OpEd

Testi i pjekurisë

Marrëveshja Bazë synon të fillojë një marrëdhënie të re në mes dy shteteve fqinje duke lëvizur epiqendrën e dialogut nga diskutimi i njëri-tjetrit në pranimin e njëri-tjetrit. Kësisoj ajo është trampolina jonë drejt marrëveshjes finale dhe integrimit të plotë në strukturat euroatlantike

Takimi i kësaj jave në Bruksel do të hyjë në histori të dialogut si takim më kurioz i mbajtur ndonjëherë. Pra, deri më sot kemi parë çdo lloj takimesh në Bruksel, por secili nga to ka përfunduar me një epilog: të mirë apo të keq; pra me marrëveshje apo pa marrëveshje. Takimi i kësaj radhe përfundoi as mirë, as keq. Përfundoi me konfuzitet. BE-ja shpalli takimin sukses, por pa specifikuar qartë përse ishte sukses, Kosova u dakordua me BE-në, Serbia mohoi çdo gjë, ndërsa amerikanët mbeten të konfuzuar dhe nuk thanë asgjë.

Takimet e nivelit të lartë negociator sikur ky i fundit zakonisht përgatiten me javë dhe ditë të tëra. Paraprakisht palët dakordohen për temat e takimit, qëndrimet e secilës palë, dakordimet e mundshme dhe rrjedhimisht rezultatet e takimit. Po ashtu palët dakordohen për rrugën përpara sa u përket temave për të cilat ende nuk ka pajtim dhe që kërkojnë më shumë kohë. Si rrjedhojë më pastaj qëndrimet publike të secilës palë janë më të sinkronizuara dhe shpërfaqin konstruktivitetin dhe harmoninë e procesit negociator. Mungesa e gjithë kësaj pas takimit të fundit negociator ishte indikator i (1) hendekut ende të madh në mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket planit të zbatimit të marrëveshjes dhe (2) dështimit të fasilituesve për tejkalimin e këtij hendeku deri më sot.

Sidoqoftë, përtej konfuzionit të mesazheve publike të palëve tani kemi së paku një qartësi, pra kemi zyrtarisht propozimin euroamerikan. Publikimi zyrtar i propozimit ofron themelin e nevojshëm për të nisur një diskutim thelbësor dhe gjithëpërfshirës për të drejtat dhe obligimet e secilës palë në kuadër të çdo neni të marrëveshjes. Marrëveshja si e tillë është e panegociueshme, por mënyrat e zbatimit të çdo neni janë një det i pafund i alternativave dhe rreziqeve të mundshme për të cilat shoqëria jonë duhet të përgatitet. Ky diskutim kërkon reflektime politike, mendimet juridike dhe analizat ekonomike. Një diskutim i tillë gjithëpërfshirës do të vendoste Kosovën në një rol më proaktiv politik karshi dialogut, por edhe do të siguronte konsensusin e nevojshëm shoqëror për çfarëdo kompromisi që duhet dakorduar në kuadër të planit të zbatuar të marrëveshjes. Përgjegjësia për nisjen e një diskutimi të tillë patjetër bie mbi shefin e mazhorancës, respektivisht kryeministrin Kurti.

Përtej kësaj konsideroj se në përgjithësi marrëveshja është një lajm i mirë për Kosovën. Ajo për herë të parë synon të fillojë një marrëdhënie të re në mes dy shteteve fqinje duke lëvizur epiqendrën e dialogut nga diskutimi i njëri-tjetrit në pranimin e njëri-tjetrit. E dyta, duke e thënë këtë, konsideroj se marrëveshja përfaqëson denominuesin më të vogël të interesave të palëve. Pra, marrëveshja përfaqëson minimumin që palët kanë mundur të dakordoheshin në këtë moment. Me fjalë të tjera, pas muajsh negociatash fasilituesit ndërkombëtarë kanë kuptuar se është e pamundur të arrihen qëllime maksimale të dialogut: marrëveshja finale me njohje në qendër, anëtarësim i Kosovës në OKB dhe Serbisë në BE. Rrjedhimisht, fasilituesit ndërkombëtarë kanë përshtatur ambiciet e tyre negociatore me mundësitë reale të palëve për kompromise dhe kjo na ka sjellë tek minimumi i synuar dhe maksimumi i mundshëm. Kësisoj fasilituesit ndërkombëtarë kanë huazuar nga përvoja e procesit negociator të normalizimit të marrëdhënieve në mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut duke replikuar marrëveshjen e vitit 1995. Pra, marrëveshja ’95-tës ka ngritur marrëdhënie diplomatike në mes palëve, ka njohur pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të palëve, ka mundësuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Evropës, OSBE, Partneritetin për Paqe, etj. Pra, në këtë sens unë besoj se komuniteti perëndimor ka kuptuar se momentalisht është e pamundur të arrihet tek marrëveshja finale dhe rrjedhimisht sikur në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kanë vendosur që këtij akti t’i paraprijë një marrëveshje normalizimi dhe në këtë sens propozimi euroamerikan është trampolina jonë drejt marrëveshjes finale dhe integrimit të plotë në strukturat euroatlantike.

Dhe në këtë drejtim sot, kur diskutojmë për Marrëveshjen Bazë dhe kompromiset që duhet bërë është e dobishme të reflektojmë për kompromise, që është dashur ta bënte fqinji ynë, Maqedonia e Veriut, në Marrëveshjen e saj Bazë. Pra, në 1995, në kuadër të marrëveshjes Maqedonia e Veriut është dashur të hiqte dorë nga simboli qenësor i pavarësisë dhe identitetit të saj: flamurit. Sot neve na kërkohet shumë më pak: ngritja e një asociacioni tërësisht në përputhje me Kushtetutën tonë dhe instrumentet dhe praktikat më të mira evropiane. Nëse as për këtë nuk jemi të gatshëm, atëherë përgjegjësinë nuk duhet kërkuar në Beograd, Washington apo Berlin, por këtu tek ne në Prishtinë. Pra, çfarë dua të them është se kur shtetet serioze gjejnë vetën në udhëkryqe të rëndësishme politike ato tregojnë pjekurinë e nevojshme për marrjen e vendimeve të përgjegjshme shtetërore. Kjo i dallon ato nga shtetet joserioze. Ky është testi i pjekurisë. Prandaj, dakordimi për Marrëveshjen Bazë që na është ofruar është testi ynë i pjekurisë.