OpEd

Thaçi dhe PLAN-i i tij i fundit

Presidenti i Republikës së Kosovës postoi një cicërimë. Ju drejtua opinionit ndërkombëtar në gjuhën angleze, duke i njoftuar ata për njërin ndër vendimet më të rëndësishme të marra gjatë mandatit të tij. Përveç kuriozitetit të platformës dhe gjuhës, është e paprecedent që paralajmërimi për një vendim kaq të rëndësishëm të bëhet për audiencën ndërkombëtare, të artikuluar në gjuhën që presidenti e flet dobët. Këto shkarje nuk janë aksidentale; por si simptoma, në instancë të fundit, janë të mbushura me kuptim, sikurse në psikoanalizë. Por, çfarë kuptimi? Simptoma nuk është në vetvete shprehja e kuptimit të përmbajtjes së saj, por ato janë gjurmë të pakuptimta, të cilat po të gjurmohen në të pavetëdijshmen dhe të kaluarën e subjektit, zbulohen dhe kuptimësohen. Ajo që u jep kuptim simptomave është analiza e cila e prodhon të vërtetën e tyre, sepse ato konstruktohen retroaktivisht, dhe në këtë kuptim korniza shënjuese iu jep atyre kuptimin dhe vendin. Përgjatë gjithë karrierës së tij,

Hashim Thaçi ekziston politikisht për tri arsye. Së pari, duke rrëmbyer projekte politike në të cilat ai ishte i huaj (lufta çlirimtare, deklarata e pavarësisë), pastaj duke krijuar urgjenca dhe probleme false (domosdoshmëria për një zgjidhje të menjëhershme me Serbinë), si dhe arsyeja e tretë ka të bëjë me negociatat, e cila është kupola e dy të parave. A mund madje vetëm të paramendohet politikisht Thaçi në një situatë e cila nuk ka nevojë për negociata?

Thaçi vazhdon tutje. Ai ka internalizuar premisën politike se fati i tij politik është reciprokisht edhe fati kolektiv i vendit. Ai ka nevojë ta pranojë këtë çarje dhe të veprojë në bazë të parimit që fati politik i politikanit Thaçi është i reduktueshëm dhe i takon vetëm brengës së personit Thaçi. Çarja ndërmjet idesë së tij për vetveten, dhe realitetit të tij, në rastin më të mirë është çështje interesante psikanalitike, por assesi brengë e kolektivitetit tonë politik.

Cicërima

Duke cicëruar cicërimën e tij sot, presidenti tha më shumë se ç’kishte dashur të thoshte. Meta-kuptimi i saj e formëson kuptimin e synuar. Ai ishte konciz, dhe tha se këtë javë do ndërmarrë hapa kushtetues për formimin e Qeverisë dhe për të luftuar COVID-19. Ndërsa Grenell shërbeu si intervenimi i së vërtetës për të: e plotësoi duke shtuar se dialogu me Serbinë do të jetë me intensitet të shtuar.

Presidenti i koalicionit politik PLAN, Thaçi kështu deklaroi të vërtetën e rrëzimit të Qeverisë Kurti. Formimi i një qeverie nga koalicioni PLAN, për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, është vërteta e kalimit të mocionit të mosbesimit muajin e shkuar. Nuk ka se si ndryshe të shpjegohet, e as të kuptohet ky nxitim antikushtetues i presidentit të PLAN-it. Ai dhe partitë e koalicionit e dinë se përkrahja popullore për ta është në nivelet më të ulëta ndonjëherë. Kjo është njëra ndër arsyet që i bashkoi – përsëri – partitë e koalicionit PLAN në betejën e tyre të radhës (dhe, me shumë mundësi të fundit) kundër qeverisë në detyrë të Kurtit. Kjo është aventurë e paprecedentë politike, që për qëllim ka krijimin e një qeverie antikushtetuese, për ta larguar vendin nga parimi i reciprocitetit me Serbinë, si parimi i vetëm i drejtësisë, barazisë e dinjitetit.

Na thuhet se e gjitha kjo bëhet në emër të demokracisë e kushtetutshmërisë, dhe e shpallin veten si gardianë heroikë të këtyre dy parimeve bazë të organizimit të sistemit politik e juridik të vendit. Por siç ndodh rëndom me llojin e tillë të këtyre mbrojtësve, ata janë në gjendje dhe janë të gatshëm ta shkelin edhe demokracinë, edhe kushtetutshmërinë, pikërisht në emër të parimit të respektimit dhe mbrojtjes së tyre.

Presidenti i koalicionit PLAN zgjodhi një datë historikë për të kumtuar një lajm tjetër historik. Më 19 prill të vitit 2013, në Bruksel ai nënshkroi marrëveshjen që ishte shumë e dëmshme për vendin. Me Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi e Daçiq vendosën parimet dhe fondamentin e asaj që me vonë do të quhej “Zajednica” (marrëveshja Mustafa me Vuçiqin në vitin 2015). Ndërsa sot ai sapo e shpalli edhe publikisht vullnetin dhe gatishmërinë për të shkuar tutje në shkatërrimin juridiko-politik të vendit. Në këto gjëra vetëm elementi i rastësisë mungon. Njëherë është si fatkeqësi, e pastaj shndërrohet në tragjedi. E presidenti i këtij koalicioni është epitomizimi politik i tragjedisë politike të vendit.

