, i përkrahur prej SHBA-së) është rirregullimi ligjor (nuk përjashtohet as ai kushtetues) i marrëdhënieve brenda shtetit. Ky është një operacion delikat që kërkon jo vetëm vëmendje maksimale, por edhe unitet. Kushtetuta e ligjet nuk janë materie e fjalimeve populiste në Kuvend a debate tifozërie në emisionet e mbrëmjes.

Treni mund të mos mbërrijë

Procesi franko-gjerman është delikat dhe nuk e ka të garantuar suksesin.

Nuk e ka të garantuar, në fakt, asnjë proces. As Rambouillet e as Vjena nuk përfunduan me dakordimin e Kosovës dhe Serbisë, por që të dyja proceset krijuan realitete të reja-çlirimin (Rambouillet), pavarësinë (Vjena).

Ky proces mund të mos rezultojë me marrëveshje. Që nga fillimi mund të shtrohet pyetja se a do Serbia të arrijë një marrëveshje që do ta largojë prej Rusisë, ta afrojë me Perëndimin dhe të krijojë precedentin, për herë të parë në historinë e vet, të trajtimit të Kosovës si një tërësi të barabartë me të? Apo, mund të shtrohet pyetja e dyshimi, nga ana tjetër, a është e interesuar Kosova që të mbërrijë një marrëveshje në të cilën nuk ekziston njohja de jure e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, njohja e pesë shteteve të BE-së, njohja e 4 shteteve të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, garanci e ulëses në OKB? Madje, se këtë marrëveshje që nuk i garanton të gjitha këto do arritur duke ndërtuar mbi koncesionet tashmë të bëra prej Rambouillet deri në Vjenë?

Por, tradicionalisht ai që zbret prej trenit të negociatave i ka punët më keq.

Dhe, vëmendja tashmë nuk duhet të jetë te druajtja se a do të mbërrijë ky tren. Vëmendja duhet të jetë te pika se ai më nuk është në stacion, se lokomotiva që po e tërheq është perëndimore, se udhëtimi nuk është i lehtë e se të gjithë kosovarët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin që ta përballojnë.

edhe një detaj tjetër me rëndësi: ky është udhëtim që dallon shumë prej atij të dhjetë vjetëve të kaluar dhe se po niset në pika që janë pjesë e itinerarit të filluar në Rambouillet e vazhduar në Vjenë.