Siç e dimë prej kohësh, as nuk jemi qendra e botës e as nuk sillet ajo rreth nesh. Krejt këto punë janë tonat – është dashur të kishim mësuar tashmë. Porse e kaluam jetën duke u shtyrë me njëri-tjetrin në kërkim të pushtetit, duke pretenduar se ne të gjitha i dimë, por që megjithatë, nuk mund ta nxjerrim macen prej përsheshit. E besoj se në këtë çast më shumë se kurrë duhet të flasim me një zë dhe të heqim dorë më nga gara për të dëshmuar se kush është më proamerikan apo properëndimor. Duhet të jemi absolutisht më pro-Kosovë. Kaq
Parafushata po vlon dhe s’ka kush e fut në rend këtë zhvendosje të vëmendjes tash, për shkak se nuk ekzistojnë dispozita ligjore që e ndalojnë atë. Fundja, edhe ta kishin ndaluar, nuk e besoj se kush do të lodhej ta respektonte ndalesën. Pushteti është tepër i ëmbël me gjasë dhe fuqia që ta jep duket se është e pamatshme... pra pse të mos organizohen tubimet “parapërgatitore”, meqë asgjë tjetër nuk duket të jetë me rëndësi tash.
Pra, vizitat në diasporë, në bastionet partiake, postimet e panumërta në rrjete sociale – krejt tash këto janë aktualiteti i Kosovës. Rrugës mbase miratohet edhe buxheti për vitin e ardhshëm që do të jetë po aq shpenzues sa ky i sivjetmi – në kuptimin e rritjes së pagave të sektorit publik. Për pushtetin, ky është buxheti më i madh në histori, për opozitën ky është buxheti i përkohshëm – për shkak se krejt synojnë që qysh në muajin e parë të ardhjes në pushtet, t’i rrisin rrogat. Të sektorit publik, dihet. Me paratë që i mbledh sektori privat. Sa komode.
Ndërkohë, ajo e cila nuk duhet të përfshihet në fushatë, për shkak se atë ia ndalon Kushtetuta, merret me takime dhe udhëtime. Kryetarja vazhdon të paraqitet në secilin forum ndërkombëtar ku ftohet, që duhet të jetë punë e mirë për shkak të rrjetëzimit dhe kontakteve. Por, megjithatë, kanë qenë thuajse katër vjet shterpe që nuk kanë sjellë asnjë njohje. Si përgjegjëse e politikës së jashtme, mban përgjegjësinë kryesore.
* * *
Dje u prononcua. Tha se besonte që Kosova mund ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
E potencoi se ishte mendim vetëm i saji, të cilin nuk e di po qe se e ka folur a koordinuar me krerët e institucioneve të tjera të Kosovës.
Se përse pikërisht tash zgjodhi ta jepte këtë deklaratë – pas zgjedhjeve amerikane – vetëm mund ta supozoj. Por, sinqerisht, nuk jam fort e bindur se ka bërë mirë. Sepse tash edhe publikisht, pak a shumë e ka thënë se “ne mundemi ta zbatojmë marrëveshjen, por ja nuk duam” – duke i dhënë brumë Vuçiqit dhe të ngjashmëve t’i kapen për fjalë.
Nejse, për ta argumentuar idenë, e formuloi kësisoj: “Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”.
Miqtë përtej Atlantikut janë të zënë me pranim-dorëzimin e pushtetit dhe krijimin e qeverisë së re; këta në Evropë janë të zënë me kriza qeverisëse, me frika nga futja e tagrave doganore amerikane ndaj produkteve të tyre, me planifikimin e investimeve të ardhshme në ushtri dhe nga vërshimet e shkaktuara nga ngrohja globale...
Përkrahje ndërkombëtare e kërkuar na mban edhe një vit e gjysmë më vonë me sanksione evropiane; garancia e sigurisë do të varet shumë nga financimi i NATO-s tash e mbas, kurse njohjet dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare po na kthejnë në pikën zero ku ishim, kur e shpallëm pavarësinë: që miqtë e fuqishëm të na i siguronin ato.
