Dialogu me Serbinë është çelësi që hapi rrugën evropiane të Kosovës në vitin 2012. Atë që ishte e qartë me sy e tha me zë ish-komisioneri për Zgjerim, z. Štefan Füle: “Marrëveshjet me Serbinë mundësojnë MSA-në”. Sot, dhjetë vjet më vonë, ai do të thoshte: “Marrëveshjet me Serbinë mundësojnë statusin e vendit kandidat”
Pa karizëm, jo elokuent dhe në përgjithësi i tërhequr, Štefan Füle asnjëherë nuk i përmbushte kërkesat e nevojshme për politikanë të suksesshëm. Por në fakt ai asnjëherë edhe nuk ka qenë politikan. Sikur shumë storiet e emërimeve në kuadër të institucioneve të BE-së, Füle ishte diplomat të cilin fati dhe rrethanat e sollën në pozitën e komisionerit për Zgjerim në viti 2010. Sidoqoftë, përkundër mungesës së profilit të lartë publik, diplomati çek përfundoi mandatin e tij me një numër impresiv të arritjeve. Për katër vjet ai lansoi dialogun për liberalizimin e vizave me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë; përfundoi procesin e liberalizimit për Bosnjën, Shqipërinë dhe Moldavinë; siguroi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, dhe me këto dy vende të fundit edhe hapi negociatat e anëtarësimit. Por suksesin më të madh ndoshta e arriti me ne. Në kohën e tij ai inauguroi rrugën evropiane të Kosovës duke lansuar liberalizimin e vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka kërkuar nisjen e negociatave për lidhjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian (MSA). MSA-ja ishte hapi i parë kontraktual në mes BE-së dhe një vendi që aspiron anëtarësimin në BE. Asokohe Kosova ishte i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e kishte MSA-në me BE-në.
Dhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës, përgjigjja nga ana e BE-së ishte çdo herë e njëjtë: është e pamundur për Kosovën të këtë MSA-në për shkak të pesë vendeve mosnjohëse të BE-së. Përgjigjja ishte kështu vit pas viti. Por e gjithë kjo ndryshoi në shkurt 2012, kur Kosova në kuadër të dialogut me Serbinë arriti marrëveshjen për përfaqësim rajonal. Kjo marrëveshje hapi rrugën evropiane të Kosovës. Tri ditë pas arritjes së marrëveshjes, Këshilli i BE-së “mori parasysh synimin e Komisionit Evropian për të lansuar studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit”, ndërsa në qershor Kosova pranoi Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave. Atë që ishte e qartë me sy e tha me zë ish-komisioneri për Zgjerim, z. Štefan Füle: “Marrëveshjet me Serbinë mundësojnë MSA-në”. Dhe kështu edhe ndodhi. Progresi në kuadër të dialogut bëri MSA-në realitet dhe ajo hyri në fuqi më 1 prill 2016. Pjesa tjetër është histori.
E solla në kujtesën tonë këtë histori, sepse Kosova sot gjendet në po të njëjtën situatë sikur në vitin 2012. Atëherë Kosova kërkonte MSA-në, sot kërkojmë statusin e vendit kandidat. Në dhjetor të vitit të kaluar Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim në BE apo marrjen e statusit të vendit kandidat. Baza ligjore për anëtarësimin e çdo shteti në BE është neni 49 i Traktatit të Bashkimit Evropian. Ai thotë se “çdo shtet evropian i cili respekton, dhe zotohet se do të promovojë vlerat e parapara me nenin 2 mund të aplikojë për t’u bërë anëtar i Unionit”. Pra, në thelb neni 49 i ngre dy kushte për t’u konsideruar i denjë për anëtarësim në BE. E para: të jesh “shtet evropian” dhe e dyta të respektosh “vlerat e parapara me nenin 2” të Traktatit.
Në këtë drejtim, Marrëveshja Bazë e arritur së fundi mes Kosovës dhe Serbisë është trampolina jonë për përmbushjen e këtyre dy kushteve. Neni 4 i Marrëveshjes Bazë përcakton se “palët nisen nga supozimi se asnjëra nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në skenën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj”. Ndërsa neni 5 shton se “të dy palë do të respektojnë vlerat e parapara me nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian”. Dhe ky realitet politik tani është miratuar nga ana e 27 liderëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, përfshirë pesë vendet mosnjohëse. Thënë ndryshe, tani ka unanimitet brenda 27 vende të BE-së që sa i përket Kosovës dhe Serbisë bëhet fjalë për dy akterë të ndarë në “skenën ndërkombëtare” që zotohen se do të respektojnë “vlerat e parapara me nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian”. Pra, në një lexim optimist të konkluzioneve të takimit të javës së kaluar të Këshillit Evropian, 27 vendet e BE-së tani janë dakord se Kosova përmbush dy kushte formale për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Se a është ky lexim i saktë apo jo do ta kuptojmë gjatë muajve në vijim, por, së paku, tani për tani mund të konkludojmë se takimi i javës së kaluar i Këshillit Evropian ishte hap i rëndësishëm në krijimin e një mjedisi pozitiv për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat. Natyrisht, edhe shumë punë mbesin deri te ky moment. Dhe në këtë drejtim do të janë dy pengesa kryesore. E para do të jetë shumë kurioze për të parë se si BE-ja do të interpretojë se Kosova bie nën përkufizimin e “shtetit evropian”, sipas nenit 49 të Traktatit të BE-së. Në këtë diskurs BE-ja patjetër do të mbështetet në vendimin e GJND-së, të MSA-së, konkluzionet e Këshillit, Marrëveshjen Bazë, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së mbi konceptet juridike të “shteteve” dhe “vendeve”. Sikur në rastin e MSA-së jam i bindur se shtegu i hollë në të cilin do të ecë BE-ja është se “pranimi” i Kosovës në BE nuk nënkupton “njohjen” e saj. Dhe e dyta, fati i marrjes së statusit të vendit kandidat varet nga konstruktiviteti i Kosovës në dialogun me Serbinë. Pra, dhjetë vjet më vonë këshilla e ish-komisionerit për Zgjerim, z. Štefan Füle, ende i mbijeton kohës: “Marrëveshjet me Serbinë mundësojnë statusin e vendit kandidat”.