OpEd

Të vërtetat që ndjekim – Kamala Harris

Në jetë mësova se besimi është folje, shkruan Kamala, dhe folja është veprim. Libri i saj është pikërisht një thirrje për veprim, dhe kjo mund të bëhet vetëm duke shpalosur të vërtetat

Besimi është folje

Emri im nyjëtohet “comma-la” dhe do të thotë lule e lotusit (thuelës), që është simbol i kulturës indiane. Lotusi rritet nën ujë, lulet e tij çelin mbi sipërfaqen e ujit, ndërsa rrënjët qëndrojnë të ngulura thellë në fund të lumit, e bën të qartë që në hyrjen e librit “Të vërtetat që mbajmë” Kamala Harris, botuar më 2018, si një paraprijës i kandidaturës së saj për zëvendëspresidente e Joe Bidenit, nëse ky i fundit do të fitojë.

Në jetë mësova se besimi është folje, shkruan Kamala, dhe folja është veprim. Libri i saj është pikërisht një thirrje për veprim, dhe kjo mund të bëhet vetëm duke shpalosur të vërtetat. Nuk ka antidot më të rëndësishëm për kohën ku jetojmë sesa krijimi i besimit dhe njëri nga elementët e rëndësishëm të besimit është e vërteta, shkruan Harris. Racizmi, seksizmi, homofobia, transfobia dhe antisemitizmi janë të vërtetat që duhen thënë, jemi vendi me numrin më të madh të të burgosurve pa ndonjë motiv të fortë, vendi me policinë më brutale ndaj njerëzve të zinj të paarmatosur. Ta themi hapur, përveç indigjenëve, të gjithë jemi të ardhur në këtë vend.

Kush është Kamala?

I ati, Donald Harris, i lindur në Xhamajka 1938, ishte një student brilant i ekonomisë që emigroi në USA pasi u pranua në Universitetin e Californias në Berkeley, aktualisht është profesor emeritus. E ëma, Shyamala Gopalan, ishte fëmija i madh i një diplomati indian e cila ishte diplomuar në Universitetin e Delhit që nëntëmbëdhjetë vjeçe e pastaj kishte vazhduar doktoraturën në Berkeley për nutricion dhe endokrinologji, si fillim për rrugën e saj hulumtuese për kancerin e gjirit. Ashtu si të gjitha vajzat indiane, edhe Shyamala do të duhej të kthehej në Indi pas përfundimit të doktoratës, ku ishte dhënë fjala për martesë, por fati e deshi që ta takonte Donaldin, në një manifestim për të drejtat e njeriut. Vendimi i saj për t’u martuar me të dhe për të qëndruar në USA, kundër miratimit të familjes, ishte akti më i madh për vetëvendosje dhe dashuri, shkruan e bija.

Ishte nëna ime që na formësoi si gra të ardhshme, mua dhe Mayan, motrën e vogël, e cila nuk e pati fatin t’i shihte prindërit tanë të lumtur. Ata u shkurorëzuan kur ajo ishte shumë e vogël. T’ua shpjegonte prindërve divorcin, për mamanë time ishte shumë më e vështirë sesa t’u tregonte për martesën e tyre, shkruan Kamala e emocionuar për prindërit e saj. Ata nuk ziheshin për para, ata grindeshin për libra, ata nuk ishin vetëm protestues për të drejtat e njeriut, ata ishin mendimtarë të mëdhenj, të cilët i shtynë përpara proceset në shoqëri, thekson me krenari ajo.

Një nga shprehjet e preferuara të mamasë sime ishte “Mos i lër të tjerët të të tregojnë kush je. Tregoju ti kush je”. Kështu e trasoi rrugën e vet prokurorja Harris, e cila nuk heziton të rrëfejë momentet e dështimit e të thyerjes. Si mund ta mbroje një vajzë 6- vjeçare të përdhunuar nga i vëllai 16-vjeçar, e cila nuk di si ta artikulojë përpara jurisë dhimbjen që ka përjetuar? Si mund të fliste në emrin e saj? Kamala shpërthen në lot. Dhimbja e përshkon lexuesin.

