OpEd

Tekno-feudalizmi po e merr përsipër

Derisa kapitalizmi mund të marrë fund me një pëshpëritje, krisma mund të pasojë shumë shpejt. Nëse ata që ndodhen në kahun pranues të eksploatimit tekno-feudal dhe ata të pabarazisë mendjempirëse nuk e gjejnë një zë kolektiv, krisma do të jetë goxha e bujshme

Kështu mbaron kapitalizmi: jo me zhurmë revolucionare, por me pëshpëritje evolucionare. Ashtu siç feudalizmi u zhvendos gradualisht, krejt tinëzisht, derisa një ditë pjesa më e madhe e marrëdhënieve njerëzore u bë e bazuar në treg dhe u çrrënjos, po kështu edhe kapitalizmi sot është duke u rrënuar nga një model i ri ekonomik: tekno-feudalizmi.

Ky është një pretendim i madh që vjen pas shumë parashikimeve të parakohshme për rrënimin e kapitalizmit, veçmas nga e majta. Por kësaj radhe mund të jetë goxha i vërtetë.

Treguesit kanë qenë të dukshëm tash e sa kohë. Çmimet e obligimeve dhe aksioneve, të cilat do të duhej të lëviznin në drejtime të kundërta, janë ngritur në hava, duke rënë herë pas here por duke qenë gjithmonë të ndërlidhura. Po kështu, kostoja e kapitalit (kthimi i kërkuar për të zotëruar siguri) duhet të bjerë nga paqëndrueshmëria; në vend të kësaj, ka qenë në rritje pasi që kthimet në të ardhmen janë bërë më të pasigurta.

Shenja mbase më e qartë se diçka serioze është në ardhje ishte shfaqur më 12 gusht të vitit të shkuar. Atë ditë mësuam se në shtatë muajt e parë të 2020-s të ardhurat kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar kishin rënë për më se 20 për qind, bukur nën nivelin e parashikimeve madje më të zymta. Disa minuta më vonë, bursa e Londrës kërceu për më tepër se 2 për qind. Një gjë e krahasueshme kurrë më parë nuk kishte ndodhur.

Financat ishin shkëputur krejtësisht nga ekonomia reale.

Por a nënkuptojnë përnjëmend zhvillimet e tilla të paparashikueshme se më nuk jetojmë nën kapitalizëm?

Tekefundit, kapitalizmi u është nënshtruar edhe më herët transformimeve thelbësore. A nuk do të duhej që thjesht të përgatitemi për inkarnimin e tij më të fundit?

Jo, nuk mendoj. Ajo që jemi duke e përjetuar nuk është thjesht një tjetër metamorfozë e kapitalizmit. Është diçka shumë më e thellë dhe shqetësuese.

Po, kapitalizmi u është nënshtruar ndryshimeve të skajshme të paktën dy herë që nga shekulli nëntëmbëdhjetë. Transformimi i tij i parë i madh, nga maskimi konkurrues në oligopoli, ka ndodhur me revolucionin e dytë industrial, kur elektromagnetizmi nisi në korporatat e mëdha të rrjetit dhe megabankat u desh t’i financonin ato. Fordi, Edisoni dhe Kruppi i zëvendësuan furrtarin, birrarin dhe kasapin e Adam Smithit për sa u përket lëvizësve kryesorë të historisë.

Qarku i hidhur pasues i mega-borxheve dhe mega-kthimeve në fund të fundit shpuri në krismën e 1929-s, Marrëveshjen e Re, dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, me sistemin Bretton Woods – i cili, bashkë me të gjitha kufizimet mbi financat, e siguroi një periudhë të rrallë stabiliteti.

Fundi i Bretton Woodsit më 1971 i dha hov transformimit të dytë të kapitalizmit. Teksa deficiti tregtar në rritje i Amerikës u bë ofruesi botëror i kërkesës agregate – duke i përthithur eksportet neto të Gjermanisë, Japonisë dhe më vonë edhe të Kinës, SHBA-ja e fuqizoi fazën më energjike të globalizimit të kapitalizmit, me anë të fluksit të qëndrueshëm të përfitimeve gjermane, japoneze dhe më vonë edhe kineze që iu kthyen Wall Streetit, për financimin e të gjitha atyre.

