Nuk duhet të çuditemi se përse po tkurremi me numra. Mjaftojnë të shikohen temat me të cilat merremi ditë pas dite e javë pas jave. Janë thuajse të njëjtat, me vite e vite... të mjaftueshme për të na e mbushur kupën. Dhe jo gjithkush e ka durimin e njëllojtë
Dolën edhe shënimet preliminare të regjistrimit të popullsisë të mbajtur këtë vit. Në fund, projektohet se jemi diku rreth 1.6 milionë banorë rezidentë (po them projektohet, ngase serbët në veri kryesisht e kanë bojkotuar atë, pra shifra e kësaj përkatësie etnike është nxjerrë me kalkulime përkatëse statistikore).
Ndërkohë KQZ-ja e bëri publik numrin e votuesve dhe sërish, sepse tashmë jemi mësuar me këso anomalie, numri i votuesve është më i madh sesa popullsia rezidente (i kalon 2 milionë votues).
Pra, lajmi i mirë është se gjithsesi jemi mbi 2 milionë kosovarë, porse lajmi mbase jo fort i mirë është se mbase gjysmën e popullsisë e kemi jashtë vendit. Apo mbase edhe është lajm i mirë, nëse për asgjë tjetër, për peshën e remitencave që vijnë nga jashtë.
Ajo që regjistrimi i popullatës ka treguar është se rreth 422 mijë banorë janë nën moshën 17 vjeç (pra nuk mund të votojnë) dhe 1.2 milionë janë të moshës madhore. Kjo do të thotë se jashtë shtetit i kemi rreth 870 mijë njerëz me të drejtë vote – shumë afër gjysmës së trupit elektoral.
Shpesh është folur dhe janë ngre dilema nëse shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të duhej të votonin. Unë e besoj se po, gjithsesi në zgjedhjet e përgjithshme. Por në ato lokale, sinqerisht kam dilema – ata megjithatë jetojnë jashtë vendbanimeve të tyre burimore pjesën më të madhe të vitit dhe nuk ballafaqohen me problemet komunale sikur ne të tjerët që jetojmë këtu. Por, deri në ndryshimin eventual të ligjit kjo e drejtë do të qëndrojë.
* * *
Nga ana tjetër, regjistrimi i nxori edhe tri shënime që do t’i veçoja: nataliteti ka rënë nën 30 mijë lindje në Kosovë dhe popullata po plaket (mosha mesatare nga 30 ka shkuar në 35 vjet); për herë të parë zonat urbane kanë më shumë popullsi sesa ato rurale (më 2011 në zonat urbane kanë jetuar 38% e popullsisë, kurse tash 50.18%) dhe që shkalla e analfabetizmit është zvogëluar në 30 mijë, apo 2.27%, e prej këtyre 30 mijë analfabetësh, diku rreth 22 mijë janë vajza/gra. Ka rritje te numri i atyre që kanë diploma fakultetesh – por, për fat të keq, ky regjistrim nuk mund të reflektojë edhe cilësinë e nxënies.
Sido që të jetë, mirë është që regjistrimi më në fund u krye – pas shumë peripecish. Do të jetë interesante të përcillen trendët periodikë që do t’i realizojë ASK-ja, për të vërejtur dallime, ndryshime, përmirësime a përkeqësime. Statistikat do të duhej të ndihmonin në krijimin e politikave të caktuara, nëse lexohen si duhen.
* * *
Në këtë fazë të parazgjedhjeve, tash aktorja kryesore nga e cila do të dëgjojmë për çdo ditë nga pak është KQZ-ja.
Pardje na informuan se asnjëri nga 1.280 kandidatët që u përkasin 28 subjekteve politike nuk ka problem me ligjin apo, thënë më saktësisht, nuk ka pasur problem me ligjin në tre vjetët e fundit. Certifikimi i partive dhe i kandidatëve do të vijojë deri në ditën kur do të hidhet shorti, që planifikohet të ndodhë më 7 janar, apo katër ditë para nisjes zyrtare të fushatës.
Partitë qysh moti kanë nisur me fushatën, posaçërisht në rrjete sociale. Sipas shënimeve që i prodhon FB për reklamimin politik, FB-së i janë qasur më së shumti LDK-ja (me 32 mijë euro) dhe vetë Abdixhiku (me 9 mijë euro), si dhe Bedri Hamza i PDK-së (4 mijë euro). VV-ja e PDK-ja kanë sponsorizuar pak postime, kurse NISMA e AAK-ja thuajse asnjë. Duhet përcjellë tutje se si do të vijojnë punët në muajin e fushatës, nëse do të vazhdojnë të reklamohen nëpër rrjete apo mediume tradicionale.
Gjatë javës së shkuar zyrtarët e VV-së e shpërndanë një anketë që maste disponimin e qytetarëve për zgjedhje, me pyetje se kë do ta votonin më 9 shkurt. Sipas anketës së realizuar nga UBO, del se VV-ja prin me 47.1%; PDK-ja vijon me 19.5%, më pas LDK-ja me 17.7 % dhe AAK-ja me 6.5 %, si parti që e kalon pragun.
