OpEd

Telekomi, kjo simptomë e sëmundjes sonë

Problemi i Telekomit nuk është borxhi milionësh që duhet të paguajë për shkak të një vendimi nga Arbitrazhi. Problemi është te mungesa e shtetit ligjor në qeverisjen me Telekomin, sikur edhe në qeverisjen në përgjithësi

Çfarë ju shkon së pari në mendje kur përmendet Posta dhe Telekomi i Kosovës?

Korrupsioni dhe nepotizmi? Dhe degradimi i asetit shtetëror e publik? Edhe hajnia? Stërpunësimi dhe neglizhenca menaxheriale? Politizimi dhe kriminalizimi? Pandëshkueshmëria? Tenderomania? Konfliktet e interesit dhe imuniteti nga ndjekja?

Krejt këto dhe shumë më shumë të ngjashme, sigurisht?

Po cili është emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre asociacioneve që kemi me emrin Posta dhe Telekomi i Kosovës?

Sigurisht, është shteti. Shteti i kapur. Shteti i vjedhur. Shteti i keqpërdorur.

Shteti i Kosovës, i cili vepron përmes Qeverisë dhe Prokurorisë, kurrë nuk ka tentuar të vendosë ligjshmërinë në funksionimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kjo mbase edhe është logjike, meqë nuk është fshehtësi që për kriminalizimin e menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje publike përgjegjësinë më të madhe dhe direkte e kanë vetë qeveritë e Kosovës, të cilat pak nga padija e më shumë nga interesi grupor dhe partiak, e kanë përdorur këtë institucion herë si qendër të punësimit të familjarëve dhe lojalistëve partiakë, e herë si burim i financimeve kryesisht të jashtëligjshme të klientëve politiko-ekonomikë dhe fushatave zgjedhore.

Dhe, sigurisht, e gjithë kjo në sytë e një sistemi prokurorial që kur vjen puna te hetimi dhe ndjekja e “peshqve të mëdhenj” apo “peshqve politikë”, kthimin e kokës anash e ka – preferencë automatike.

Pse? Sepse, logjikshëm, një shtet i kapur që ka kapur institucionet publike siç është Telekomi, e ka të kapur edhe sistemin e ndjekjes, Prokurorinë pra.

* * *

Përshkrimi më lart është arsyeja pse Telekomi gjendet ku është sot – i degraduar dhe i falimentuar. Një burim i jostabilitetit social e politik, që mbase është refleksion i një mënyre të paqëndrushem të sundimit politik që kemi vuajtur prej pasluftës.

Telekomi sot është në momentin kur paguan faturën për gjithë këto vite të keqpërdorimeve. Miliona euro të parave publike derdhen në xhirollogari private si rezultat i një skeme, sigurisht të planifikuar mirë dhe gjatë, të zhvatjes së shtetit nga grupet e organizuara politiko-ekonomike, që në një vend ku sundon ligji do të mund të përshkruheshin si organizim mafioz, por që në vendin tonë identifikohen si parti politike dhe biznese të suksesshme!

Dhe, sigurisht, fatura që paguhet, paguhet nga qytetarët. Përmes buxhetit dhe taksave tona, ndërkohë që përgjegjësit jo që nuk do hetohen, por do vazhdojnë skemat e veta zhvatëse në projektin e radhës.

Dhe projekti i tyre i radhës do të mund të jetë tjetërsimi i pronës së ndërmarrjes së gjunjëzuar.

Telekomi, tani më në bankrot do të mund të përfundojë i privatizuar për pak para, apo edhe për borxhe, në kohën kur asetet e tij fizike dhe infrastrukturore janë dhjetëra milionëshe, nëse jo më shumë.

Ose do të mund të mbahet tutje nga asistenca qeveritare përmes buxhetit, me edhe një infuzion milionësh buxhetor që do të përfundojë në xhepat e kompanive private dhe individëve nga radhët e pushtetit.

Nëse privatizohet, nuk do të ishte hera e parë që një pronë shoqërore, që kap vlera kapitale, jepet për pak të holla. Historia e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës është përplot këso rastesh. Rrjeti i distribucionit është shembulli mbase më i përfolur, por kur i dëgjojmë rrëfimet për tokat që janë shitur me nga një apo dy euro për ari, mbase është e qartë se kemi të bëjmë me një sistem të sofistikuar të vjedhjes së shtetit nga vetë pushteti dhe aleatët e tij!

Telekomi është vetëm edhe një rrëfim i tillë, që më askënd nuk e befason.

Nëse qeveria vendos ta “shpëtojë”, do të hyjmë në edhe një episod të keqpërdorimeve politiko-ekonomike të kastës që e ka kapur shtetin e Kosovës.

Në të dyja rastet, qytetari do ta paguaj faturën. Në të dyja rastet, Telekomi nuk do të shpëtohet. Në të dyja rastet, kapja e shtetit do të shpaguhet. Edhe një herë.

* * *

Shikuar kështu, s’ka rrugëdalje.

Megjithatë, nuk është problemi te mungesa e rrugëdaljes, por është problemi te pozicioni prej nga e vështrojmë.

Problemi i Telekomit nuk është borxhi milionësh që duhet ta paguajë për shkak të një vendimi nga arbitrazhi. Problemi është te mungesa e shtetit ligjor në qeverisjen me Telekomin, sikur edhe në qeverisjen në përgjithësi.

Mungesa, pra, është te mungesa e shtetit ligjor.

Shtetit që nuk lejon të shkelen apo anashkalohen ligjet. Që nuk lejon keqmenaxhim të aseteve publike pa llogaridhënie ligjore. Shtetit që nuk fal toka për një euro ari, dhe nuk fal poste drejtorësh për lojalitet partiak, që nuk fal vende pune për afërsi familjare, që nuk fal vendime gjyqësore për financime zgjedhore.

Shteti ligjor që është i verbër kur vjen puna te drejtësia; e ndan sipas meritës. Hajnat dhe manipulatorët i ndëshkon. Edhe nëse rastisin të jenë qeveritarë, politikanë, prokurorë apo gjykatës.

Në këtë rrëfim, Telekomi është veçse një simptomë e sëmundjes së vërtetë që vuajmë.

Dhe nuk është i vetmi.

[email protected]