Fol për ata që nuk kanë zë! Ishte urdhri i Zotit që Kamala mundohej të ndiqte. Dhe ja, vjen 11 janari 2011. Ndërsa bisedonte me një huamarrës që po rrezikonte të humbte shtëpinë nga banka, i biri e pyet “Çfarë do të thotë ‘underwater’. Fytyra e të atit errësohet. Miliona familje amerikane të manipuluara nga predatorët po fundoseshin, po shkonin under. Lufta me avokatët më të mirë, përfshirë edhe të ashtuquajturin “trauma surgeon of Wall Street” qe e pamëshirshme, presioni politik i jashtëzakonshëm. Pas muajsh hetimesh e negociatash me bankat, Kamala me ekipin e vet ia doli të amortizonte dëmin, duke siguruar mbi 18 miliardë dollarë. Megjithatë, miliona familje nuk i shpëtuan dot bankrotimit. Niveli i vetëvrasjeve u rrit në 3.8%, saktësisht 1330 vetëvrasje.

Kultura e Wall Streetit nuk ka ndryshuar, shkruan Kamala. Vetëm disa rregulla arritëm t’i ndryshonim, të cilat bankat po përpiqen t’i anulojnë duke zhvlerësuar reformat Obama që kërkonin të mbronin qytetarin. Kemi shumë për të bërë. Nëse duam t’ia kthejmë dinjitetin dhe respektin qytetarit. Nëse nuk duam që ai të trajtohet si një copë letër që mund të paloset e të shitet kur të duan bankat. Kjo mund të bëhet vetëm me zë, vetëm me votë.

Superheroina kundër stereotipit

Libri i saj, që është edhe jeta e saj, është i mbushur plot sfida, luftëra, fitore e humbje, por ajo që mbetet konstante është pathyeshmëria. Kamala ka ndjekur modele të shkëlqyera në jetë, shumica prej tyre gra të jashtëzakonshme, të cilat e kanë kthyer në një luftëtare të paepur për të drejtat e grave e të gjithë komunitetit të zezakëve. Nëna ime ishte gruaja më e fortë që kam njohur në jetë, edhe pse mua gjithmonë më është dashur ta mbroj atë. Nga njëra anë pse isha fëmija i madh, por nga ana tjetër pse e dija që ajo ishte gjithmonë shënjestra. Kam shumë kujtime kur mamanë time brilante e kanë trajtuar si budallaçkë, vetëm për shkak të theksit të saj. Kujtime kur e ndiqnin me dyshim nëpër dyqane, pasi një grua me ngjyrë si ajo nuk mund ta përballonte një fustan që kishte zgjedhur.

Qëndroni drejt! Mos qeshni! Mos lëvizni! Gati dokumentet! Bëhuni gati! Ajo e dinte që çdo fjalë që do të nxirrte nga goja do të gjykohej, ndaj donte që ne të ishim të përgatitura sa herë kalonim kufijtë. Edhe pse jemi një komb emigrantësh, ne jemi një komb që ka frikë nga emigrantët. Frikë se ai tjetri do na rrezikojë kulturën amerikane dhe njerëz të paskrupullt e kanë kthyer atë frikë në avantazh politik. Historia amerikane është e mbushur me plot njerëz të tillë, a do të jetë ky momenti i kthesës së madhe? A do ta votojnë njerëzit një grua? Stereotipat vdesin me vështirësi, thotë Kamala, ndaj në zgjedhjet në USA do të shohim nëse një grua është ende sterotip.

Autorja e këtij teksti ka të drejtë të besojë te një ndërgjegjësim i njerëzve, te një zgjim në këtë pandemi globale të mendimit.