Çfarë duhet të mendojnë qytetarët e Kosovës për miqtë ndërkombëtarë?
Qëkur Kosova u themelua si shtet sovran, politikanët ndërkombëtarë kurrë nuk janë lodhur duke bërë thirrje – si lutje të pandalura - që Kosova të angazhohet më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kundër nepotizmit. Kjo është një përmbajtje standarde në secilën nga fjalimet e tyre. Po ashtu, diçka që i është premtuar Kosovës vazhdimisht është se Kosova do ta marrë atë që i nevojitet hap pas hapi. Si gjithmonë, në fillim ka qenë premtimi i liberalizimit të vizave, e më vonë diçka tjetër. Nëse shikojmë këtë lojë vetëm gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, duhet të pranojmë se asgjë nuk ka ndodhur, gjithçka ka mbetur e njëjtë deri tani.
Marrëveshje të shpejta me njerëz të gabuar
Tani, për herë të parë në Kosovë kemi një qeveri e cila po përgatitet me besueshmëri për të ndjekur këshillat e mira të bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht për të luftuar korrupsionin dhe për ta kthyer shtetin përsëri në rrugë të drejtë. Pritet që të gjithë këshilltarët ndërkombëtarë të viteve të kaluara tani do ta mbështesin edhe këtë qeveri. Por në fakt, për momentin po dominon e kundërta! Disa përpiqen të bëjnë "marrëveshje" të kaluara nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike me ata që, të paktën pjesërisht, duhet të mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjendjen në të cilën gjendet aktualisht Kosova. Të tjerët akoma vrapojnë pas fjalëve tërheqëse dhe të mira. Në fund të fundit, Qeveria e re është lënë në mesin e një grumbulli gurësh. Por, kjo do të sjellë vetëm probleme të mëtejshme dhe sigurisht jo një zgjidhje të përhershme.
Me besimin po bëhen lojëra
Këtu njerëzit gjithnjë e më shumë po pyesin veten nëse e gjithë "ndihma" nga jashtë është më shumë një reflektim i interesit të tyre personal. Tani që kërkohet një ndihmë pa interes, ky egoizëm po bëhet më i dukshëm se kurrë. Por, njerëzit ende duan të besojnë se SHBA-ja është në anën e tyre, njerëzit ende duan të besojnë se Bashkimi Evropian me të vërtetë dëshiron integrimin e Ballkanit! Por trazirat e tanishme politike po e tronditin këtë besim në planin afatgjatë, sepse shumë do të humbasin edhe shpresën e fundit që kanë ndaj Qeverisë së re. Ata duhet të "mësojnë" se nuk është e qartë se interesat e tyre me të vërtetë luajnë një rol në politikën ndërkombëtare këshilluese. Dhe ato premtime nuk janë mbajtur asnjëherë. Të tjerët do të duhet të shpjegojnë se si duhet të funksionojë i shumëpërmenduri "ndërtimi i demokracisë".
(Frank Hantke është drejtor për Kosovë i Fondacionit gjerman, Friedrich Ebert Stiftung)