Natyrisht se publikimi i këtyre shënimeve ngjalli reagime nga të gjithë – eufori në anën e VV-së dhe kontestim me shifra nga ana e partive opozitare. Fundja ky është një hulumtim opinioni, i cili është realizuar ende pa u dëgjuar programet politike të partive në fushatë – që e besoj do të duhej të ishte përcaktuesi kryesor për t’ia dhënë votën një partie apo jo.
Por e mira është se këso sondazhesh nuk do të lejohen gjatë fushatës, edhe pse në shtetet me traditë më të gjatë demokratike sondazhet janë pjesë përbërëse e fushatës. Duket se ne ende nuk jemi pjekur mjaftueshëm.
* * *
Dhe derisa e gjithë vëmendja në Kosovë tash është kthyer nga zgjedhjet (e deshëm ose jo), në Hagë u shënuan zhvillime të reja që kanë shumë gjasa se do t’ua vështirësojmë mbrojtjen të katër të akuzuarve.
Për herë të parë u përmbyllën tri akuza me marrëveshje midis prokurorisë, të akuzuarve dhe gjykatës. Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari e pranuan se janë fajtorë për shkak se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala bashkë me Januzin dhe Bahtijarin e kishin kontaktuar një dëshmitar. E kishin vizituar në shtëpi dhe i kishin ofruar përfitime në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij. Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës. Gjykata nuk e bëri publike se për cilin dëshmitar bëhej fjalë e as në cilin rast ka dëshmuar ai.
Haxhi Shala do t’i mbajë tre vjet burgim (një tashmë e ka kaluar në paraburgim), Januzi dy apo dy vjet e gjysmë dhe Bahtijari me dy vjet (që të dy në paraburgim që nga tetori i 2023-tës). Mund të ndodhë që Bahtijari të lirohet më herët për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Tashmë në këtë gjykatë duket se ka më shumë raste të personave të gjykuar për frikësim dëshmitarësh dhe pengim në administrimin e drejtësisë sesa për kryerjen e pretenduar të krimeve të luftës.
Dhe ky është një fenomen jashtëzakonisht i pafavorshëm për të katër të akuzuarit kryesorë – fakti se janë dhënë udhëzime dhe se janë gjendur njerëz që do “të bisedojnë” e “do t’i marrin me të mirë” persona të caktuar që mund të flasin gjëra që nuk u përshtaten, tregon se megjithatë në gjithë këtë procedurë ka diçka që të akuzuarit fshehin.
Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, gjë të cilën natyrisht se do të duhej ta mbronin me argumente dhe me kundërpërgjigje ndaj dëshmitarëve, të cilët publiku kryesisht nuk i njeh, ngase në të shumtën janë të mbrojtur. Pra, të mbrojtur pikërisht nga treshet si të Shalës, për shkak se emrat e tyre kanë rrjedhur nga Haga.
Kjo edhe do të ketë qenë arsyeja kryesore se përse Thaçi është akuzuar për së dyti për pengim të administrimit të drejtësisë, pavarësisht insistimit të tij se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Sinqerisht, mbase edhe do të mund të spekulojë për motivimin politik po qe se prokuroria dhe trupi gjykues do të ishin përbërë nga profesionistë vendas. Por në Specialen që vetë Thaçi ka insistuar ta votonte dhe të cilën e ka kaluar me ligj me votat e partisë së vet politike, ka vetëm të huaj që interesin nuk e kanë te politika, por te zgjatja maratonike e gjykimeve që atyre u siguron punë të sigurt.
* * *
E kur jemi te prokuroria dhe pushteti, i fundit nga rastet e shpërfilljes së pushteteve është ai që Albin Kurti ia bën prokurorisë. Dje, për të dytën herë, është ftuar të dëshmojë si dëshmitar për një rast, i cili nuk është bërë publik, por që supozohet se lidhet me skandalin e rezervave shtetërore.
Herën e parë arsyetimi qe se ishte jashtë shtetit. Tash arsyetimi është se prokurorët mund të vijnë në zyrë tek ai për ta marrë në pyetje, për shkak se kjo nuk do të ishte hera e parë të jetë vepruar kështu me pararendësit e tij.
Edhe po të ishte hera e njëzetë që ndodh, Kurti do të duhej të paraqitej në prokurori sipas ftesës për shkak se e ka detyrim ta bëjë si çdo qytetar tjetër i Kosovës.
Tjetër do të ishte po qe se do të ishte i shtrirë në spital me “ndonjë problem akut në zemër”, siç ia kanë bërë jo pak herë të akuzuarit VIP në Kosovë. Porse të kërkosh trajtim special është shumë shpërfillëse dhe nuk e bën të dallohet nga “kolegët” dikur në pushtet.
* * *
Pra, edhe nuk duhet të çuditemi se përse po tkurremi me numra. Mjaftojnë të shikohen temat me të cilat merremi ditë pas dite e javë pas jave. Janë thuajse të njëjtat, me vite e vite... të mjaftueshme për të na e mbushur kupën. Dhe jo gjithkush e ka durimin e njëllojtë.