Pas dështimit katastrofik të përpjekjes së administratës Trump për t’i marrë përsipër aspektet ekonomike të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, Bashkimi Evropian ktheu primatin përmes një serie takimesh javën e kaluar midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së, Joseph Borrell.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, është duke e kthyer dialogun që synon se brenda disa muajsh e jo vitesh ta arrijë një normalizim gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë, sërish në binarë brenda kontekstit evropian, ku edhe e ka vendin. Evropianët janë të hapur për të bashkëpunuar me SHBA-në, gjë kjo e domosdoshme për sukses.
Por ngutja mund të çojë gjithçka huq. Përgatitjet për negociata janë shpesh më të rëndësishme sesa ato që thuhen në tavolinën e negociatave. Shoh mungesë përgatitjeje në të katër kryeqytetet: Prishtinë, Beograd, Bruksel dhe Washington.
Prishtina
Teksa presidenti Thaçi është lënë anash përmes aktakuzës, kryeministri do të jetë në krye të ekipit negociator të Kosovës. Qeveria e tij ka një shumicë të ngushtë në parlament. Kjo shumicë duhet të arrijë deri në dy të tretën e votave, para se të angazhohet seriozisht në kontaktet me Serbinë. Kjo do të siguronte se çfarëdo marrëveshjeje e arritur prej tij në Bruksel mund të zbatohet në Prishtinë. Një gjë e tillë po ashtu do ta zbehte rolin e deputetëve serbë që janë të kontrolluar nga Beogradi, duke e mundësuar në të njëjtën kohë zgjedhjen e një presidenti të ri, nëse aktakuza konfirmohet dhe Thaçi jep dorëheqjen.
Hoti ka paraqitur një platformë të arsyeshme për qëndrimin e tij fillestar, por s’kam parë sinjale për ndonjë përgatitje serioze rreth shumë çështjeve që do të jenë në agjendë, përfshirë çështjet kryesore politike: A do të synojë Kosova njohjen reciproke nga Serbia, apo do të jetë e kënaqur me anëtarësimin në OKB? Si mund të arrihet një gjë e tillë? A do ta lejojë Kosova krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në pajtim me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese? Si do të zgjidhen çështjes pronësore pas normalizimit? Si do të mbrohen serbët, lokalitetet fetare serbe dhe pronat e tjera në Kosovë?
Beogradi
Presidenti Vuçiq e ka atë e cila i mungon Hotit: përkrahje prej mbi dy të tretave në parlament falë bojkotimit të zgjedhjeve prej shumicës së partive opozitare. Ai dominon mbi mediet dhe gjykatat në mënyra për të cilat do t’i kishte lakmi secili autokrat. Ai po ashtu ka një alternativë të marrëveshjes: nuk e ka problem “status quonë”, së paku derisa BE-ja t’ia bëjë atë më të dhimbshme, apo t’ia paraqesë një alternativë më tërheqëse.
Por, ai është i kurthuar në atë pozitë të rehatshme. Ndonëse shumica e serbëve mërziten më shumë rreth papunësisë dhe COVID-19 sesa rreth Kosovës, Vuçiqi nuk ka bërë asgjë për t’i përgatitur qytetarët e tij ta pranojnë se Kosova është e humbur. Në vend të kësaj, ai ka aluduar vazhdimisht se do ta dorëzojë Kosovën, e cila nuk është e tija, nëse merr diçka në shkëmbim. Nuk ka ndonjë gjë të madhe që mund t’i jepet atij. Kur ish-presidenti finlandez, Ahtisaari, e përpiloi planin që rezultoi me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ai ia dha Serbisë të gjitha që i deshi, shkaku që mendoi se Beogradi do ta njihte shtetin e ri.
Vuçiqi apo ndonjë lider i Serbisë në të ardhmen duhet t’ia mësyjnë t’i bindin qytetarët serbë se ata do të përfitonin më shumë prej raporteve të mira, të normalizuara, fqinjësore me Kosovën, sesa prej gjendjes aktuale.
Qëndrimi aktual i Beogradit – se Kosova mund të mos jetë nën kontrollin e tij, porse kjo nuk është arsye për të hequr dorë – është kundërproduktive për ekonominë serbe dhe ambiciet e Serbisë rreth BE-së.
Brukseli
Brukseli ka ndihmuar të lihet anash ideja për shkëmbim territoresh midis Beogradit dhe Prishtinës, gjë të cilën e shpresonte Vuçiqi. Tani Brukseli duhet të mendojë se çfarë mund të ofrojë si “shkop dhe karotë”, për ta nxjerrë Vuçiqin nga pozita e tij e rehatisë. Këtu mund të përfshihet pako e rimëkëmbjes nga COVID-19 dhe fonde të pajtimit rajonal. Por, në anën tjetër, Beogradi do të mund të kushtëzohej që bisedimet për anëtarësim të varen nga performanca në dialogun me Prishtinën, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, ripërtëritjen e ndjekjes penale të kriminelëve të luftës dhe gatishmërinë për t’i pranuar elementet esenciale të normalizimit, si bashkëpunimi me ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës së Kosovës.
Sa i përket Prishtinës, Brukseli ka shumë punë për të bërë: liberalizimin e vizave për Kosovën, kushtet rreth të cilave Prishtina i ka plotësuar tash e sa kohë; ta përgatisë një mekanizëm serioz, mundësisht bashkë me SHBA-në, për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të ardhshme që dalin prej dialogut; të bindë pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që këtë gjë ta bëjnë jo kur Kosova ta mbërrijë fazën e anëtarësimit, që është shumë larg të ndodhë, por kur ta arrijë statusin e kandidatit.
Këta hapa do t’ia jepnin Brukselit atë besueshmëri që i duhet dhe aktualisht i mungon në Kosovë. Natyrisht se do ta humbë atë besueshmëri, nëse Beogradit i ofrohet diçka, por jo edhe Prishtinës.
Washingtoni
Richard Grenelli, që vazhdon të jetë i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Beograd-Prishtinë, nuk është bashkëbisedues i besueshëm as për Evropën, të cilën e ka ofenduar në raste të shumta, e as për Kosovën, territorin e së cilës do ta shkëmbente me qejf. Ai mund t’i vazhdojë përpjekjet e tij paralele, kryesisht të pakoordinuara për arritjen e marrëveshjeve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, por ka pak gjasa për ndonjë gjë substanciale. Ai tashmë është duke e rifokusuar vëmendjen e tij tek fushata zgjedhore, e cila gjatë tërë kohës ka qenë një prej motiveve të tij për një spektakël diplomatik me Prishtinën dhe Beogradin.
Biden e ka bërë të qartë se do ta kthejë SHBA-në në pozicionin e saj të normal në Ballkan: përkrahjen për demokracinë, sundimin e ligjit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe normalizimin midis Prishtinës dhe Beogradit. Ndonëse Bideni është shumë më përpara, bazuar tek sondazhet aktuale, kanë mbetur më shumë se tre muaj para zgjedhjeve. Vështirë e kam të paramendoj diçka të mirë prej Washingtonit zyrtar, para se Trumpi të largohet nga posti, ndonëse pjesëmarrja në ndonjë mekanizëm ndërkombëtar monitorues është gjë e prekshme. Brukseli, Beogradi dhe Prishtina duhet të sigurohen se nëse zgjidhet Bideni, ato do të jenë të gatshme ta mirëpresin një angazhim më serioz amerikan.
(Marrë nga Peacefare.net)