OpEd

Testi i përbashkët

Idetë e sugjeruara për reformimin e brendshëm të BE-së do të kërkojnë urtësi politike për të avancuar atë në një organizëm të aftë për t’u përballur me sfidat e shekullit XXI. Kjo do të kërkojë që liderët politikë të kuptojnë rëndësinë e kompromiseve nacionale që duhen bërë për hir të avancimit të BE-së si tërësi. Në këtë sens, ironikisht, vendet anëtare të BE-së e gjejnë veten sot para të njëjtit test sikur vendet e Ballkanit Perëndimor

Prej kohësh procesi i zgjerimit të BE-së ka qenë në rënie të lirë. Zgjerimi i madh i vitit 2004 është fajësuar (padrejtësisht) nga shumë vende anëtare si burim i problemeve të brendshme të BE-së. Po ashtu, një numër i krizave të njëpasnjëshme si ajo financiare, migrimi, BREXIT-i dhe rritja e partive populliste evropiane e kanë obliguar BE-në të kthehet nga vetja. Si pasojë, procesi i zgjerimit është futur në moratorium. Shpesh trupi kryesor vendimmarrës i BE-së, Këshilli i BE-së, ka gjetur veten në ngërç politik për shkak mungesës së vullnetit politik të BE-së për të avancuar procesin e zgjerimit. Me kalimin e kohës edhe vetë pozita e komisionerit për Zgjerim filloi të humbasë peshën e vet politike. Të emëruarit komisioner për Zgjerim ishte indikacion që karriera jote është duke shkuar në drejtim të gabuar. E gjithë kjo mungesë e interesimit të brendshëm politik të BE-së për zgjerimin prodhoi pasoja për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të hapnin negociatat e anëtarësimit përkundër përmbushjes së të gjitha kritereve të vendosura. Njëjtë, Kosova nuk arrinte të merrte liberalizimin e vizave përkundër përmbushjes së të gjitha kritereve respektive. Të njëjtin fat e ndante Bosnja me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat.

Vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës BE-ja u zgjua nga gjumi prej dy dekadash dhe njohu përsëri rëndësinë e procesit të zgjerimit për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian. Nga kancelari Sholc dhe presidenti Macron, e deri te presidenti i Këshillit të BE-së, z. Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, znj. Von der Leyen, të gjithë sot flasin në sinkron për rëndësinë dhe urgjencën e zgjerimit.

Por vetëm fjalimet e bukura nuk do të janë të mjaftueshme. Ajo çfarë do të pritet nga BE-ja gjatë ditëve në vijim janë (1) vendime të rëndësishme politike për të avancuar rrugën integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor; dhe (2) të fillojë me vendosmëri reformimin e brendshëm të vetë BE-së me qëllim të përgatitjes për anëtarët e rinj të BE-së nga viti 2030.

Vendimet e guximshme të BE-së vitin e kaluar janë arsye për optimizëm. Brenda pak javësh BE-ja mori vendimet që nuk arrinte t’i merrte prej vitesh. Bashkë me Ukrainën dhe Moldavinë, Bosnja fitoi statusin e vendit kandidat, Kosova fitoi liberalizimin e vizave, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën negociatat e anëtarësimit. Tani do të jetë me rëndësi që BE-ja të dëshmojë se këto vendime nuk ishin vetëm xixëllonja momentale politike, por dëshmi e ndryshimit tektonik të qasjes së BE-së ndaj zgjerimit. Kjo do të nënkuptonte vendimin për hapjen e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, deri në fund të këtij viti. Viti i ardhshëm është vit zgjedhor brenda BE-së, ashtu që asgjë nuk duhet pritur në pjesën e parë të vitit. Në pjesën e dytë të vitit BE-ja do të duhej të merrte vendim për të nisur rrugëtimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo do të shtronte rrugën që në vitin 2025 Kosova dhe Bosnja t’u bashkëngjiten të gjitha vendeve të tjera si vende në procesin negociator për anëtarësim në BE.

Dhe paralelisht me këtë BE-ja duhet të fillojë përgatitjet e brendshme për të qenë e gatshme për pranim të anëtarëve të rinj nga viti 2030. Në këtë drejtim, në fillim të këtij viti Franca dhe Gjermania kanë iniciuar një grup pune të ekspertëve për të formuluar rekomandimet teknike për reformimin e BE-së. Këtë javë ky grup pune ka finalizuar punën e tij. Diskutimi detaj i rekomandimeve të raportit është temë e një shkrimi të veçantë, por këtu ia vlen të skicohen idetë kryesore të raportit. Rekomandimi i parë i raportit e vendos sundimin e ligjit në epiqendër të gjithë procesit reformues të BE-së. Sundimi i ligjit është sine qua non i vetë ekzistimit të BE-së. Në fjalët e autorëve të raportit “Sundimi i ligjit nuk është vetëm njëra nga vlerat mbi të cilën BE-ja është themeluar. Ai është parim i panegociueshëm kushtetues për funksionimin e mirëfilltë të BE-së, siç është e përkufizuar me nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian”. Në këtë drejtim raporti ofron disa ide se si të avancohet sundimi i ligjit brenda BE-së. Së dyti, raporti rekomandon integrim të diferencuar të vendeve anëtare të BE-së. Kjo nënkupton se integrimi brenda BE-së do të shkallëzohet brenda katër shkallëve të mundshme të integrimit. Niveli më bazik i integrimit do të jetë ai i Komunitetit Politik Evropian. Shkalla e dytë e integrimit do të jetë një klub i vendeve të asociuara me BE-në. Shkalla e tretë do të jenë vetë anëtaret e BE-së. Ndërsa shkalla më e lartë e integrimit do të jetë një grup i vendeve anëtare të BE-së të cilat vendosin të thellojnë integrimin e tyre, të papenguar nga vendet e tjera të BE-së. Së treti, raporti rekomandon disa ndryshime thelbësore për përbërjen dhe funksionimin e institucioneve evropiane. Sa i përket Parlamentit Evropian, kjo nënkupton vendosjen e limitit të eurodeputetëve në numrin e tanishëm prej 751 eurodeputetësh. Sa i përket Këshillit, raporti rekomandon zgjerimin thelbësor të votimit me shumicë të kualifikuar dhe largimin e vetos. Sa i përket Komisionit Evropian, rekomandohet ose zvogëlimi i numrit të komisionerëve ose ndarja e komisionerëve në dy kategori: votues dhe jovotues.

Tani pasi që ekspertët kanë thënë fjalën e tyre, koha është që politikanët të flasin. Idetë e sugjeruara për reformimin e brendshëm të BE-së do të kërkojnë urtësi politike për të avancuar BE-në në një organizëm të aftë për t’u përballur me sfidat e shekullit XXI. Kjo do të kërkojë që liderët politikë të kuptojnë rëndësinë e kompromiseve nacionale që duhen bërë për hir të avancimit të BE-së si tërësi. Në këtë sens, ironikisht, vendet anëtare të BE-së e gjejnë veten sot para të njëjtit test sikur vendet e Ballkanit Perëndimor.