Putini po i shtyn Kosovën dhe vendet e tjera të Evropës të marrin më shpejt një vendim të duhur: të kalojnë vendosmërisht drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë
1.
Vladimir Putini, për tre muaj, arriti rezultate të jashtëzakonshme me luftën e vet në Ukrainë. Që nga fundi i shkurtit të këtij viti, SHBA-ja është kthyer në Evropë me rolin më se të nevojshëm në kontinent, atij të strumbullarit të koalicionin Perëndimor. Bashkimi Evropian ka bërë një hap të madh në politikën e vet të Jashtme e të Sigurisë kur ka ndarë mbi një miliard euro për armatosjen e Ukrainës. Shtete tradicionalisht neutrale, si Suedia dhe Finlanda, tashmë po aplikojnë për anëtarësim në NATO. Ukrainasit, të ndarë në histori me denominime të ndryshme të krishtere (dhe po ashtu një minoritet mysliman, e një president hebre) e në veçanti mes atyre që në shtëpi flasin gjuhën ukrainase dhe ata që e flasin atë ruse, arritën të tregojnë një identitet të përbashkuar e të farkëtuar në luftë, madje aq të fortë sa rusishtfolësit e Harkivit dëbuan ushtrinë ruse nga aty.
Dhe, disi në këtë valë e ndoshta jo me aq vëmendje, presidenti i Rusisë është duke ndikuar që treni i agjendës së gjelbër evropiane të arrijë më shpejtë në të gjitha anët e Evropës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Kjo pjesë e kontinentit, si edhe e gjithë Evropa, ishte duke menduar që nga fillimi i këtij shekulli se si do ta bëjë transicionin drejt burimeve të energjisë së ripërtëritshme, në mënyrë që të mbrohet ambienti, gjegjësisht të frenohet ngrohja globale dhe rrjedhimisht rruga drejt shkatërrimit të planetit; tash këtë proces shqyrtimi e ka shpejtuar.
2.
Nëse pamjet e uraganeve dhe të reshjeve të mëdha të shiut e të borës në njërën anë të botës e thatësirave në anën tjetër, shpejtuan botën që në këta njëzet vjet të shekullit të merret aktivisht me kufizimin e djegies së thëngjillit dhe burimeve të tjera në sajë të karbonit, shkatërrimi tjetër, ai i nga pushtimi i Ukrainës, po e shpejton në formë dramatike mendimin dhe vendimmarrjen lidhur me të ardhmen energjetike dhe ekologjike të kontinentit.
Një proces që mund të merrte me vite të tëra, V. Putini e ngacmoi me një përcaktim të thjeshtë strategjik, duke përdorur burimet e veta të energjisë si armë. Kështu, ai nëpërmjet të luftës në Ukrainë shtrenjtoi naftën e gazin dhe rriti të hyrat shtetërore. Nga ana tjetër, ai e shndërroi gazin në një lloj droge ekonomike: shtete të forta industriale si Gjermania kanë krijuar varshmëri nga gazi rus dhe kërcënimi me ndërprerje të gazit do të çrregullonte funksionimin normal të shoqërive e shteteve.
Vendimi tashmë i pjekur në shumë shtete është se duhet kaluar shpejt nga varshmëria prej Rusisë në alternativa të tjera.
3.
Pjesa më interesante tash del të jetë debati për alternativa. Mendimi konvencional, hiç më larg se para një viti, ishte se duhet kaluar në burime të ripërtëritshme, por duke pasur një transicion me shfrytëzim gazi, qoftë atij që mund të vijë nga Norvegjia, Azerbajxhani e Katari, qoftë atij të lëngshëm (LNG) që do të vinte nga Amerika. Bile, kur u pyeta publikisht rreth kësaj çështjeje u shpreha se Kosova nuk duhet të përzgjedhë burimin - le t’i marrë të gjitha hyrjet ngado që vijnë, diçka si ofertuesit e rrjeteve të internetit.
Julian Popov, një ekspert i njohur evropian nga Bullgaria, ofroi një vizion krejt tjetër. Bullgarisë sapo i ishte ndërprerë gazi rus, dhe në një konferencë të Këshillit Evropian për Politikë të Jashtme (ECFR) ku merrnim pjesë të dy, ai u shpreh me qetësi se ky ishte një moment bekimi të maskuar. Bullgaria nuk kishte pse të kërkonte alternativa të tjera gazi, por duhej të orientohej kah energjia e ripërtëritshme. Sipas tij, vendi kishte kapacitete prej 1GWh energjie diellore dhe që tani kishte aplikim për licencim të 20 GWh orëve të tjera diellore e 4GWh turbinash ere. Së bashku, energjia e ripërtëritshme, që mund të ishte funksionale brenda dhjetëvjetëshit do të mbulonte të gjitha nevojat e Bullgarisë e të linte sasi të konsiderueshme edhe për eksport.
Porosia e tij, që jehoi në veshët e mi, qe se nuk duhet investuar në gaz si transicion. Me përjashtim të Serbisë, thoshte ai, nuk ka vend në Ballkan Perëndimor, që ka sistemi degëzimi për përdorim të gazit. Pra mund të sjellësh në vend - ky nuk është problem tash me furnizim nga Azerbajxhani apo ai LNG nga porti i Aleksandropulit - por problem është çka të bësh pastaj me të.
Në vend të kërkimi të një shkalle të ndërmjetme, pra të futjes së gazit, janë së paku tri gjëra që mund të ndihmojnë në transicion. Një, efiçenca e shfrytëzimit të energjisë elektrike, fushë me të cilën Evropa parashihet të zbresë konsumin e vet të rrymës për 20 për qind brenda dhjetëvjetëshit. Dy, bashkimi i tregjeve energjetike evropiane dhe të Ballkanit perëndimor, me ç’gjë bëhet më i lehtë tregtimi i energjisë, posaçërisht asaj nga burimet e përtëritshme. Dhe tre, profitizimi i energjisë së ripërtëritshme: sot është më lirë të investohet në energji solare sesa në gaz.
4.
Mozaiku energjetik i Kosovës ka qëlluar të jetë në momentin e duhur, dhe po kompozohet me shpejtësi. MCC, korporata amerikane e Mileniumit, pak a shumë vizatoi ardhmërinë e zhvillimit energjetik, me investim në sistem ruajtje të energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Një park i madh baterish do ta ruajnë dhe vënë në dispozicion tregu energjinë që e mbledhin parqet e energjisë diellore.
Nga ana tjetër, agjenda e gjelbër evropiane e ka degën e vet në Ballkan Perëndimor. Kosova ka mundësi ta integrojë politikën e vet energjetike me shpejtësi dhe me përkrahje të fondeve evropiane.
Në këtë mozaik tashmë mbetet i qartë roli i thëngjillit. Ai do të jetë detyrimisht i pranishëm si transicion drejt një ardhmërie ku shumica dërmuese e energjisë elektrike të cilën e konsumojmë duhet të jetë nga burime të ripërtëritshme.
Ajo që mbetet e paqartë është se sa do të zgjatë transicioni.