Dialogu në Bruksel është një proces politik, shumë i pasuksesshëm, ndoshta edhe i dështuar. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri u quajtën edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së si terroriste. Përdorimi i këtij termi nga ana e BE-së ka peshë. Prandaj nuk kanë kuptim thirrjet që për atë që ndodhi në veri të dielën të diskutohet në dialog. Sepse terrorizmi nuk mund të jetë temë e dialogut.
Bashkimi Evropian kësaj radhe ishte shumë i qartë në reagimet për sulmet ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të vendit. Vërtet, për të reaguar BE-së iu desh një kohë shumë e gjatë, ndoshta tepër e gjatë për një situatë aq të rëndë. Por kjo nuk është befasi për ata që ndjekin BE-në. Ajo, si një organizëm shumë kompleks, sidomos në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme nuk reagon shpejt. Prandaj nuk befason fakti se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, deklaratën e parë për këtë tragjedi e dha diku para orës 14:00, pra më shumë se dhjetë orë prej kur ndodhi rasti. Ai për këtë është dashur të marrë informatat e duhura nga terreni, ndoshta edhe të konsultohet së paku me disa vende anëtare, për të dalë me një reagim qoftë edhe të vonuar. Dhe prononcimi i tij i parë ishte i qartë, dënonte në mënyrën më të ashpër të mundshme sulmet ndaj policisë dhe kërkonte që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Kërkonte po ashtu që t’u jepet fund sulmeve dhe të ruhen jetët e njerëzve pasi akoma kishte rrezik.
Disa orë më vonë, Josep Borrell reagoi përsëri. Kësaj radhe pasi njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk e dimë se çfarë i kanë thënë ata atij dhe çfarë u ka thënë ai atyre. Por deklarata e tij kësaj radhe shënoi një kthesë të madhe, sepse ai përdori termin “sulm terrorist”, “qyqar” dhe “të tmerrshëm”. Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, kolegëve e të dashurve të policit që humbi jetën në detyrë dhe u ka uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar.
Në këto rrethana shumë të ndjeshme, ku fitili i zjarrit është gati dhe zjarri mund të përhapet në mënyrë të pakontrolluar, deklaratat e tilla janë të nevojshme dhe të duhura. Tash duhet e tërë bashkësia ndërkombëtare ta mbështetë Policinë e Kosovës që deri në fund të kryejë operacionin e saj, të mbështet prokurorinë dhe gjykatat që do të kryejnë hetimet. Me këto procese do të sqarohen edhe rrethanat se kush ishin sulmuesit, si u armatosën, kush qëndronte prapa tyre dhe çfarë lidhje kishin me strukturat e shtetit të Serbisë apo ndonjë shtet tjetër. Sepse prapa akteve terroriste gjithmonë qëndron një qëllim.
Ajo që u duk e panevojshme, dhe në rrethanat e ndjeshme edhe të pakuptueshme ishin thirrjet që edhe për këtë akt të diskutohet në dialog. Kjo nuk bën të ndodhë dhe ky rast nuk duhet të bëhet peng i interesave politike, sidomos jo i atyre që lidhen me dialogun e Brukselit. Sepse shumë gjëra që janë përfshirë në dialog kanë mbetur pa u zgjidhur dhe vetëm janë komplikuar edhe më shumë.
Dialogu në Bruksel është një proces politik, shumë i pasuksesshëm, ndoshta edhe i dështuar. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri u quajtën edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së si sulme terroriste. Përdorimi i këtij termi nga ana e BE-së ka peshë. Prandaj nuk kanë kuptim thirrjet që për atë që ndodhi në veri të dielën të diskutohet në dialog. Sepse terrorizmi nuk mund të jetë temë e dialogut.
Se kjo çështje e sigurisë nuk duhet të përfshihet në dialog dëshmon edhe tentimi i presidentit të Serbisë që këto sulme t’i relativizojë, e madje edhe t’i arsyetojë duke i quajtur disa herë si “reagim të serbëve ndaj terrorit të Kurtit”. Ai disa herë tha se “kjo nuk do të kishte ndodhur sikur të ishte themeluar Zajednica” dhe se “zgjidhja është që atje të mos ketë policë shqiptarë por askush nuk e ka dëgjuar”. Me apo pa dashje, disa zyrtarë ndërkombëtarë, me thirrjet e tyre, kanë ndikuar që në veri të krijohet atmosfera e mosbesimit ndaj Policisë së Kosovës dhe madje një ndjenjë armiqësore ndaj njësive të policisë speciale. Nuk janë marrë seriozisht deklaratat e kreut shtetëror të Serbisë, nga presidenti, kryeministrja e ministrat se “Policia e Kosovës po bën terror ndaj serbëve në veri”, përdorimi i termëve “Terrori i Kurtit”, “forcat okupatore shqiptare” e deri tek deklaratat e shpeshta se “serbët nuk do të tolerojnë okupimin dhe terrorin”. Nëse bën thirrje të tilla, atëherë ato janë thirrje luftënxitëse.
Ndonëse presidenti i Serbisë e tha se ai “shpreh ngushëllime” edhe për policin e vrarë të Kosovës, disa herë tha se “për gjithçka është vetëm një fajtor, dhe ai është Albin Kurti”. Pra edhe nëse serbët, sipas tij, “kanë bërë gjëra që nuk janë në interes të Serbisë”, ata e kanë bërë këtë, “sepse kanë rënë nën provokime të Kurtit”.
ka dyshim se dialogu ndikon në situatën në terren dhe po ashtu anasjelltas, situata në terren ndikon në dialog. Por tash kemi një situatë të re me sulmet e fundit terroriste. Dhe për to nuk ka vend në kurrfarë dialogu.