OpEd

Traktati i “Open Balkan” që do të pranohej nga Kosova

Qeveria e Kosovës duhet të propozojë një traktat të ”Open Balkan” në të cilin mund të anëtarësohet

Kosova ka refuzuar kategorisht që të jetë pjesë e “mini-shengenit ballkanik”, apo siç u njoh më vonë zyrtarisht si “Open Balkan”. Dhe me të drejtë: të gjitha qeveritë kanë vlerësuar se Kosova nuk mund të hyjë në një nismë ku nuk pranohet si shtet me të drejta të plota.

Por ky vendim ka bërë që presioni të bjerë te Kosova. Duke përfshirë edhe presionin që ka bërë dhe bën vazhdimisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Edhe pse pjesë e kësaj nisme nuk janë as Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, pre sioni i shteteve të rajonit dhe i bashkësisë ndërkombëtare është ushtruar më shumë ndaj Kosovës. Madje në Marrëveshjen e Uashingtonit në vitin 2020, njëra ndër pikat që i ishte imponuar palës kosovare ishte edhe anëtarësimi në nismën e “mini-shengenit”.

Por çfarë mund të bëjë Kosova që ta largojë këtë presion, të mos shihet si vend i cili pengon bashkëpunimin rajonal dhe ta kthejë presionin ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të “Open Balkan”? Thjesht, të propozojë një kartë themeluese apo një traktat për “Open Balkan” ku do të mund të përfshihej edhe Kosova. Një kartë e tillë apo dokument themelues ende nuk ekziston as mes tri shteteve që vetëm se janë pjesë e “Open Balkan” (Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut).

Traktati i “Open Balkan” do të duhej të përmbante këto pika, nëse shtetet e tjera dëshirojnë që ta përfshijnë edhe Kosovën në këtë nismë:

  • Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që përfshin Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, Republikën e Serbisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Malit të Zi, si dhe Republikën Federale të Bosnjë-Hercegovinës, themelojnë nismën integruese të “Open Balkan”;
  • Gjashtë vendet themeluese pajtohen që të njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe pajtohen që të bashkëpunojnë në thellimin e integrimit të të gjitha vendeve mes vete dhe integrimin e përbashkët në Bashkimin Evropian;
  • Parimet e katër lirive themelore të BE-së do të zbatohen edhe ndërmjet vendeve të “Open Balkan”, si: liria e lëvizjës së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve;
  • Vendet themeluese të “Open Balkan” dakordohen se do të njohin dokumentet zyrtare identifikuese që lëshohen nga institucionet shtetërore, origjinën e mallrave dhe dokumentet shoqëruese, diplomat që lëshohen nga institucionet arsimore dhe certifikatat aftësuese për tregun e punës;
  • Udhëheqja e “Open Balkan” do të jetë me rotacion mes vendeve çdo gjashtë muaj; takimet do të mbahen në kryeqytetet apo brenda territorit të vendit që udhëheq me “Open Balkan”;
  • Gjatë takimit të përfaqësuesve shtetërorë, në dokumentet themeluese dhe në të gjitha grupet punuese, shtetet themeluese përfaqësohen me emrin e tyre kushtetues dhe me simbolet shtetërore.

Edhe pse pa një dokument themelues të shkruar, shtetet nismëtare të “Open Balkan” kanë ndjekur një praktikë të tillë pune deri më tani, duke mbajtur takime herë në Shqipëri, herë në Maqedoni e Serbi; duke u përfaqësuar me flamuj shtetërorë dhe duke folur në gjuhët zyrtare të këtyre vendeve. Një praktikë e tillë do të duhej të ndiqej edhe me Kosovën.

Para disa muajsh, presidenti i Serbisë, duke komentuar mospjesëmarrjen e Kosovës në “Open Balkan”, deklaroi se nëse Kosovës i pengon pjesëmarrja me fusnotë, nuk do të kishte problem që edhe Serbisë t’i vendosej një fusnotë. Por kjo nuk është aspak e njëjtë dhe përfaqësim i barabartë mes shteteve. Kosovës i është vënë fusnota me insistim të Serbisë, me argumentin se Kosova nuk është shtet i pranuar ndërkombëtarisht. E vendosja e një fusnote për Serbinë nuk do të tregonte asgjë për statusin e saj ndërkombëtar. Njësoj, me anëtarësimin eventual të Kosovës në “Open Balkan”, shtetet nuk duhet që të largojnë të gjithë flamujt, ashtu siç bëhet shpesh në nisma të tjera ndërkombëtare kur merr pjesë edhe Kosova. Ngase kjo nuk do të ishte trajtim i barabartë, por një kamuflim që shtetet e tjera ia bëjnë refuzimit të simboleve të Kosovës.

A do të pranonte Serbia një traktat të tillë për “Open Balkan” ku të gjashtë shtetet e Balkanit Perëndimor përfaqësohen si të barabarta? Vështirë e besueshme. A do të pranonte Edi Rama një traktat të tillë? Dua të besoj se po. Nëse të gjitha shtetet e tjera, përveç Serbisë dhe Bosnjës, e pranojnë këtë traktat, atëherë ato që do të duhej të mbeteshin jashtë “Open Balkan” janë Serbia dhe Bosnja, dhe jo Kosova.