Mungesa e edukimit medial në shkollë dhe mungesa e kontrollit prindëror kanë bërë që terreni i keqfunksioneve të mundshme të medieve sociale të jetë i panjohur për të rinjtë dhe që ata ta kenë të vështirë ta kuptojnë se cila pjesë e këtij terreni është e “minuar”.
Media sociale, Facebooku apo Twitteri, është një hapësirë në të cilën shpesh mund të shohim pamje të dhunshme.
Madje sulmi terrorist në Zelandë të Re ishte transmetuar drejtpërdrejt dhe për një kohë të gjithë kishin qasje të shihnin veprën e tmerrshme të terroristit. Kjo dhe video të tjera të tilla e kanë shndërruar Facebookun në një mjet propagande të këtyre terroristëve.
Ekspozimi ndaj pamjeve të tilla mund të ketë pasojë të frikshme tek të rinjtë apo fëmijët, që në Kosovë janë në numër të madh si përdorues të Facebookut në veçanti, dhe internetit në përgjithësi. Lidhur me këtë Facebooku po orvatet që sa më shumë të kontrollojë përmbajtjen mediale duke shtuar algoritme që bllokojnë pamjet e dhunshme, megjithatë rasti në Zelandë të Re edhe një herë tregoi se duhet investim në ngritjen e edukimit mbi medien pasi algoritmet apo inteligjenca artificiale nuk janë të mjaftueshme.
Rreziku nga shpërndarja e dhunës nëpërmjet imitimit është diçka tashmë e faktuar me studime të shumta. Sociologu i njohur amerikan, Mark Gronevetter, në një studim të tijin shpjegon se si njerëzit bashkohen me një grup vetëm duke i parë të tjerët që po e bëjnë të njëjtën.
Në dekadën e fundit kemi raste të ndryshme kur të rinjtë kanë imituar lojërat virtuale apo sekuenca të ndonjë filmi dhe kanë vepruar njëjtë në jetën reale, duke shkaktuar edhe vdekje të njerëzve. Dhuna e përjetuar nga ekspozimi ndaj lojërave kompjuterike i ka bërë të rinjtë më të dhunshëm edhe në jetën reale. Në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në prill të këtij viti, një 14-vjeçar u plagos me armë nga një shok klase.
Në Kosovë gjatë vitit 2019 kemi parë lajme të shumta për ngjarje të dhunshme në shkollat tona. Policia e Kosovës tregon se gjatë katër muajve të parë të vitit 2019 ka evidentuar 175 raste të lëndimeve trupore të nxënësve të shkollave në Kosovë. Mirëpo krahas këtij keqfunksioni, Facebooku mund të jetë media e duhur për të shpërndarë pamje apo informacione që do të kishin qëllime vetëdijesuese apo sensibilizuese.
Rasti i vrasjes së një të riu me ngjyrë nga një polic i Minnesotas tre vjet më parë kishte bërë bujë, sepse të gjithë ngjarjen e kishte transmetuar drejtpërdrejt e fejuara e të riut. Facebooku kishte fshirë videon për shkak të pamjeve të dhunshme, por më pas e kishte kthyer sërish duke shtuar paralajmërimin për pamjet e dhunshme. Për dikë, të dyja pamjet, nga Minnesota dhe nga Zelanda e Re, janë të dhunshme dhe nuk do të duhej të publikoheshin asnjëra.
Mirëpo publikimi i një akti terrorist dhe publikimi i pamjeve ku shihet keqpërdorimi i pozitës ndaj një komuniteti të caktuar janë dy gjëra të ndryshme. Në rastin e parë, Facebooku është medie propaganduese (keqfunksion i medies), ndërkaq në rastin e dytë Facebooku ka për qëllim sensibilizimin e shoqërisë dhe lejon publikimin e pamjeve të dhunshme për të mirën e përgjithshme, në këtë rast të shoqërisë së Minnesotas, së cilës ia tërheq vëmendjen për shpërfaqje të racizmit në sistemin ligjor.
