OpEd

Tetori 1988, kur populli bëri histori

Gjatë pesë ditëve, 17-22 tetor të vitit 1988, shqiptarët e Kosovës nisën një histori që do të përfundojë me çlirimin definitiv të vendit tonë nga Serbia dhe do të qojë deri te shtetbërja.

Ishte kohë e rëndë, me re të zeza mbi Kosovën dhe shqiptarët. Fushata politike e propagandistike nga Beogradi për shkeljen e pozitës kushtetuese të Kosovës dhe futjen e saj nën juridiksionin kushtetues-juridik të Serbisë kishte arritur kulmin.

Nismën për disa ndryshime të Kushtetutës Federale me synimin për t’u hapur rrugë reformave ekonomike, kreu politik i Serbisë e mori si shkas për të nisur fushatën për ndryshime të pozitës kushtetuese të dy krahinave dhe për futjen e tyre nën juridiksionin kushtetues të Serbisë.

Ne shqiptarët nën udhëheqësinë politike të Kosovës kundërshtonim synime të tilla. Por, Beogradi me mitingje përmbysi udhëheqësinë e Vojvodinës që po ashtu mbronte pozitën e vet kushtetuese, duke instaluar përkrahës të tij. 

Nga republikat e tjera askush nuk na mbështeti - nuk donin t’i prishnin raportet me Serbinë. Me shumicë të votave, në Kryesinë e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë e cila ishte vënë në përkrahje të Serbisë, na përmbysën ne në Kryesinë e LK-së të Kosovës që kundërshtonim presionet dhe synimet nga Serbia. Pas kësaj, u hap rruga drejt ndryshimeve kushtetuese që synonte Serbia. Shqiptarët, të vetëdijshëm për rrezikun e këtyre ndryshimeve, nga të gjitha qytetet e Kosovës u ngritën në protesta masive, të cilat ishin të qeta dhe nuk përbënin kërcënim për rendin dhe sigurinë publike. Shumica vinin më këmbë në Prishtinë. E të parët në mënyrë të organizuar u nisën minatorët e ‘’Trepçës’’. Protestuesit kishin kërkesa të qarta politike: Nuk pranojmë ndryshime kushtetuese të imponuara nga Beogradi; Për pozitën kushtetuese dhe fatin e Kosovës vendosin vetëm qytetarët e Kosovës; Për udhëheqësinë e Kosovës vendosin vetëm qytetarët e Kosovës.      

Sipas vlerësimeve të policisë gjatë atyre pesë ditëve, në protestat e organizuara anembanë Kosovës, e me epiqendër në Prishtinë, defiluan më se 270.000 (dyqind e shtatëdhjetë mijë) qytetarë.

Në Beograd, pushteti partiak e federativ mbetën të habitur, por edhe të shurdhër - sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk donin t’ia prishnin qejfin Serbisë. E kreu politik i Serbisë nxitoi me vlerësime, duke thënë se kjo është lëvizje armiqësore kundër Jugosllavisë. Me manipulime e presione nga Beogradi, udhëheqësia politike e Kosovës, që kishte përkrahje të popullit, u shty anash. Ndërsa, u avancuan me presionin nga Beogradi disa kolaboracionistë e karrieristë pa kurriz.

Protesta dhe rezistenca e qetë e gjithëshqiptare për momentin nuk dha rezultat. Por e rëndësishme është se ajo nuk u ndal.

Kur erdhi dita e ndryshimeve kushtetuese dhe Serbia me gëzim i fërkonte duart, shqiptarët sërish u ngritën në këmbë dhe organizuan protesta masive në fund të shkurtit 1989, ashtu si tre-katër muaj më parë dhe me të njëjtat kërkesa. Por reagimi i Beogradit tash ishte më i ashpër. Me kërkesën e Millosheviqit, i cili para një mitingu të madh në Beograd premtoi burgosje e represion, Kryesia e Jugosllavisë vendosi gjendje të shtetrrethimit në Kosovë, të shoqëruar me masa brutale represive. Kuvendi i Serbisë, më 28 prill 1989, edhe formalisht shkeli pozitën kushtetuese të dy krahinave.

Vendimi i Kryesisë të RSFJ për shpalljen e shtetrrethimit në Kosovë faktikisht ishte akt i fillimit të okupimit të Kosovës nga Serbia që zgjati deri në qershor 1999. Por rezistenca e shqiptarëve nuk u ndal. Policia e dërguar nga Beogradi vrau 23 shqiptarë, burgosi e keqtrajtoi qindra të tjerë. Mua më burgosën sipas premtimit që Millosheviqi dha në Beograd para 300.000 serbëve. Pas 14 muajve u lirova nga burgu në Mitrovicë, por jo nga burgu kolektiv në të cilin ishte futur Kosova nga regjimi serb dhe që zgjati edhe 9 vjet.

Por mua më mbante të fortë ndjenja e krenarisë që shqiptarët nuk u nënshtruan.

Mirë është të kujtohen ato ditë dhe vite të rënda, por të lavdishme. Rezistenca e popullit ia vlejti.