Ndonëse trendi i tanishëm i kërkesave për azil është larg prej të qenit çfarëdo lloj kërcënimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, vazhdimi i këtij trendi të rritjes do të ngritë pikëpyetje për kapacitetin e institucioneve të Kosovës për të marrë përsipër obligimet që rrjedhin nga liberalizmi i vizave
Liberalizimi i vizave ka qenë dhe është një nga instrumentet më të suksesshme të BE-së në rajonin tonë. Por jo vetëm në rajonin tonë. BE-ja ka liberalizuar vizat për plot 65 vendeve të botës. Liria e lëvizjes së njerëzve është sot themel për shkëmbimet kulturore, turistike, politike, afariste, akademike dhe sportive.
Sidoqoftë, në anën tjetër, BE-ja ka marrë hapa që të sigurohet se regjimi i liberalizimit të vizave te mos keqpërdoret dhe të mos shndërrohet në rrezik sigurie apo migrimi për vendet e BE-së. Instrumenti kryesor i BE-së në këtë drejtim është Mekanizmi për Pezullimin e Liberalizimit të Vizave. Mekanizmi vendos kriteret të cilat duhet respektuar nga të gjitha vendet përfituese të liberalizimit të vizave si dhe vendos hapat dhe procedurat, përmes të cilave institucionet e BE-së mund eventualisht të pezullojnë liberalizimin e vizave për një vend respektiv.
Me qëllim të monitorimit të përmbushjes së kritereve të liberalizimit të vizave Komisioni Evropian publikon raportin vjetor, i cili analizon progresin e vendeve respektive në përmbushjen e vazhdueshme të standardeve të BE-së në këto gjashtë fusha: (1) përafrimi i politikës së vizave, (2) siguria e dokumenteve, (3) menaxhimi i integruar i kufijve, menaxhimi i migrimit dhe azili, (4) monitorimi i trendeve të migrimit, mbrojtjes së përkohshme, aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare dhe ripranimit, (5) rendi publik dhe siguria, si dhe (6) të drejtat themelore.
Raporti për vitin 2024 u publikua para disa ditësh dhe është hera e parë që raporti përfshin edhe Kosovën. Raporti ka identifikuar disa rekomandime për Kosovën.
E para, në kuadër të liberalizimit të vizave, Kosova ka marrë përsipër që të përafrojë politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Në këtë drejtim, momentalisht Kosova ka hequr kërkesën për vizë për gjashtëmbëdhjetë shtete për të cilat BE-ja kërkon vizë. Ato janë: Bahreini, Belize, Eswatini, Fixhi, Guajana, Jordani, Kuvajti, Lesoto, Malavi, Maldive, Oman, Papua Guinea e Re, Katari, Sao Tome dhe Principe, Arabia Saudite dhe Turqia. Pra BE-ja kërkon nga Kosova që të përafrohet me politikën e vizave të BE-së dhe të vendosë regjim të vizave për këto gjashtëmbëdhjetë shtetet. Duke njohur faktin se kjo mund të jetë vështirë e realizueshme në një afat të shkurtër kohor, BE-ja minimalisht kërkon që në afat të shkurtër, Kosova të fillojë një monitorim më strikt të hyrjes së shtetasve që vijnë nga vendet që përbëjnë rrezik sigurie apo migrimi për BE-në.
E dyta, po vërehet një rritje e ndjeshme e kërkesave të pabazuara të qytetarëve të Kosovës për azil brenda vendeve të BE-së. Pra në shtatë muaj të parë të këtij viti, kemi 108% më shumë kërkesa të pabazuara në krahasim me shtatë muaj të parë të vitit të kaluar. Në këtë drejtim, BE-ja pret nga Kosova që të fillojë të marrë masa për të monitoruar trendet e migrimit të parregullt dhe azilit, si dhe të marrë masa parandaluese për të kontrolluar këtë trend.
Së treti, në kapitullin e të drejtave themelore raporti bën disa konstatime, të cilat prekin çështjet e ndjeshme politike. Për shembull, raporti vëren se Kosova ende nuk e ka miratuar Kodin Civil, gjë që do të avanconte mbrojtjen e të drejtave civile. Po ashtu, raporti kritikon veprimet e Qeverisë për shpronësimet në veri, ndalimin e dinarit dhe mbylljen e bankave dhe postës së Serbisë. Në po këtë frymë, raporti vëren se Ligji për Komisionin e Pavarur për Media u miratua në kundërshtim me rekomandimet e BE-së. Ndonëse këto konstatime nuk janë të formuluara në cilësinë e rekomandimeve formale, ato sidoqoftë nënvizojnë peshën e shqetësimit të BE-së lidhur me këto zhvillime.
Janë edhe disa rekomandime standarde burokratike për vazhdueshmërinë e zbatimit të kuadrit ligjor në fushat respektive, por thelbi kryesor i këtij raporti është se Kosova duhet të fillojë të marrë masa për të ulur numrin e kërkesave të pabazuara për azil brenda vendeve të BE-së. Trendi i tanishëm është larg prej të qenit çfarëdo lloj kërcënimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, sidoqoftë vazhdimi i trendit të rritjes së azilkërkuesve do të ngritë pikëpyetje për kapacitetin e institucioneve të Kosovës për të marrë përsipër obligimet që rrjedhin nga liberalizmi i vizave.
Storia e liberalizimit të vizave nuk ka përfunduar më 1 janar 2024. Ajo në fakt nuk përfundon asnjëherë. Ajo vazhdon të jetë testi i vazhdueshëm për vitalitetin dhe shëndetin e institucioneve tona. Shteti duhet të dëshmojë në vazhdimësi kapacitetin e vet për të zbatuar standardet dhe kërkesat që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave. Kriteret e atij udhërrëfyesi të famshëm për liberalizimin e vizave asnjëherë nuk mund të konsiderohen përfundimisht “të përmbushura”. Përmbushja e vazhdueshme e tij do të jetë edhe testi i vitit 2025.