OpEd

Trendet negative dhe pozitive që solli pandemia

Shikuar në tërësi, pandemia ka shkaktuar shumë më shumë dëme ekonomike e sociale se sa që ka sjellë të mira. Por, institucionet publike duhet të shikojnë mundësi se si të vazhdohen trendet pozitive të vendosura në pandemi. Dy nga to janë: ndalja e trendit të emigracionit dhe formalizimi i ekonomisë.

Viti 2020 ishte vit i vështirë në shumë aspekte. Për shkak të pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës pësoi rënie të madhe dhe kishte rënien më të madhe që nga paslufta. Pavarësisht asaj se përqindja e papunësisë mbeti thuajse e njëjtë, numri i vendeve të punës u zvogëlua për më shumë se 16 mijë vende. Edhe numri i vdekjeve u rrit dukshëm, ku në vitin 2020 u regjistruan mbi 3.500 vdekje më shumë se sa në vitin paraprak.

Numri i familjeve në skemat sociale u rrit për një mijë familje më shumë se sa në vitin 2019, kurse të hyrat qeveritare shënuan rënie për herë të parë në 13 vjetët e fundit. Vendet e punës u humbën kryesisht në sektorin privat, kurse sektori publik mbeti thuajse i paprekur, ani pse një numër i madh i shërbyesve publikë u klasifikuan si punëtorë joesencial dhe thuajse pushuan gjatë tërë pandemisë.

Paga mesatare në nivel vendi shënoi rënie për 14 euro në vitin 2020 (nga 430 euro sa ishte në vitin 2019 në 416 euro në vitin 2020). Por, kjo ndodhi vetëm në sektorin privat, ngase në sektorin publik ndodhi e kundërta: pagat neto mesatare u rritën nga 519 euro sa ishin në vitin 2019, në 552 euro në vitin 2020. Edhe në vit pandemie, sektori publik nuk tregoi aspak mëshirë ndaj sektorit privat. Sektori privat, edhe pse me kufizime të shumta, vazhdoi t’i paguajë taksat dhe tatimet për të ushqyer mbi 83 mijë të punësuarit në sektorin publik, plus me paga më të larta se në sektorin privat.

Por, efektet anësore të pandemisë nuk ishin të gjitha negative. Në disa aspekte, pandemia ndali trendin negativ të rënies afatgjatë. Për herë të parë në shumë vite trendi i lindjeve ishte pozitiv. Në vitin 2020 kishte më shumë lindje të fëmijëve të gjallë në Kosovë se sa në vitin paraprak.

Përveç kësaj, pandemia ndali edhe trendin e emigracionit. Kjo vërehet edhe nga numri i lindjeve në vitin 2020, por edhe nga numri më i madh i nxënësve të regjistruar në vitin shkollor 2020/2021. Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë nuk ka trend negativ të nxënësve të regjistruar. Në vitin shkollor 2020/2021 u regjistruan 5.681 nxënës më shumë se sa në vitin shkollor 2019/2020.

Edhe në arsimin e lartë ka shumë më shumë studentë të regjistruar në vitin shkollor 2020/2021 se sa në vitin shkollor paraprak (mbi 21 mijë studentë më shumë). Kjo rritje ka mundur të vijë për dy arsye: e para, pamundësia e të rinjve për të emigruar gjatë kësaj kohe për shkak të mbylljes së kufijve dhe shërbimeve konsullore; dhe e dyta, për shkak se shumë universitete vazhdojnë mësimin në distancë dhe studentët kanë vendosur që të regjistrohen në universitete vendore në vend se të regjistrohen në universitete të huaja dhe t’i mbajnë ligjëratat në distancë.

Gjatë vitit 2020 diaspora vizitoi më pak Kosovën dhe këtë e tregojnë edhe statistikat e fluturimeve dhe policave të sigurimeve të lëshuara në kufi. Në vitin 2020 kishte 4,236 fluturime, një rënie prej 51% në krahasim me vitin 2019. Kurse, në periudhën janar-gusht të vitit 2020 u shitën vetëm 113 mijë polica të sigurimit në kufi, një rënie prej 63% në krahasim me vitin paraprak. Por, gjatë pandemisë diaspora dërgoi shifra rekord të remitencave. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, më 2020 diaspora dërgoi më shumë se 980 milionë euro, apo rreth 130 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak.

Gjatë pandemisë, eksportet shënuan rritje në 474.8 milionë euro në vitin 2020, nga 383.5 milionë euro sa ishin në vitin 2019. Kurse, importet shënuan rënie dhe në vitin 2020 u importuan mallra për 200 milionë euro më pak.

Ajo çfarë është më befasuese është se gjatë pandemisë ka rritje të numrit total të bizneseve të regjistruara e që janë aktive. Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në vitin 2020 numri i bizneseve aktive në Kosovë u rrit për 1.467 biznese në krahasim me vitin 2019. Një arsye për këtë mund të jenë edhe incentivat qeveritare për formalizimin e bizneseve, me qëllim të përfitimin nga masat e ndryshme qeveritare.

Natyrisht, shikuar në tërësi, pandemia ka shkaktuar shumë më shumë dëme ekonomike e sociale sesa që ka sjellë të mira. Por, institucionet publike duhet të shikojnë mundësi se si të vazhdohen trendet pozitive të vendosura në pandemi. Dy nga to janë: ndalja e trendit të emigracionit dhe formalizimi i ekonomisë.

Që nga shpallja e pavarësisë, rreth 15% e popullsisë së Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Ata që largohen janë kryesisht personat e aftë për punë. Dhe nëse nuk ndalet ky trend, Kosova rrezikon që të pësojë më shumë dëme ekonomike nga largimi i popullsisë së aftë për punë se sa përfitime financiare nga remitencat. Njësoj, ekonomia joformale vazhdon të mbetet në trende të larta, apo mbi 30% e ekonomisë ose rreth 2 miliardë euro mbesin ende jashtë formalizimit. Incentivat qeveritare mund të ndikojnë që shumë biznese të formalizohen.