Pra, siç e dimë prej kohësh, as nuk jemi qendra e botës e as nuk sillet bota rreth nesh. Krejt këto punë janë tonat – është dashur të kishim mësuar tashmë. Porse e kaluam jetën duke u shtyrë me njëri-tjetrin në kërkim të pushtetit, duke pretenduar se ne të gjitha i dimë, por që megjithatë, nuk mund ta nxjerrim macen prej përsheshit.
E besoj se në këtë çast më shumë se kurrë duhet të flasim me një zë dhe të heqim dorë më nga gara për të dëshmuar se kush është më proamerikan apo properëndimor. Duhet të jemi absolutisht më pro-Kosovë. Kaq.
* * *
E se kjo atmosferë e parafushatës na i ka marrë mendtë, e dëshmoi edhe një rast tepër i rëndë që ndodhi në Ferizaj nga fillimi i javës së shkuar.
Një burrë, i porsadalë nga burgu, e që kishte qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij me 15 vjet burgim, sipas Prokurorisë së Ferizajt, mori një thikë kuzhine me mbishkrim “Berlinger House” me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, dhe i sulmoi katër kalimtarë në tri rrugë të ndryshme të Ferizajt. Ndër viktimat, ishte edhe një vajzë 10-vjeçare.
Pa dyshim, duhet të jetë përbindësh e jo njeri, dikush që e sulmon me thikë një fëmijë. E në rastin edhe të këtij përbindëshi, del të jetë edhe racist: katër nga viktimat e therura janë të përkatësisë së komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
Sipas Prokurorisë, modus-operandi i sulmuesit ishte i njëjti: fillimisht do ta sulmonte viktimën e parë, teksa po hynte në kafehane, duke e goditur në kokë, fyt e fytyrë; të dytin në rrugë, teksa ecte, e godet nga pas në shpatulla dhe më fund, dy vajza të mitura, të cilat gjithashtu i sulmon nga pas duke i goditur në shpatulla.
Vajza 10-vjeçare u bart me urgjencë në QKUK, ngase dyshohej se thika ia kishte dëmtuar njërën mushkëri. Pra, u soll në gjendje të rëndë.
Në spital u gjetën ministrat e Shëndetësisë dhe të Punëve të Brendshme – Vitia tregoi se intervenimi i shpejtë e kishte shpëtuar jetën e vajzës, kurse pritej se mbase i plagosuri tjetër do t’i nënshtrohej operacionit për shkak se ishte në gjendje të rëndë. Sveçla e përgëzoi Policinë për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e sulmuesit.
Këto deklarata u dhanë të hënën mbrëma, dhe që nga ajo natë më nuk u fol për temën.
Nuk u dëgjua asnjë deklaratë e asnjërit zyrtar të lartë shtetëror që do ta dënonte sulmin racist a fashist, cilësojeni si të doni, nga një recidivist, i cili pas gjithë atyre vjetëve të kaluar në burg, nuk është risocializuar, por përkundrazi, ka dalë i gatshëm për të vazhduar me jetën e krimit.
Do të mund të thuhej se ky është rast i izoluar, por kjo nuk është arsye që ai të mos dënohej. Në veçanti kur mes viktimave gjendet edhe një fëmijë i moshës 10-vjeçare. E për të reaguar e dënuar nuk ka nevojë as të jesh proamerikan e as properëndimor.
* * *
Po më duken tepër të gjatë këta dy muaj e gjysmë që do të na çojnë deri në zgjedhje. Nuk e di, sinqerisht, nëse do të kem nerva t’ua dëgjoj premtimet, të sharat, “kunxhat”, piskamat, filozofitë të gjithë atyre që do të synojnë ta zënë një vend në Kuvend.
Për të gjithë ata, puna e zgjedhjes do të jetë punë jetike. Për ne, shpëtimi me mendje të shëndoshë, do të jetë punë mbijetese.