Kjo përpjekje e tyre veçse e rikonfirmon edhe një herë tezën se skena politike në Kosovë është e ndarë në dy kampe, në njërën anë, atë të Kurtit, dhe në tjetrën, në kampin e Thaçit. Opsioni i tretë nuk ekziston dhe në konjukturën aktuale as që do të ekzistojë.

Përshkimi i fantazisë

Këtë tezë e vërteton pozicioni i LDK-së, që është çudia politike e Kosovës. LDK ka pretendime të larta politike, morale e ideologjike për vetveten, por në të njëjtën kohë është partia që nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje që nga viti 2004. Për më tepër, është subjekti i vetëm politik në vend në të cilin e udhëheqin njerëzit që nuk marrin pjesë në zgjedhje; por kur kandidojnë për deputet, nuk marrin as për së afërti aq vota sa për t’u zgjedhur si të tillë.

Duhet thënë e përsëritur gjithnjë që LDK si parti e strukturë politike nuk është e kundërta apo negacion i PDK-së dhe e Thaçit. Pavarësisht individëve të veçantë, të cilët pavarësisht emrit dhe përkrahjes popullore të matura nëpërmjet votës, janë zëra dhe faktorë irelevantë dhe pa peshë politike përbrenda strukturave të saj. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u bë përkundër vullnetit të këtyre individëve.

Paradoksi me LDK-në qëndron në nivelin e argumenteve të tyre për qeverisje. Duke qenë se në nivelin zgjedhor përballen me disfata të njëpasnjëshme, dhe si duket, në zgjedhjet e ardhshme do të luftojnë për vendin e dytë, atëherë leva e vetme që iu mbetet është ajo morale. Thonë se janë parti institucionaliste, dhe partia më e vjetër në vend. Këto argumente janë morale, dhe si të tilla janë jashtë sferës së politikës. Politika është e kushtëzuar nga premisat etike, të cilat janë horizonti dhe njëkohësisht kushti i mundësisë së saj reale.

Horizonti është kufiri përtej të cilit nuk mund të arratisesh. Në nivelin hapësinor, ai është lakimi përtej të cilit as nuk mund të shkojmë, e as ta kalojmë. Ai është shënjuesi i limitit tonë hapësinor. Ai është dimensioni i domosdoshëm i aktualitetit tonë. Nëpërmjet horizontit ne orientohemi se ku jemi. Horizonti operativ politik i LDK-së është i kufizuar nga PDK. Ky horizont na shfaqet në kapacitetin e tij të plotë sot, sikurse në vitin 2014.

Shpëtimi i vetëm për LDK-në është përshkimi i fantazisë. Në psikoanalizë, fantazia është simptomë, dhe përshkimi i saj krijon hapësira çliruese. Ose alternativa ndaj saj është më e dhimbshme.

Frank Gehry është njëri ndër arkitektët më të rëndësishëm të epokës sonë. Punën e tij ai njëherë e quajti si “arkitekturë koprrace” – që është një diçka që asnjë vizitor nuk mund mos ta vërejë. Por kjo është në kundërshtim me materialet që ai përdor. Sidoqoftë, ajo që është interesante për punën e tij, siç edhe e kanë vërejtur disa kritikë, është madhështia e objekteve të tij, të cilat janë totalisht e kundërta me epokën e cila e ka deklaruar “vdekjen e subjektit.” Nëse e shohim Muzeun Guggenheim në Bilbao, nuk mund t’i shmangemi dyshimit se hapësira ekstravagante nuk ka për synim vetëm trullosjen e subjektit, por njëherësh, duke pretenduar se janë të hapura për njerëzit, ato krijojnë forma të reja të elitizmit. Ajo që ai e merr si paragon, për ne mund të jetë një ankth neo-Barok. Realiteti ynë me koalicionin PLAN do të ketë efektin e ankthit neo-Barokian.

Sentimentet “fisnike” të koalicionit PLAN janë veçse maska që mbulon krimin dhe korrupsionin si parakusht i domosdoshëm për ekzistencën e tyre politike. E ndaj këtyre, rezistenca nuk është vetëm e drejtë dhe mundësi, por është çështje e domosdoshmërisë urgjente. Maskat që ata i vendosin dhe i ndërrojnë varësisht prej situatës, do t’i bënin palaço, sikur të mos paraqitnin rrezik ekzistencial për vetë vendin. Rrjedhimisht fisnikëria e tyre është vetëm se lapërdhishmëri.

Nga këta minotaurë, që janë fatkeqësia politike, ekonomike e kulturore e këtij vendi, duhet çliruar sa më parë e sa më shpejtë.

(Autori është këshilltar politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Pikëpamjet në këtë tekst janë personale)