Punët i kemi keq, sepse nuk flasim me një zë. I kemi keq, sepse nuk e kemi përcaktuar njëmend se cili është interesi ynë shtetëror dhe cilat janë vijat e kuqe përnjëmend. Ngase në 10 vjetët e fundit kemi pasur aq shumë vija të kuqe, që i kemi shkelur vetë, sa askush më nuk mundet të na marrë seriozisht
Nga e premtja e shkuar e deri dje, Kosova shënoi madje 78 vdekje si pasojë e virusit korona, pra thuajse nga dhjetë veta në ditë, ndërkohë që numri i të infektuarve e kaloi 11-mijëshin. Ky është numri zyrtar. Numri real, kush e di sa i madh do të jetë, meqë vlerësohet se nuk është testuar më shumë se 2,5% e popullsisë.
Nga shembulli i jashtëzakonshëm i disiplinës dhe mbajtjes së numrave nën kontroll në pranverë, dolëm në krye të listës së shteteve me menaxhimin më të keq të pandemisë në verë. Dhe nuk është vetëm numri i vogël i të testuarve, sa janë mungesa e barnave, furnizimi me oksigjen industrial në vend të atij mjekësor, licencimi i laboratorëve privatë për kryerjen e testit serologjik me çmime të larta e shumë anomali të tjera që janë duke e përcjellë Kosovën në këta dy muaj e gjysmë prejse kjo Qeveri mori pushtetin në dorë.
Ndërkohë, Kuvendi nuk e kaloi Ligjin për vlerat e luftës, pas kritikave të shumta, dhe e kaloi atë të pandemisë, të cilin LDK-ja refuzonte madje ta qiste në rend dite, vetëm për shkak se propozuese ishte Vjosa Osmani me ca kolegë.
Porse e gjithë atmosfera politike në Kosovë nuk do të ishte kjo, e cila kurrë nuk të lë të mërzitesh, po të mos ishin ambiciet e pafundme të politikanëve aktualë, që këtë javë na sollën kandidimin e Ramush Haradinajt për kryetar shteti, nja gjashtë muaj para kohe, si dhe ftesën për "negociata në Washington, në Shtëpinë e Bardhë", sipas një cicërime të Grenellit në Twitter.
Pandemia shumëfish e shtrenjtë
Humbja e jetëve për shkak të virusit, që ende nuk i gjendet çareja, është e pakompensueshme. Dhe nuk bëhet përherë fjalë për njerëz të moshuar, si kategoria më e rrezikuar, por edhe për njerëz në të 40-t, mes të cilëve jo pak u dorëzuan para sulmit vdekjeprurës të virusit.
"Ki kujdes e mos bëj panik", është më lehtë të thuhet sesa të respektohet. Që nga çasti kur u bë publik licencimi i laboratorëve, numri i njerëzve që kërkojnë t'i nënshtrohen testimit është tepër i madh, aq sa këta laboratorë nuk kanë kapacitet për të procesuar.
Një firmë franceze ka hedhur në shitje një pako (kit) të testit serologjik me çmim prej 10 eurosh, dhe nuk e di nëse laboratorët kanë bërë porosi nga ky prodhues ose jo. Porse atë që e di, prej kolegëve që u janë nënshtruar testimeve ditëve të fundit, është që një testim për "nëse e ke, apo edhe nëse e ke pasë Covidin" kushton 55 euro. E tash t'ia qesim lapsin e të shohim cila pjesë e popullatës e ka luksin, se luks u bë, që ta bëjë këtë testim. Pjesa më e madhe nuk e ka. Dhe këtu shteti, edhe një herë, bie nga provimi.
Në situatë pandemie, shteti duhet të kujdeset si për testime ashtu edhe për shërimin e pacientëve. Parandalimi është punë e qytetarëve, e edhe ne këtu kemi rënë në provim, me të dyja këmbët. Sidoqoftë, për shumë shkaqe, edhe të shëndetit të përgjithshëm, e edhe për shkak të përcjelljes së shënimeve për nevoja shkencore, testet duhen të kryhen masivisht. Dhe do të duhej të kryheshin me teste që kanë saktësi më të madhe se 60%, dhe në bazë të tyre të ndërmerreshin masat e radhës për parandalimin e përkeqësimit të mëtejmë të situatës.
