OpEd

Të parët në mesin e të dobëtëve

Nëse ky trend i reformave evropiane të këtyre gjashtë vjetëve vazhdon, atëherë do të jemi në një situatë të çuditshme ku dy vende të para të cilat do të janë gati për anëtarësim në BE do të janë Shqipëria dhe Kosova. Jo sepse Shqipëria dhe Kosova po tregojnë elan të jashtëzakonshëm për reforma, por sepse katër vende të tjera janë duke treguar performancë jashtëzakonisht të dobët. Me fjalë të tjera, momentalisht Kosova dhe Shqipëria janë më të mirat në mesin e më të dobëtëve

Tani kur kemi pasur kohë që të lexojmë pakon e fundit të zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, është koha e duhur për të nënvizuar disa nga gjetjet kryesore.

E para sa i përket terminologjisë. Për kohë të gjatë jemi mësuar që në procesin e zgjerimit të përdorim shprehjen “gjashtë vende”, duke iu referuar gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Historikisht ato kanë qenë të vetmit kandidatë për anëtarësim në BE. Vende të tjera sikur Turqia, Ukraina, Moldavia etj., janë konsideruar si vende, e ardhmja e të cilave brenda BE-së është e paqartë. Nga ky vit në fjalorin e zgjerimit të BE-së hyn një term i ri: dhjetësha aspiruese. Nga sot janë dhjetë vende të barabarta që aspirojnë të anëtarësohen në BE dhe si të tilla katër vende të reja do të janë konkurrente politike me gjashtë vende të rajonit tonë.

E dyta, me hyrjen e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në procesin e zgjerimit është dinamizuar procesi i zgjerimit. Që në start të hyrjes së tyre brenda kampit të zgjerimit ato kanë tejkaluar Kosovën dhe Bosnjën dhe së shpejti do të zënë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky zhvillim tani do të rrisë presionin mbi vendet e Ballkanit Perëndimor që të dinamizojnë reformat e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje të mbajnë ritmin e anëtarësimit që do të diktohet nga vendet sikur Ukraina dhe Moldavia.

E treta, Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vendet në Ballkanin Perëndimor që kanë shënuar progres këtë vit drejt përgatitjes për të marrë obligime që burojnë nga anëtarësimi në BE. Vende të tjera nuk kanë shënuar asnjë progres në asnjë prej 33 kapitujve.

E katërta, tani bëhen gjashtë vjet që Komisioni Evropian publikon raportet e zgjerimit mbi një metodologji të caktuar e cila lejon notimin dhe gradimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani kur kemi set të dhënash prej gjashtë vjetësh mund të identifikojmë trende të caktuara historike të cilat na lejojnë të ngremë hipoteza të mundshme për të ardhmen. Kësisoj, për shembull, është shumë e qartë që Kosova dhe Shqipëria kanë bërë progres shumë më të madh këta gjashtë vjet sesa katër vende të tjera të rajonit. Në këtë drejtim, nëse ky trend i reformave i këtyre gjashtë vjetëve vazhdon, atëherë do të jemi në një situatë të çuditshme ku dy vende të para të cilat do të janë gati për anëtarësim në BE do të janë Shqipëria dhe Kosova. Jo sepse Shqipëria dhe Kosova po tregojnë elan të jashtëzakonshëm për reforma, por sepse katër vende të tjera janë duke treguar performancë jashtëzakonisht të dobët. Me fjalë të tjera Kosova dhe Shqipëria janë më të mirat në mesin e më të dobëtave.

E pesta, Kosova ka arsye të jetë e gëzuar dhe e mërzitur. E gëzuar, sepse këtë vit për herë të parë që nga viti 2019 Komisioni Evropian ka avancuar gradimin e Kosovës në vlerësimin e përgatitjes së përgjithshme për anëtarësim në BE. Kjo ngritje ka ardhur si pasojë e ngritjes së vlerësimit të Kosovës në pesë kapituj të legjislacionit të Bashkimit Evropian: Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 4: Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 7: E drejta e pronësisë intelektuale, Kapitulli 12: Politikat e sigurisë së ushqimit, veterinarisë dhe fitosanitarisë dhe Kapitullin 26: Arsimi dhe kultura.

E gjashta, siç thashë, Kosova ka edhe arsye të jetë e mërzitur. Ndonëse Kosova ka avancuar në vlerësimin e përgatitjes së përgjithshme për anëtarësim në BE, viti që po lëmë pas ka qenë vit me performansë më të dobët vjetore të Kosovës që nga fillimi i metodologjisë së re të vlerësimit të Komisionit Evropian. Në vetëm tre kapituj Kosova ka performuar më mirë se vitin e kaluar: Kapitulli 15: Energjia, Kapitulli 20: Politika e Ndërmarrësisë dhe industrisë dhe Kapitulli 25: Shkenca dhe hulumtimi. Ndërsa në plot dhjetë kapituj të tjerë Kosova ka performuar më dobët se vitin e kaluar.

Ajo çfarë është në veçanti brengosëse dhe kërkon vëmendjen imediate të institucioneve të Kosovës është fakti se Kosova ngelet e fundit në rajon (madje edhe pas Bosnjës) në disa nga kapitujt më të rëndësishëm në rrugën tonë integruese: Kapitulli 19: Politikat sociale dhe punësimi, Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Kapitulli 24: Drejtësi, liri dhe siguri, Kapitulli 25: Shkenca dhe hulumtimi dhe Kapitulli 27: Mjedisi.

Siç, nga një anë, Qeveria momentale nuk mund të marrë meritat ekskluzive për avancimin e Kosovës në vlerësimin e përgatitjes së përgjithshme për anëtarësim në BE, ashtu, nga ana tjetër, ajo nuk mund edhe të akuzohet për performancë të dobët të këtij viti. Reformat në rrugën tonë integruese janë komplekse dhe varen nga shumë faktorë politikë, socialë, ekonomikë dhe kulturorë. Ato shpesh pengohen nga vëmendja disproporcionale që u kushtohet çështjeve të ndjeshme politike, siç është dialogu me Serbinë. Po ashtu, ato thjesht marrin kohë dhe kërkojnë investim dhe vullnet kokëfortë politik gjatë disa vjetëve me qëllim të jetësimit të tyre nga i gjithë spektri politik. Kjo është edhe arsyeja pse publikimi i çdo raporti vjetor të BE-së për Kosovën nuk duhet të jetë shkak për agjendat afatshkurtra dhe polarizuese politike, por moment unifikimi për hir të qëllimit afatgjatë dhe më strategjik të vendit tonë: anëtarësimit tonë në BE.