OpEd

Transformimi i dyfishtë

Lufta në Ukrainë dhe kërcënimi i katastrofës klimatike kanë bërë që qeveritë perëndimore t’i përqafojnë politikat industriale për herë të parë në dekada. Edhe në mesin e ekonomistëve të zakonshëm, ka njohje në rritje se shteti ka rol vendimtar për të luajtur në sigurimin e tranzicionit neto-zero përmes politikave që subvencionojnë, ndër të tjera, prodhimin e çipave dhe prodhimin e baterive.

Ekonomitë e përparuara të botës janë në mes të transformimeve të dyfishta strukturore që do të ndryshojnë çdo aspekt të jetës sonë, prej mënyrës se si punojmë dhe bëjmë biznes, deri te mënyra se si i rregullojmë tregjet.

Më i dalluari nga këto transformime është digjitalizimi, i cili ka qenë kaq i kudondodhur gjatë 25 vjetëve të fundit, saqë referimi ndaj “ekonomisë digjitale” sot tingëllon po aq i çuditshëm sa të flasim për “ekonominë e energjisë elektrike”. Për të qenë të sigurt, ndryshimi digjital nuk është i plotë. Për shembull, relativisht pak kompani përdorin aktualisht teknologji të fundit të inteligjencës artificiale. Mirëpo miliarda njerëz në mbarë botën përdorin tashmë mjete të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, siç janë robotët për biseda dhe përkthim në internet.

Transformimi tjetër është kalimi në ekonomi neutrale ndaj karbonit, e cila do t’i përmbysë industritë e energjisë, ndërtimit, transportit dhe prodhimit, si dhe shumë sektorë të tjerë. Rënia e çmimeve të burimeve të rinovueshme, tashmë më e shpejtë se rënia e çmimeve të kompjuterëve në dekadat e mëparshme, është tregues i fortë se ky kalim është duke u zhvilluar mirë. Me energjinë e rinovueshme tani dukshëm më të lirë se energjia e karburanteve fosile, dekarbonizimi është duke u përshpejtuar.

Këto ndryshime teknologjike ngrenë shumë pyetje politikash, veçanërisht në lidhje me zbatimin e antitrustit. Për katër dekada, pikëpamja mbizotëruese midis ekonomistëve ka qenë se rolet e sektorit privat dhe publik mund të përcaktohen qartë. Shteti, sipas këtij këndvështrimi, vendos kuadrin ligjor, ndërton infrastrukturën dhe financon kërkimin bazë, teksa sektori privat rinovon dhe krijon pasuri. Parim thelbësor i kësaj qasjeje, i manifestuar në valën e privatizimit të viteve 1980, ishte supozimi se shteti duhet t’ua linte inovatorëve individualë, bizneseve dhe konsumatorëve që të vendosin se si duhet të duket e ardhmja.

Mirëpo bota ka ndryshuar që nga vitet ‘80. Lufta në Ukrainë dhe kërcënimi i katastrofës klimatike kanë bërë që qeveritë perëndimore t’i përqafojnë politikat industriale për herë të parë në dekada. Edhe në mesin e ekonomistëve të zakonshëm, ka njohje në rritje se shteti ka rol vendimtar për të luajtur në sigurimin e tranzicionit neto-zero përmes politikave që subvencionojnë, ndër të tjera, prodhimin e çipave dhe prodhimin e baterive.

Më pak vëmendje i është kushtuar implikimeve konkurruese të këtij tranzicioni. Një varg raportesh të publikuara nga agjencitë rregullatore në vitet e fundit – siç është raporti i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që unë si bashkautor dhe pjesë e një paneli ekspertësh të kryesuar nga Jason Furman – kanë treguar se kornizat ekzistuese të zbatimit të antitrustit nuk janë të pajisura mirë për të adresuar sfidat të paraqitura nga tregjet digjitale që i merr të gjitha. Ligjet e reja që rregullojnë platformat digjitale, siç është Akti i Tregjeve Digjitale të Bashkimit Evropian, janë rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj llogaritjeje, siç është ringjallja e lëvizjes antimonopol në Shtetet e Bashkuara.

