OpEd

Thirrje për unitet

Kjo thirrje për unitet nuk është vetëm një tërheqje e vërejtjes për udhëheqjen dhe opozitën tonë, por është gjithashtu një thirrje për të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u përgjigjen detyrave të tyre patriotike. Kosova po përballet me kërcënime reale, andaj duhet t’i shprehë ato në nivelin më të lartë të mundshëm: me vendosmëri dhe përkushtim, por mbi të gjitha - të bashkuar!

Agresiviteti dhe provokimet në rritje të udhëheqjes politike serbe, në veçanti të presidentit Aleksander Vuçiq, ndaj Kosovës dhe sovranitetit dhe pavarësisë së saj, janë shqetësuese dhe kërkojnë vëmendje të plotë të të gjithë spektrit politik kosovar, përfshirë partinë fituese VV dhe të gjitha partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, pjesa dërrmuese e spektrit politik serb, është e bashkuar dhe e vendosur për të gërryer themelet e pavarësisë dhe sovranitetit tonë.

Për një kohë të gjatë, në vazhdimësi, mediat serbe, të cilat kontrollohen nga presidenti Vuçiq, po vazhdojnë të përdorin një gjuhë që shpreh animozitet të thellë dhe ofendime të pareshtura ndaj Kosovës dhe popullatës së saj shqiptare. Javët e fundit këto veprime armiqësore janë bërë edhe më të shpeshta.

Forcat e armatosura serbe së fundmi kanë mbajtur stërvitje ushtarake afër kufirit me Kosovën duke demonstruar fuqinë e saj ushtarake me armë të blera nga aleati i saj Rusia.

Vetëm disa ditë më parë Vuçiq postoi në Instagram një hartë të Kosovës, të mbuluar me flamurin serb, duke pretenduar se Kosova është ende territor serb. Provokimet e ngjashme nga politikanët serbë nuk janë të reja dhe pritet që ato të intensifikohen dhe përshkallëzohen në të ardhmen.

Serbia, e mbështetur nga padroni i saj Rusia, po dërgon sinjale të qarta se nuk do të ngurrojë të zbatojë veprime edhe më armiqësore dhe përdorim të dhunës në Kosovë, për të mbrojtur pakicën e saj serbe në “provincën e saj jugore”.

Kosova nuk ka qenë në një situatë më delikate, që nga konflikti i vitit 1999 dhe është koha që pikërisht tani, pa asnjë vonesë, udhëheqja politike kosovare dhe në veçanti partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK të tregojnë mençuri politike, pjekuri dhe gatishmëri, për të mbrojtur interesin jetik të Kosovës dhe sovranitetin e saj të rrezikuar. Asnjë interes individual, grupor apo partiak nuk është mbi interesin jetik të Kosovës.

Mënyra e vetme për t’iu kundërvënë këtyre armiqësive dhe provokimeve serbe është krijimi i një fronti unik të përbërë nga partia fituese VV dhe partitë në opozitë, me një strategji të përbashkët dhe në koordinim me SHBA dhe BE. Duke marrë parasysh realitetin tonë politik aktual, është thelbësore të mos lejojmë rrethana që do të na çonin në zgjedhje të reja. Derisa votimi për Qeverinë e re në Kuvend është i pritshëm, rezultati i votimit të Vjosa Osmanit për presidente nuk

është i sigurt. Mosvotimi i Vjosa Osmanit për presidente në Kuvend na shpie në zgjedhje të reja, çka do të shkaktonte kthim prapa dhe humbje të kohës së çmuar. Vota e deputeteve të partive opozitare nuk nënkupton shprehje admirimi ndaj Vjosa Osmanit, por është një akt angazhimi për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe për të nderuar sakrificat e brezave të kaluar për jetësimin e saj. Për më tepër, ky akt do të shihet nga brezat e ardhshëm si një akt mençurie dhe guximi.

Cilat janë përparësitë nëse mbështeten Qeveria e re dhe Vjosa Osmani për presidente?

• Historia na mëson se kombet që manifestojnë nivel të lartë uniteti, janë më të vendosura për të mbrojtur pavarësinë dhe sovranitetin e tyre.

• Me vendosmëri për unitet të popullit të saj, Kosova i dërgon Serbisë një sinjal të qartë për qëndrimin e saj.

• Duke i bashkuar forcat e brendshme politike, Kosova u dërgon një mesazh inkurajues aleatëve të saj, SHBA dhe BE, për të mbështetur Kosovën në luftën e saj për mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit, që u bënë realitet falë angazhimit të tyre në të kaluarën.

Kjo thirrje për unitet nuk është vetëm një tërheqje e vërejtjes për udhëheqjen dhe opozitën tonë, por është gjithashtu një thirrje për të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u përgjigjen detyrave të tyre patriotike. Provokimet e fundit nga ushtria serbe dhe presidenti i saj janë mesazhe të fuqishme të demonstrimit të gatishmërisë dhe vendosmërisë së Serbisë për të përshkallëzuar presionin e tyre

mbi sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kosova po përballet me kërcënime reale, andaj duhet t’i shprehë ato në nivelin më të lartë të mundshëm: me vendosmëri dhe përkushtim, por mbi të gjitha - të bashkuar!

Autori është bashkëthemelues i Fondacionit UNË E DU KOSOVËN dhe themelues i Fondacionit BONEVET