Në të ashtuquajturin dialog Kosovë-Serbi, me sa duket ka aq shumë bashkëbisedues sa nuk dihet më saktë as numri dhe as funksioni i tyre në dialog, apo kë e përfaqësojnë ata. Madje nuk është as plotësisht e qartë se kush dialogon me kë dhe për çfarë në këtë dialog
Ndoshta është e dobishme që së pari të kuptojmë përkufizimin e thjeshtë të fjalorit gjerman për termin dialog, në mënyrë që të hedhim dritë mbi përdorimin e këtij termi në diskutimin aktual për Kosovën dhe Serbinë. Fjalori gjerman thotë se dialogu është një "bisedë dhe kundër-bisedë apo shkëmbim fjalësh zhvilluar me radhë nga dy ose më shumë njerëz" apo "diskutimet që zhvillohen midis dy grupeve të interesit me qëllim të njohjes së pikëpamjeve të njëri-tjetrit, etj."
Dy ose më shumë persona…
Në të ashtuquajturin dialog Kosovë-Serbi, me sa duket ka aq shumë bashkëbisedues, sa nuk dihet më saktë as numri dhe as funksioni i tyre në dialog, apo kë e përfaqësojnë ata. Madje nuk është as plotësisht e qartë se kush dialogon me kë dhe për çfarë në këtë dialog.
A dialogon pala serbe me palën kosovare? Nuk mund të thuhet, sepse me sa duket, Serbia komunikon apo nuk komunikon me palë të ndryshme në Kosovë. Fatkeqësisht, në Kosovë ende nuk është e qartë se kush e udhëheq dialogun.
A dialogon pala e BE-së me administratën amerikane? Përkundrazi, jo, sepse kjo e fundit kujdeset pak për interesat që BE-ja dëshiron të ndjekë në rajonin e saj. Dhe gjithashtu vepron më pak si partner dialogu dhe më shumë si "Putini në demokracinë e tij të kontrolluar". Kurse brenda BE-së nuk është aspak e qartë se çfarë duhet të synojë ajo – bashkërisht si BE - në këtë dialog.
Të folurit me radhë dhe kundërshtimi
Përkufizimi i shkurtër i fjalorit gjerman për dialogun përshkruan një proces që azhurnohet vazhdimisht midis bashkëbiseduesve, secili i përgjigjet tjetrit ose argumentit të tij. Nëse e lidhni këtë me të ashtuquajturin dialog Kosovë - Serbi, duhet të pranoni se shkëmbehen shumë fjalë, por sigurisht që nuk mund të flitet për një diskutim të rregullt, shkëmbim argumentesh dhe kundërargumentesh me radhë dhe në mënyrë të organizuar. Sepse nëse nuk është e qartë se kush është duke e udhëhequr dialogun, atëherë nuk mund të ketë diskutim efektiv midis partnerëve të dialogut. Dhe përtej kësaj, vështirë se dikush deri më tani i është afruar palës tjetër me argumente serioze.
Bisedat mes dy grupeve të interesit me qëllim njohjen e qëndrimeve të njëri-tjetrit...
Dikush do të mendonte se në dialogun Kosovë-Serbi ekzistojnë në thelb dy grupe interesi, Serbia dhe Kosova. Sidoqoftë, nuk mund të jetë kështu, sepse për momentin këto dy shtete nuk janë të interesuara për një fillim të shpejtë të dialogut, ose nuk mund ta garantojnë këtë aspak. Covid-19 është shfrenuar në të dyja vendet, kështu ato tani duhet të fokusohen te prioritetet përkatëse, sesa tek i ashtuquajturi dialog. Së dyti, në Serbi po afrohen zgjedhjet, ndërsa në Kosovë qeveria e sapokrijuar u rrëzua me votë mosbesimi.
Rrëzimi i qeverisë na rikthen tek i ashtuquajturi dialog, sepse vota e mosbesimit në Kosovë u arsyetua me mungesë gatishmërie për dialog apo qasje të gabuar të qeverisë aktuale për t'u përfshirë në dialog. Arsyetimi primar për mocionin për votën e mosbesimit nga iniciuesit e saj ishte që po humbiste mbështetja dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara, nëse dikush nuk do të ishte i gatshëm për dialog, sipas kërkesave amerikane. Thënë më thjesht: Administrata amerikane nxori "çekiçin e madh" dhe kërcënoi me privim të konsiderueshëm të miqësisë në aspektin financiar dhe politik, nëse qeveria Kurti do të vazhdonte ta përfaqësonte Kosovën në të ashtuquajturin dialog.
Sa e rëndësishme ishte taksa 100% në të vërtetë?
