OpEd

Teoria kozmologjike e liberalizimit të vizave

Viti 2022 mund të jetë vit i liberalizimit të vizave. Sidoqoftë, duhet të kemi fat të llojit kozmologjik që i parapriu krijimit të jetës në planetin Tokë

Në vitin 2016 Kosova ka pasur rastin e artë për liberalizimin e vizave. Asokohe Komisioni Evropian vlerësoi se Kosova ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave nën supozimin se Kosova do të plotësojë dy kriteret e fundit: ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shpresa ishte se Kosova do t’i plotësojë këto dy kritere të fundit dhe rrjedhimisht së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën do të jetë pjesë e pakos së liberalizimit të vizave. Pra, ishte një momentum shumë i favorshëm politik duke e pasur parasysh synimin e BE-së që të përdorë liberalizimin e vizave si mjet ndikimi në kuadër të politikës së jashtme të BE-së.

Sidoqoftë, Gjeorgjia dhe Ukraina përfituan nga liberalizimi i vizave, ndërsa Kosova për arsye tanimë të njohura e humbi këtë mundësi. Dy vjet më vonë, kur Kosova ratifikoi demarkacionin me Malin e Zi, momentumi politik kishte ikur. Ndërkohë Kosova nuk i bëri vetes favor me degradimin e vazhdueshëm në fushën e sundimit të ligjit. Kjo u ofroi vendeve skeptike brenda BE-së argumente shtesë për të kundërshtuar liberalizimin e vizave. Po ashtu, mungesa e konstruktivitetit në dialogun me Serbinë e komplikoi procesin vendimmarrës edhe më tutje. Dhe së fundi, shfaqja e pandemisë përfundimisht bëri çdo diskutim për hapjen e kufijve dhe lëvizjen e lirë të pamundshme.

Kur ish-komisioneri për Zgjerim, z. Johannes Hahn, në vitin 2018, deklaroi se skenari real për liberalizimin e vizave për Kosovën është viti 2020, ne këtu në Kosovë reaguam me frustrim ndaj një date kaq të largët. Dhe ja ku jemi sot në 2022.

Sidoqoftë, kjo është histori. Duke shikuar përpara çfarë mund të presim nga 2022-ta, sa i përket liberalizimit të vizave? Duke gjykuar nga historia: jo shumë. Janë së paku pesë faktorë, të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën:

 1. Pandemia COVID-19: Pandemia ka krijuar një mjedis politik ku vetë vendet anëtare të BE-së janë duke kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre brenda shtetit ku jetojnë. Prandaj është shumë vështirë të mendosh se në këtë kontekst të pandemisë vendet e BE-së do të mbështesin lëvizjen e lirë të qytetarëve me vende të treta;

 2. Mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Katër vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rastet e interesit të lartë publik, sikur “VETERANËT”, “PRONTO” dhe “FAJDET” nuk kanë arritur të kthejnë besimin në institucionet e sundimit të ligjit;

 3. Raporti i Vendit 2021 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjellë gjetjet e Raportit të Vendit, ku erdhi në përfundim se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik;

 4. Ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte pasi që vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, përfshire edhe liberalizimin e vizave;

 5. Zgjedhjet në Francë: Franca do të këtë kryesimin e Këshillit të BE-së në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Presidenti Macron ka shfaqur një interesim personal sa i përket Ballkanit Perëndimor, gjë që u tregua me miratimin e Strategjisë Franceze për Ballkanin në vitin 2019, si dhe angazhimin e tij në ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit në vitin 2020. Sidoqoftë, Franca do të shkojë në zgjedhje në prill të këtij viti dhe kjo nuk do t’i lejojë presidentit Macron të marrë çfarëdo vendimi të rëndësishëm, përfshirë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në këtë sfond unë jam pesimist se liberalizimi i vizave do të ndodhë. Sidoqoftë, përtej mendimit tim personal, në një skenar optimist liberalizimi i vizave edhe mund të ndodhë. Por çfarë do të kërkonte një skenar i tillë?

 1. Kosova të vazhdojë trendin pozitiv në sundimin e ligjit. Për fillim kjo do të nënkuptonte vazhdimin e qeverisjes së mirë të filluar nga Qeveria Kurti 2, miratimin e ndryshimeve ligjore për sistemin prokurorial dhe vetingun, si dhe shpërfaqjen e efekteve të para të çkapjes së shtetit në kuadër të institucioneve të drejtësisë. Këta hapa do të adresonin mjaftueshëm brengat e vendeve skeptike sa i përket sundimit të ligjit;

 2. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë një progres të ndjeshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo jo domosdo do të nënkuptonte arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por së paku të bëhet progres i cili do të krijonte një mjedis të favorshëm politik brenda BE-së për vendimmarrje pozitive në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave;

 3. Presidenti Macron fiton zgjedhjet në Francë. Humbja eventuale e tij, në veçanti ndaj kandidatëve populistë sikur Le Pen apo Zemmour, nuk do të lejonte çfarëdo diskutimi për liberalizimin e vizave.

 4. Pandemia COVID-19 mbetet përgjithësisht e kontrolluar dhe nuk pengon kthimin e ngadalshëm të jetës normale në Evropë dhe rajon.

Pra, siç shihet nga kjo listë, shumë gjëra duhet të shkojnë për së mbari në vitin 2022 për të siguruar liberalizimin e vizave. Është e vështirë, por jo e pamundur. Një optimist do ta shihte këtë situatë kështu. Astrofizikani suedez Erik Zackrisson kishte ardhur në përfundim se në univers janë 700 quintilionë (700,000,000,000,000,000,000) planetë, por vetëm në planetin Tokë janë krijuar kushtet e nevojshme kozmike për jetë. Thënë ndryshe, gjasat për krijimin e jetës në Tokë kanë qenë 1 në 700,000,000,000,000,000,000. Por, me gjithë këto gjasa kaq të dobëta, ja ku jemi ne sot këtu në planetin Tokë. Shikuar kështu, së paku gjasat për liberalizimin e vizave janë pak më të mira.