Për të krijuar gjykime të tilla, të rinjtë tanë duhet të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi medien dhe të mësojnë më shumë për funksionet dhe keqfunksionet e medies. Gjykimi për pranimin e informacioneve, të menduarit kritik në raport me përmbajtjet e dhunshme mediale, si dhe zhvillimi i të rinjve se si t’i përdorin mediet sociale, mund të ndihmojnë në shmangie të dhunës, që vjen nga konsumimi i atyre përmbajtjeve.
George Gerbner në Teorinë e Kultivimit flet për ndikimin negativ të televizionit të shikuesit që qëndrojnë katër apo më shumë orë para ekranit, duke përcjellë programe të ndryshme televizive. Gerbneri thotë se kjo pjesë e shoqërisë fillon të mendojë se ajo që shohin në televizor është pasqyrim i realitetit që i rrethon.
Rrjedhimisht, duke parë pamje të dhunshme fillojnë të mendojnë gjithnjë e më shumë se mund t’iu ndodhë e njëjta edhe atyre. Nëse e adaptojmë të njëjtën teori, por në vend të TV-së fokusin e kalojmë te mediet sociale, për shkak se në shoqërinë e sotme kosovare ato janë media e preferuar e shumicës, atëherë lirisht mund të themi se të rinjtë tanë janë të rrezikuar nga mediet sociale, në krye të herës për shkak të mosdijes apo dijes së kufizuar mbi medien, për funksionet dhe keqfunksionet e saj.
Facebooku apo edhe Instagrami u mundëson përdoruesve ta matin kohën sa kanë qenë aktivë në këto medie sociale brenda një dite apo edhe brenda një periudhe më të gjatë kohore.
Javën që shkoi, derisa e diskutoja këtë me një grup të rinjsh, ata deklaruan se koha që ata e kalojnë në këto medie sociale është mesatarisht tetë apo edhe më shumë orë në ditë. Kjo është shqetësuese. Ata që rrinin gjatë duke shikuar TV Gerbneri i quante “shikues të rëndë”, rrjedhimisht këta të rinj unë po i quaj “përdorues të rëndë”, sepse në mediet sociale nuk je vetëm shikues, por edhe krijues i përmbajtjes mediale.
Në shoqërinë tonë prindërit nuk duhet të krenohen se fëmija i tyre, ndonëse i vogël në moshë, e përdor lehtësisht internetin, apo se gjen gjithçka në YouTube, duke e lënë me orë të tëra në telefon, tablet apo laptop, vetëm me kushtin që të mos ketë ndonjë kërkesë tjetër. Fëmija gjithsesi, por edhe adoleshenti mund të mos jetë në gjendje ta kuptojë atë që është e dëmshme dhe që nuk duhet bërë, prandaj kjo e shtron domosdonë për edukim medial.
Çfarë duhet bërë për të evituar apo, të paktën, për të minimizuar dëmet? Edukim medial, edukim medial dhe edukim medial. Mungesa e edukimit medial në shkollë dhe mungesa e kontrollit prindëror kanë bërë që terreni i keqfunksioneve të mundshme të medieve sociale të jetë i panjohur për të rinjtë dhe që ata ta kenë të vështirë ta kuptojnë se cila pjesë e këtij terreni është e “minuar”. Andaj është tejet e rëndësishme që Ministria e Arsimit të mos vazhdojë me injorimin e kësaj problematike, por t’ia japë vëmendjen e duhur zgjidhjes së kësaj çështjeje duke marrë vendim që lënda për edukimin medial të jetë lëndë e obligueshme në kurrikulat mësimore të shkollimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.
Duke i edukuar të rinjtë, edukojmë prindërit e ardhshëm, sepse sot, fatkeqësisht, ka shumë prindër që mund të mos dinë as vetë si t’i përdorin mediet, prandaj edhe mund të mos ia kushtojnë vëmendjen e nevojshme edukimit medial të fëmijëve të tyre.
(Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë/UP dhe doktorant)