Por, çfarë bëri gabim qeveria Kurti në të ashtuquajturin dialog, i cili akoma nuk u zhvillua përsëri? Ishte qeveria pararendëse, Haradinaj, e cila - pas sulmeve serioze serbe - e solli në ngërç dialogun e ngadaltë dhe të pasuksesshëm, duke vendosur një taksë 100% për mallrat serbe dhe boshnjake. Që nga ajo kohë, e gjithë bota i kishte kërkuar Haradinajt që të tërhiqte taksën. Por, nuk kishte ndonjë kërcënim amerikan për "privimin e dashurisë". Megjithatë, qeveria Kurti, duke kufizuar taksën 100%, hapi derën e dialogut menjëherë pasi e mori detyrën dhe kështu plotësoi kërkesat ndërkombëtare. Sidoqoftë, qeveria bëri diçka që është e zakonshme në tërë botën, por që mesa duket nuk duhet të vlejë për Kosovën: nga pala tjetër, d.m.th. nga Serbia, qeveria tani kërkon po ashtu hapa konstruktivë në dialog. Kjo sjellje normale negociuese diplomatike, megjithatë, "zemëroi" administratën amerikane dhe e nxiti atë që të bëjë presion dhe t'i mbështesë ata që donin ta rrëzonin qeverinë Kurti me një votë mosbesimi - edhe pse disa nga ata mbi të cilët u ushtrua presion, kështu do të kryenin mashtrim mbi votuesit. Kështu që do të ketë përsëri një qeveri nga ata, të cilët më herët kishin futur taksën 100%. Por, sot të gjithë ata qëndrojnë për "miqësinë me SHBA-në" dhe tani deklarojnë që do ta tërheqin taksën 100% menjëherë. Çfarë farse!
Sepse tani lind pyetja se çfarë domethënie kishte kjo taksë nëse qëndrimi ndaj saj mund të hidhej në të kundërtën kaq shpejt. Nga pikëpamja ekonomike, një taksë importi e një vendi prej 1.5 milion sigurisht nuk mund të ketë një ndikim të madh. Politikisht, kjo taksë ishte një rast gjithnjë e më i mirëpritur për palën serbe për të parandaluar një dialog të vërtetë dhe për ta fajësuar palën kosovare. Kjo funksionoi për mrekulli. Dhe administrata amerikane u bashkua në këtë lojë.
Në fakt, kemi të bëjmë me komplet diçka tjetër!
Administrata amerikane dëshiron t'i forcojë marrëdhëniet me Serbinë ose ta mbajë atë larg Putinit. Presidenti serb, Vuçiq, po luan vërtet një lojë të suksesshme me këtë çip dhe mund të fshehë refuzimin e tij absolut për një dialog të vërtetë me Kosovën - dhe për këtë po e merr mbështetjen e plotë të administratës aktuale amerikane të përfaqësuar nga Richard Grenell, i cili edhe në Gjermani shpejt "bëri emër" si ambasador amerikan. Në mënyrën e saj të paimitueshme, administrata Trump dëshiron që shpejt të krijojë "suksese" në politikën e jashtme dhe të shpjerë deri te një "marrëveshje" midis dy fqinjëve Serbi dhe Kosovë, e cila më pas duhet të çojë në paqe. Por, ashtu si me "Marrëveshjen e Koresë së Veriut", me te cilën nuk ishte arritur asgjë përveç një polemike të suksesit, kjo do të pritej edhe nga një marrëveshje e shpejtë që SHBA-ja po e "shtyn" në Ballkanin Perëndimor dhe dy partnerët aktualë të dialogut, Serbia dhe Kosova, vetëm kërkohet të firmosin. Një "marrëveshje" e tillë, për të cilën thuhet se shoqërohet me shkëmbim territoresh, madje do të çonte në më shumë trazira - kjo tashmë është e parashikueshme. Administrata amerikane luan qartë me faktin se Shtetet e Bashkuara ende shihen si miku më i madh në Kosovë që prej ndërhyrjes së saj ushtarake 20 vjet më parë, kur ndali sulmet serbe ndaj Kosovës. Por, gjithnjë e më shumë kosovarë duhet të pyesin veten nëse kjo miqësi e deklaruar ekziston, sepse ata në asnjë mënyrë nuk mund të shohin aspekte miqësore në politiken aktuale të administratës amerikane - disa e shohin veten të shantazhuar dhe i nënshtrohen asaj, të tjerët e kuptojnë që nuk mund të bëhet fjalë për të ashtuquajturat vlera perëndimore kur vullneti i formuar në mënyrë demokratike hidhet poshtë në mënyrë "grenelliane".
Atëherë, ku ka dialog?
Këtu nuk ka dialog të vërtetë, nëse e merrni seriozisht konceptin. Nuk ka dialog midis SHBA-së dhe BE-së lidhur me një strategji të përbashkët të moderimit. Nuk ka dialog midis vendeve të BE-së për të marrë një qëndrim të përbashkët dhe konkret. Nuk ka dialog midis kundërshtarëve politikë në Kosovë për ta përfaqësuar vendin të bashkuar dhe me sukses. Dhe nuk ka asnjë dialog midis Kosovës dhe Serbisë që e meriton këtë shprehje.
Por, ekziston një ide për përfundimin e suksesshëm të një mosdialogu të mjerë: Administrata Trump dhe vasalët e saj në Ballkan tashmë e dinë se si duhet të duket zgjidhja. Tani njerëzit në Serbi dhe Kosovë duhet vetëm ta pranojnë atë – qoftë përmes presionit, shantazhit ose mjeteve të tjera. Por, jo përmes formimit demokratik të opinionit apo dialogut të përgjegjshëm.
(Frank Hantke, ish-drejtor për Kosovë i Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, ka 15 vjet që jeton dhe punon në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai tani jeton dhe punon në Prishtinë)