Nëse të gjitha vendet do t’i përcillnin rregullisht këta katër tregues, do të kishim një pamje shumë të ndryshme të performancës krahasuese ekonomike nga ajo që del nga matjet e thjeshtuara të GDP-së për frymë ose të përgjithshme. Kurse ndërgjegjësimi i publikut për këtë pikëpamje të rishikuar të realitetit mund ta mobilizojë fare mirë mbështetjen për politika të ndryshme themelore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar
Mexico City – Pavarësisht problemeve të njohura me përdorimin e produktit të brendshëm bruto si tregues i zhvillimit njerëzor, politikëbërësit në mbarë botën duket se janë ende të fiksuar pas tij. Qeveritë kërkojnë ta nxisin rritjen e GDP-së me të gjitha mjetet e mundshme, shpesh pavarësisht pasojave më të gjera për planetin. Fokusi aktual në rritjen tremujore reflekton një perspektivë veçanërisht të pashëndetshme, afatshkurtre. E megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe organizata të tjera shumëpalëshe i referohen GDP-së në të gjitha vlerësimet e performancës ekonomike dhe e bëjnë atë fokusin e vetëm të parashikimeve të tyre.
Mirëpo, koncepti i GDP-së është thellësisht i gabuar. Shifrat agregate, ose për frymë janë padyshim qorre ndaj shpërndarjes së të ardhurave dhe GDP-ja është gjithnjë e më e paaftë për të matur cilësinë e jetës dhe qëndrueshmërinë e ndonjë sistemi të veçantë të prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit.
Për më tepër, për shkak se GDP-ja në shumicën e vendeve përfshin vetëm transaksionet e tregut, ajo përjashton një sasi të konsiderueshme të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara për konsum personal ose familjar. Duke e bërë çmimin e tregut përcaktuesin kryesor të vlerës, pavarësisht nga vlera sociale e çdo aktiviteti, GDP-ja nënvlerëson masivisht ato që shumë njerëz i njohin tani si shërbime thelbësore që lidhen me ekonominë e kujdesit.
GDP-ja përkatësisht mbivlerëson aktivitetet, mallrat dhe shërbimet, që kanë çmime më të larta për shkak të strukturës oligopolistike të tregjeve – shërbimet financiare janë një shembull veçanërisht i dukshëm. Obsesioni pas rritjes ekonomike, i pavarur nga treguesit e tjerë të mirëqenies, çon në vlerësime problematike të performancës aktuale të ekonomive dhe në vendime e rezultate të dobëta të politikave.
Kjo është arsyeja pse tani ka më shumë diskutime brenda Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit të saj Statistikor rreth lëvizjes përtej GDP-së. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka theksuar në mënyrë të përsëritur se GDP-ja nuk është më mënyra e duhur për ta matur “pasurinë” dhe argumenton se: “është koha që kolektivisht të angazhohemi për matjet plotësuese”.
Kjo sfidë u mor nga Bordi Këshilltar i Nivelit të Lartë të OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, i cili kohët e fundit ka botuar një përmbledhje, që shqyrton gjashtë pyetje të rëndësishme për arritjen e një rimëkëmbjeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Një rekomandim i rëndësishëm përfshin sugjerimin e alternativave ndaj GDP-së që politikëbërësit kombëtarë dhe organizatat ndërkombëtare duhet t’i ndjekin rregullisht. Ideja është të sigurohet një panel kontrolli që kap disa nga variablat kyçe socio-ekonomike që politikëbërësit duhet t’i monitorojnë dhe që duhet t’i përdorin për të gjykuar performancën e tyre.
Cilat janë këto masa alternative? Njëra është treguese e tregut të punës: paga mesatare e shumëzuar me shkallën e punësimit. Paga mesatare është treguese më e mirë e kushteve me të cilat përballen shumica e punëtorëve, e cila mund të ndikohet tepër nga paga më e lartë në krye. Edhe shkalla e punësimit është treguese e dobishme, jo vetëm e gjendjes së kërkesës në tregun e punës, por edhe e shtrirjes së punës së papaguar që zakonisht kryhet kryesisht nga gratë.