Për ta luajtur rolin e tyre, funksionarët e Wall Streetit kërkuan megjithëkëtë emancipim nga të gjitha kufizimet e Marrëveshjes së Re dhe Bretton Woodsit. Me çrregullimin, kapitalizmi oligopolistik u shndërrua në kapitalizëm të financuar. Njëjtë sikurse Fordi, Edisoni dhe Kruppi i zëvendësuan furrtarin, birrarin dhe kasapin e Smithit, protagonistët e rinj të kapitalizmit u bënë Goldman Sachsi, JP Morgani dhe Lehman Brothersi.

Derisa këto transformime radikale kishin reperkusione momentale (Depresionin e Madh, Luftën e Dytë Botërore, Recesionin e Madh dhe Stagnimin e Gjatë të pas 2009-s), ato nuk e ndryshuan tiparin parësor të kapitalizmit: sistemin e nxitur nga profiti privat dhe qiratë e nxjerra nëpërmjet disa tregjeve.

Po, transicioni prej atij smithian në kapitalizëm oligopolit i rriti përfitimet në mënyrë të parregullt dhe ua bëri të mundur konglomerateve përdorimin e fuqisë së tyre të madhe në treg (që do të thotë, lirinë e porsafituar nga konkurrenca) për ekstraktimin e qirave të majme nga konsumatorët. Po, Wall Streeti ka ekstraktuar qira nga shoqëria nëpërmjet formave të bazuara në treg të plaçkitjes në pikë të ditës. Pavarësisht kësaj, si kapitalizmi oligopolit ashtu edhe ai i financuar janë nxitur nga përfitimet e rritura private me anë të qirave të ekstraktuara nëpërmjet disa tregjeve – ajo nëpërmjet, le të themi, General Electric apo Coca-Cola, apo e trilluar nga Goldman Sachs.

Mandej, pas 2008-s, gjithçka ndryshoi. Qyshkur bankat qendrore të G7-s u bashkuan në prillin e 2009-s për t’i përdorur kapacitetet e tyre të shtypjes së parave për rifuqizimin e financave globale, një jovazhdimësi e thellë u shpërfaq. Sot ekonomia globale është e fuqizuar nga gjenerimi konstant i parave prej bankës qendrore, e jo prej përfitimeve private. Ndërkohë, ekstraktimi i vlerës po zhvendoset përherë e më shumë nga tregjet dhe në platformat digjitale, si Facebook dhe Amazon, të cilat më nuk operojnë si kompani oligopolistike, por më shumë si çifligje apo pasuri private.

Fakti se janë bilancet e bankave qendrore, e jo fitimet, ato që e fuqizojnë sistemin ekonomik shpjegohet nga ajo çfarë ka ndodhur më 12 gusht 2020. Kur i dëgjuan lajmet e zymta, financuesit menduan: “Mrekullueshëm! Banka e Anglisë, e panikuar, do të shtypë edhe më shumë funte dhe do t’i kanalizojë ato te ne. Është koha për të blerë obligacione!”.

Kudo në Perëndim, bankat qendrore i shtypin paratë që financuesit ua huazojnë korporatave, të cilat më pas i përdorin ato për t’i riblerë aksionet e tyre (çmimet e të cilave janë shkëputur nga përfitimet). Ndërkohë, platformat digjitale i kanë zëvendësuar tregjet si vende të ekstraktimit të pasurisë private. Për herë të parë në histori, pothuajse të gjithë prodhojnë për stokun e lirë të kapitalit të korporatave të mëdha. Kjo është e njëjta gjë sikurse ngarkimi i gjërave në Facebook apo lëvizja vërdallë gjatë të qenët të kyçur në Google Maps.

Natyrisht, nuk është puna se sektorët tradicionalë kapitalistë janë zhdukur.

Gjatë fillimit të shekullit nëntëmbëdhjetë, shumë marrëdhënie feudale mbetën të paprekura, por marrëdhëniet kapitaliste nisën t’i parakalojnë ato.

Po qe se kam të drejt, secili program stimulimi është i prirë që njëherë të jetë shumë i madh dhe mandej shumë i vogël. Asnjë normë e interesit nuk do të jetë në përputhje të plotë me punësimin pa nxitur falimentimet pasuese të korporatave. Dhe politikat e bazuara në klasa, në të cilat palët që e favorizojnë kapitalin konkurrojnë kundruall atyre që janë kundër palëve më afër punës, kanë mbaruar. Por derisa kapitalizmi mund të marrë fund me një pëshpëritje, krisma shumë shpejt mund të pasojë. Nëse ata që ndodhen në kahun pranues të eksploatimit tekno-feudal dhe ata të pabarazisë mendjempirëse nuk e gjejnë një zë kolektiv, krisma do të jetë goxha e bujshme.

(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është lider i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)