Nga viti 2011 çdo avancim ndërkombëtar i Kosovës ka qenë i lidhur me avancimin e dialogut. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës tani është para testit të rëndësishëm
Në Kosovë ekzistojnë dy grupe të mendimit sa i përket faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës. Le t’i quajmë ata teoristat vs realistat.
Teoristat besojnë se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i barabartë me shtetet e tjera të botës. Ata besojnë në rendin ndërkombëtar ku çdo shtet është sovran, i cili përkundër madhësisë apo vogëlsisë së tij është i bekuar me të drejtat e barabarta në arenën ndërkombëtare për të realizuar interesat nacionale. Në këtë drejtim, sikur të gjitha shtetet në botë, edhe Kosova duhet të ndjekë rrugën e vet parimore dhe të pavarur në përpjekjet e saj për faktorizim ndërkombëtar. Në këtë sens, në veçanti, këta kantianët nuk pranojnë asnjë kushtëzim në mes konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Grupi i dytë i mendimit, respektivisht realistat, po ashtu besojnë se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i barabartë me shtetet e tjera të botës. Por për dallim nga teoristat, ata nuk besojnë se Kosova ka kapacitete që të avancojë pozitën e saj ndërkombëtare, pa përkrahje të aleatëve perëndimorë. Ata nuk e shohin rendin ndërkombëtar të organizuar mbi parime dhe vlera ku të gjitha shtetet janë të barabarta, por mbi forcë dhe interesat ku fuqitë e mëdha e përcaktojnë fatin e kombeve. Rrjedhimisht, për këta hobesianët këshillat dhe sugjerimet praktike të aleatëve perëndimorë janë shumë më të rëndësishme sesa teoritë parimore të kantianëve. Ky fakt e bën këtë grup të njohë ndërlidhjen në mes konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogut me Serbinë si kërkesë kyç e komunitetit perëndimor.
***
Aplikimi i suksesshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shërbejë si litmus test për këto dy grupe të mendimit. Deri më sot këto dy grupe të mendimit kanë qenë të sakta në periudha të ndryshme kohore, edhe pse që nga viti 2011 realistat kanë dominuar. Nëse kishim bërë një shtegtim mbrapa në historinë e faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës, do të kishim kuptuar se konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës mund të ndahet në dy periudha: periudha e parë ka qenë periudha 2008-2010, ndërsa periudha e dytë ka qenë nga viti 2011 deri më sot.
Periudha e parë ka qenë periudha kur Kosova shpalli pavarësinë. Në këtë periudhë Kosova siguroi 72 nga gjithsej 117 njohje. Në këtë periudhë Kosova u anëtarësua në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo ishte periudha kur teoristat ishin në anën e duhur të argumentit. Kosova ishte shtet plotësisht i pavarur në konsolidimin e pozitës së saj ndërkombëtare, pa asnjë kushtëzim me dialogun me Serbinë.
Periudha e dytë ka qenë nga viti 2011 deri më sot. Pas shpalljes së pavarësisë, liderët e Kosovës e kuptuan se me kalimin e kohës maksimumi i faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës u ezaurua dhe se dialogu me Serbinë ishte i vetmi shteg përpara. Unë nuk besoj se kjo ishte zgjedhja e tyre, apo rezultat i ndonjë qëndrimi të menduar mirë, por besoj se për fuqitë e mëdha kjo ishte rrugë më e lehtë për të ruajtur atë që për ata ka qenë interes parësor: stabiliteti i rajonit. Dhe nga ky moment çdo hap i faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës ka qenë i lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kësisoj, vetëm pas arritjes së marrëveshjeve të viteve 2011 dhe 2012, me theks të veçantë në marrëveshjen për përfaqësim rajonal (fusnota), Kosova e avancoi konsolidimin e saj ndërkombëtar. Kosova fitoi Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit (MSA), duke bërë kështu hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Po ashtu, Kosova filloi dialogun për liberalizimin e vizave. U pranuam në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB). Kosova u bë anëtare e dhjetëra organizatave rajonale, siç janë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), CEFTA, Komuniteti i Energjisë, Zona e Përbashkët Evropiane e Aviacionit dhe Observatori i Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), etj. Në vitet 2015 dhe 2016, kur Kosova bëri progres tjetër të radhës në kuadër të dialogut (telekomunikacion, energji, ura e Ibrit dhe asociacioni), Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA. Ndërsa në aktin e fundit të faktorizimit ndërkombëtar, në vitin 2020, Kosova siguroi njohje nga Izraeli vetëm falë përfshirjes dhe përkushtimit në kuadër të takimit të Washingtonit. Pra, i gjithë ky udhëtim mbrapa në kohë që nga viti 2011 na konfirmon se tani ishin realistat ata që ishin në anën e drejt të argumentit.
***
Kauzaliteti i lartcekur në mes konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk është rastësi. Ndërlidhshmërinë në mes të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk duhet nënvlerësuar si politikë ad-hoc e ambasadave në Prishtinë. Përkundrazi, kjo është politikë thelbësore e shqyrtuar, e dakorduar dhe e mbështetur nga kryeqytetet kyç të vendeve tona aleate.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor për Kosovën, me qëllim të integrimit të plotë në institucionet euroatlantike”, i kishte shkruar presidenti Biden presidentes Osmani. “Natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një pengesë e madhe ndaj anëtarësimit dhe integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, i kishte shkruar sekretari Blinken kryeministrit Kurti. Këtë mesazh e kishte përsëritur edhe presidenti Macron kur i kishte shkruar kryeministrit Kurti: “Shpresoj që ju do ta vazhdoni dialogun, në mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës”. Dhe së fundi, kancelari Sholc pas takimit me kryeministrin Kurti tha: “Unë e inkurajova Albin Kurtin për bashkëpunim konstruktiv në negociata, në fund të fundit bëhet fjalë që nga marrëveshja të përfitojnë njerëzit e të dyjave vendeve dhe Ballkani Perëndimor në përgjithësi, sepse parakushti i rëndësishëm për investime dhe për vende pune në këtë mënyrë dhe perspektiva për të rinjtë është stabiliteti dhe besimi në një të ardhme në paqe të rajonit”.
Pra, patjetër se së paku për aleatët tanë perëndimorë avancimi i perspektives evropiane të Kosovës është i ndërlidhur drejtpërdrejt me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo ka qenë dhe është kështu, por nuk do të thotë që duhet të jetë kështu. Kryeministri Kurti është në të drejtën e tij fisnike që të provojë të ndryshojë këtë realitet dhe prova e parë do të jetë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi eventual i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte momentumi i parë politik ku Kosova do të konsolidonte pozitën e saj ndërkombëtare, pa bërë progres në dialogun me Serbinë. Unë nuk mendoj se kjo është e mundshme, por do të gëzohesha të jam gabim.