Tranzicioni neto-zero do të nënvizojë implikimet radikale të politikës së konkurrencës të transformimit digjital, duke e bërë të pamundur që rregullatorët të vazhdojnë të funksionojnë siç kanë vepruar në dekadat e fundit. Ndarja e të dhënave është rast konkret. Politika e konkurrencës zakonisht kundërshton kompanitë që ndajnë informacionin me njëra-tjetrën – dhe për arsye të mirë. Por ndërprerjet e mëdha do t’i detyrojnë agjencitë e zbatimit të antitrustit të përshtaten. Gjatë pandemisë, për shembull, supermarketet kërkuan të pezullonin ligjet e konkurrencës për të siguruar që stoqet e kufizuara të mallrave thelbësore të mbeten të disponueshme.

Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet firmave është thelbësor për reduktimin e mbetjeve, rritjen e efikasitetit të energjisë në të gjithë zinxhirët e furnizimit, duke mundësuar adoptimin e automjeteve autonome dhe menaxhimin efikas të transportit dhe reduktimin e barrierave të hyrjes në tregjet digjitale. Në vitet e ardhshme do të jetë në dorën e autoriteteve të konkurrencës që të vendosin se cilat të dhëna mund të ndajnë kompanitë, cilat të dhëna duhet të ndajnë dhe si të monitorojnë pajtueshmërinë e tyre.

Rregullatorët duhet gjithashtu të thellojnë të kuptuarit e tyre se cilat teknologji duhet të ndahen gjerësisht për të mundësuar konkurrencën dhe për të përshpejtuar kalimin drejt një ekonomie neutrale ndaj karbonit. Disa standarde teknologjike të kaluara e kanë hequr atë në treg – beteja midis Betamax dhe VHS për epërsinë e videove shtëpiake në fillim të viteve 1980 vjen në mendje. Në raste të tjera, rregullatorët kanë vendosur standarde, duke i hapur rrugën shkallëzimit të shpejtë dhe reduktimeve të mëdha të kostove. Për shembull, përhapja e shpejtë e standardit celular GSM gjatë viteve 1990, i bëri telefonat celularë më të përballueshëm në vendet me të ardhura të ulëta.

Modeli i fundit është më i përshtatshëm për tranzicionin neto-zero. Por së pari, rregullatorët duhet të lëvizin nga filozofia e Shkollës së Chicagos që ka mbështetur politikat e konkurrencës dhe ofertës në mbarë botën që nga vitet 1980. Qasja e Chicagos supozon mungesën e ndryshimit rrënjësor strukturor. Tregjet supozohen të jenë dinamikë, por vetëm deri në një pikë. Një analizë që synon të kuptojë ndikimin e, të themi, rritjes së çmimeve 5-10 për qind në tregje të përcaktuara qartë është e padobishme kur çmimet e disa teknologjive bien dhe shfaqen tregje krejtësisht të reja. Është njësoj sikur të mbështetesh në hartat e vjetra në një terren që prej riformësimit nga tërmetet dhe vullkanet.

Me pak fjalë, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm kur peshojnë përfitimet strategjike të konkurrencës teknokratike dhe politikave industriale. Për të mundësuar tranzicionin neto-zero dhe për të nxitur një ekonomi digjitale dinamike dhe gjithëpërfshirëse, autoritetet e konkurrencës duhet të njohin shkallën e detyrës me të cilën përballen dhe të shkundin mënyrat e vjetruara të të menduarit – sa më shpejt, aq më mirë.

Diane Coyle, profesoreshë e politikave publike në Universitetin e Cambridget, është autore e librit të ri “Cogs and Monsters: What Economics Is, and What It Should Be” (Princeton University Press, 2021). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti