Për shkak se është e barabartë me zgjedhjen e një mbreti, votuesit francezë i duan zgjedhjet presidenciale. Ajo që do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk ka shumë rëndësi për ta. Por kjo ka rëndësi kushtetuese, sepse sistemi në thelbin e tij është parlamentar
U konsiderua si gjë e zakonshme. Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve presidenciale të Francës në muajin prill, votuesit do të zgjidhnin deputetë nga e njëjta parti si fituese në zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji. Por, duke privuar koalicionin qendror të presidentit Emmanuel Macron nga shumica absolute në Asamblenë Kombëtare, votuesit janë larguar nga skenari i zakonshëm dhe ia kanë paraqitur sistemit politik të Francës një sfidë të madhe.
Ani pse Kushtetuta përcakton se “Qeveria do të vendosë dhe do të udhëheqë politikën e kombit”, votuesit francezë shfaqin pak interes për zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare. Pjesëmarrja pritej të ishte jashtëzakonisht e ulët dhe kështu ndodhi: Jo më pak se 70% e votuesve të moshës 18-34 vjeç nuk votuan. Deri më tani ka qenë e parashikueshme.
Mirëpo rezultati i papritur i zgjedhjeve tregon se edhe sistemet politike shumë të qëndrueshme mund të arrijnë pikën e thyerjes. Zgjedhjet presidenciale shpërfaqën një vend të ndarë në tre blloqe me madhësi afërsisht të barabartë: e majta ekstreme, qendra jo shumë radikale dhe e djathta ekstreme. Udhëheqësi i ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, ishte mjaft i aftë për të arritur aleancë të pamundur dhe për të bërë fushatë nën sloganin “më zgjidhni kryeministër”. Dhe Macroni nuk humbi mundësinë për të treguar se sa i hutuar ishte (në masën që ai nuk arriti të tregonte se si do të dëshironte që votuesit të zgjidhnin midis së majtës ekstreme dhe së djathtës ekstreme). Ndoshta më e rëndësishmja, votuesit francezë janë thellësisht të pakënaqur.
Befasia më e madhe në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare nuk erdhi nga e majta, por nga e djathta ekstreme. Marine Le Pen, bajraktarja e këtij grupi, e cila humbi nga Macroni në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, pothuajse nuk u mundua për të bërë fushatë. Ajo i kishte vendosur vetes objektivin mesatarisht optimist për të fituar 15 vendet e nevojshme për të formuar grup parlamentar në asamblenë e re. Në këtë rast, ajo do të ketë 89 nga 577 vendet, nga vetëm tetë sa kishte më parë.
Ajo që ka ndodhur është një lloj Brexiti francez, që tregon zemërimin e votuesve dhe pason shumë shprehje të tjera të pakënaqësisë popullore gjatë dekadave të fundit. Këto përfshijnë protestat e jelekëverdhëve gjatë vitit 2018; Vlerësimi historikisht i ulët i përkrahjes së ish-presidentit François Hollande, gjë që e nxiti atë të mos kërkonte rikandidim në vitin 2017 dhe i hapi rrugën fitores së papritur të Macronit; 2013-14 bonnets rouges (kapakët e kuq), revoltë kundër taksës mbi transportin rrugor të mallrave; Refuzimi i votuesve për Kushtetutën evropiane të dizajnuar nga Franca në 2005; dhe dështimi i kryeministrit socialist, Lionel Jospin, për të kaluar në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2002.
Për këto shkaqe, ky rezultat i fundit nuk mund të injorohet. Sistemi politik i çuditshëm dhe pothuajse unik i Francës, i cili kombinon zgjedhjen e një monarku dhe një shumicë parlamentare, po shtyhet deri në limite. Vërtet, koalicioni i majtë i Mélenchon mund të shpërbëhet; anëtarët tashmë kanë filluar të debatojnë për qëndrimet parlamentare. Por ndryshimi më jetëgjatë ndoshta qëndron në rritjen më shumë se dhjetëfish të numrit të deputetëve të ekstremit të djathtë. Disa prej tyre do të jenë joefektivë. Por një numër mjaft i madh do të qëndrojë, do të mësojë dhe do të lërë gjurmë. Me të majtën dhe të djathtën ekstreme të përfaqësuar mirë në Parlament, tema politike e Francës ka ndryshuar në formë të pakthyeshme.
Implikimi i menjëhershëm është me gjasë paraliza politike në vendin e madh evropian në një kohë kur kontinenti po përballet me luftën, krizën energjetike, inflacionin e lartë dhe kërcënimin nga recesioni – për të mos folur për emergjencën klimatike. Tregjet që shpresonin për zgjedhje të qarta dhe jo për zvarritje patjetër që janë të pakënaqura. Rezultati nuk premton të mira për reformat ekonomike dhe financat publike.
Ama çështja reale me të cilën përballet Franca është shumë më e thellë: si do ta përballojë sistemi politik i vendit situatën e paparashikuar deri tani? Sido që t'i shikosh gjërat, është e vështirë të shmangësh përfundimin se Franca po shkon drejt bllokadës së gjatë politike. Paqartësia në rrënjët e regjimit kushtetues nuk mund të fshihet më.
Kjo paqartësi reflekton rolin e pasigurt të partive politike. Në vitin 1958, kur Charles de Gaulle krijoi Republikën e Pestë si regjim pothuajse presidencial mbi themelet e lëkundshme të mbizotërimit parlamentar, partitë kishin për qëllim kryesisht të kontribuonin në shprehjen e preferencave politike.
Por çdo ndryshim kushtetues, që atëherë e ka sjellë Francën më pranë sistemit të pastër presidencial. Pikat kryesore përfshijnë zgjedhjen e presidentit me votim të drejtpërdrejtë popullor pas referendumit të vitit 1962; eksperienca në vitin 1986 e të ashtuquajturës bashkëjetesë, kur presidenti i majtë qeveriste me kryeministrin nga e djathta; shkurtimi i mandatit të presidentit nga shtatë vjet në pesë në 2000; dhe kolapsi i partive politike tradicionale të Francës, si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë pas vitit 2017.
Për shkak se është e barabartë me zgjedhjen e një mbreti, votuesit francezë i duan zgjedhjet presidenciale. Ajo që do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk ka shumë rëndësi për ta. Por kjo ka rëndësi kushtetuese, sepse sistemi në thelbin e tij është parlamentar. Dhe partitë politike kanë rëndësi, përveç nëse presidenti ka fuqinë të heqë dorë nga ato. Siç kanë treguar tre periudha të mëparshme të bashkëjetesës, sistemi funksionon jashtëzakonisht mirë nëse presidenti dhe kryeministri u përkasin partive të ndryshme. Presidenti mund t’i përmbahet rolit të tij/saj kushtetues për të emëruar kryeministrin, të vendosë se kur do t’i shpallë zgjedhjet, të sigurojë udhëheqje ushtarake dhe të ketë zë në punët e jashtme. Të gjitha të tjerat janë detyra të kryeministrit.
Këtij peizazhi mund t'ia shtojmë krizën politike që i ka bërë votuesit francezë të distancohen nga ai që ata e quajnë “sistemi”. Si në shumë vende të tjera gjatë 40 vjetëve të fundit, një pjesë gjithnjë e më e madhe e votuesve të klasës punëtore dhe të mesme kanë abstenuar nga pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare. Prej vitesh kjo ka qenë problem për sociologët politikë. Tani ajo është bërë sfidë e madhe që asnjë parti nuk është në gjendje ta trajtojë në mënyrë efektive.
Në afat të shkurtër, aftësia e Macron për të qeverisur në mënyrë efektive është shumë e pasigurt. Por çështja shumë më shqetësuese është se sistemi politik i Francës ka arritur kufijtë e tij kushtetues.
(Jean Pisani-Ferry, bashkëpunëtor i lartë në institutin e mendimit Bruegel me bazë në Bruksel dhe anëtar i lartë jorezident në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, mban postin në Tommaso Padoa-Schioppa në Institutin Universitar Evropian. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore” Përktheu: Gent Mehmeti)