Në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe, për shembull, vlerësimet e mia sugjerojnë se GDP-ja për frymë e ka tejkaluar në mënyrë dramatike treguesin e tregut të punës në periudhën nga viti 2009—2020, me një hendek në rritje midis të dyjave. Në Indi, të dy masat në fakt lëvizën në drejtime të ndryshme, me treguesin e tregut të punës në rënie edhe me rritjen e GDP-së për frymë.
Një tjetër metrikë alternative është përqindja e popullsisë, që mund ta përballojë një dietë ushqyese (sipas përkufizimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë). Ky tregues ka të ngjarë të bëhet edhe më i rëndësishëm ndërkohë që kriza globale e ushqimit përkeqësohet dhe nuk lëviz domosdoshmërisht në përputhje me varfërinë e të ardhurave. Në Indi, për shembull, 71% e popullsisë nuk mund të përballojë një dietë ushqyese, ndërsa vlerësimet zyrtare të qeverisë dhe Bankës Botërore për varfërinë variojnë nga 13% në 22%.
Masa e tretë është një treguese e përdorimit të kohës, e ndarë sipas gjinisë. Kjo është veçanërisht e dobishme për kapjen e rasteve të punës së kujdesit të papaguar, e cila ende kryhet kryesisht nga gratë. Kjo masë tregon shpërndarjen e kohës ndërmjet punës së paguar, punës së papaguar dhe kohës së lirë personale dhe asaj në marrëdhënie pune. Shumë vende tani ndërmarrin sondazhe të përdorimit të kohës. Këto duhet të kryhen në baza të rregullta kudo, me burimet e nevojshme financiare dhe teknike të ofruara për vendet që kanë nevojë për to.
Analiza e bazuar në gjininë e të dhënave të përdorimit të kohës është kritike për të kuptuar kushtet sociale dhe materiale të njerëzve. Ajo tregon shkallën, në të cilën njerëzit përjetojnë varfërinë e kohës, e cila është shumë më e përhapur mes grave dhe të varfërve. Treguesit e përdorimit të kohës tregojnë gjithashtu shkallën, në të cilën njerëzit ofrojnë punë të papaguar për shoqërinë, veçanërisht shërbimet e kujdesit që përndryshe nuk njihen dhe nuk vlerësohen.
Një treguese e katërt vendimtare, jetike në trajtimin e ndryshimeve të vazhdueshme klimatike dhe implikimeve të tij, janë emetimet e dyoksidit të karbonit për frymë. Teksa kjo metrikë nuk kap të gjitha efektet mjedisore të aktivitetit njerëzor, gjurmët e karbonit mund të përcillen nga afër treguesve të tjerë mjedisorë, duke përfshirë ata që matin ndotjen dhe varfërimin e natyrës.
Këtu, politikëbërësit duhet t’i kushtojnë vëmendje edhe drejtësisë së shpërndarjes. Raporti i 10% më të lartë të emetimeve të CO2 për frymë të popullsisë ndaj atyre të gjysmës së poshtme është rritur në shumicën e vendeve. Edhe më e habitshme, emetimet e CO2 për frymë të 1% më të pasur të popullsisë globale janë rritur në mënyrë dramatike dhe tani janë vendosur të jenë 30 herë më të larta se niveli i përputhshëm me kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 ° Celsius deri në vitin 2030.
Nëse të gjitha vendet do t’i përcillnin rregullisht këta katër tregues, do të kishim një pamje shumë të ndryshme të performancës krahasuese ekonomike nga ajo që del nga matjet e thjeshtuara të GDP-së për frymë ose të përgjithshme. Kurse ndërgjegjësimi i publikut për këtë pikëpamje të rishikuar të realitetit mund ta mobilizojë fare mirë mbështetjen për politika të ndryshme themelore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
(Autorja, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Masaçusetsit, Amherst, është anëtare e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, për multilateralizmin efektiv. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)