Fakti se pas testimeve numri i të sëmurëve do të mund të ishte i madh nuk do të duhej ta brengoste këtë Qeveri, e cila do të akuzohej për dështim në menaxhim. Ngase tashmë ka dështuar. Pavarësisht qëndrimit që, si gramafon i prishur, e përsërisin zyrtarët e saj se gjërat i ka nën kontroll. Nuk i ka.
Grenelli në kundërsulm
Pas anulimit të një takimi tjetër "historik", që duhej të mbahej një të shtunë të korrikut, Grenelli u lajmërua dje në Twitter për ta paralajmëruar një takim në Shtëpinë e Bardhë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.
I pari që u lajmërua për ta plotësuar këtë cicërimë qe Avdullah Hoti. Tha se do të flitet për ekonominë. Ekonomia është lëmi e gjerë - nuk e di kah do t'ia nisin e kah do ta përfundojnë nëse takimi ndodh brenda një dite. Mustafa, Thaçi e edhe ambasadorja Çitaku e përshëndetën takimin. Kurti e vlerësoi si potez parazgjedhor të Grenellit për marketing të Trumpit.
Nuk e di nëse formati i bisedimeve ka paraparë përfshirjen e përfaqësuesve të BE-së në këtë takim. Nëse jo, atëherë pa dyshim po i hyjmë një shtegu dykorsish të bisedimeve, që shkojnë paralelisht njëra me tjetrën. Dhe sado që shumëkush po deklarohet se është mirë që SHBA-ja e mori rolin udhëheqës sërish, problemi është që roli udhëheqës në të kaluarën është koordinuar për së afërmi me partnerët evropianë, kurse tash e gjithë kjo tingëllon si një kakofoni që shurdhon.
Aktakuza e ngritur, por e pakonfirmuar ndaj Thaçit, e prishi planin e "marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë". U ndal hovi i takimeve mes Vuçiqit e Thaçit, ku flitej për shumëçka që nuk bëhej publike. Pas një heshtjeje thuajse njëmujore, dhe menjëherë pas marrëveshjes ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, flitet për negociata (edhe pse jo marrëveshje sikur deri tash) ndërmjet Kosovës e Serbisë. Dhe njoftimi bëhet me Twitter, dhe diku kalimthi e marrim vesh temën.
Ndërkohë, rinisja e bisedimeve në Bruksel sërish na solli mjegull - duke mos ditur se për çfarë u fol, pos që thuhet bisedat qenë të vështira. E si të mos jenë, kur tash Serbia, me Vuçiqin e fortë në pushtet, ia ka dalë ta paraqesë Serbinë viktimë tonën, përderisa ne nuk qemë në gjendje ta ruajmë as dinjitetin në këto takime.
Në cilindo variant, Kosova hyn plotësisht e papërgatitur në cilindo prej binarëve negociues. Përderisa ky kryeministër mbështetet mbi fjalimet e veta, dhe ato i konsideron si platformë bisedimesh, e ndërkohë nuk arrin as t'i mbledhë përfaqësuesit e partive politike për ta diskutuar bile një fjali të këtyre fjalimeve - punët i kemi keq.
I kemi keq, sepse nuk flasim me një zë. I kemi keq, sepse nuk e kemi përcaktuar njëmend se cili është interesi ynë shtetëror dhe cilat janë vijat e kuqe përnjëmend. Ngase në 10 vjetët e fundit kemi pasur aq shumë vija të kuqe, që i kemi shkelur vetë, sa askush më nuk mundet të na marrë seriozisht.
E di që shumëçka në këtë vend mbase do të sqarohet në vjeshtë, kur ta kemi njoftimin për konfirmimin ose jo të aktakuzave. Ngase ato do të jenë, e deshëm ose jo, përcaktues të zhvillimeve të mëtejme politike dhe shkuarjes në zgjedhje të reja eventuale. Për shkak se nëse tash është një shumicë e brishtë, e hallakatur dhe e pafuqi, edhe më e hallakatur edhe e pafuqi do të jetë po qe se një pjesë e figurave politike detyrohen të tërhiqen për shkak të Speciales.
Kalkulimi i Haradinajt
E Specialja është përcaktuesja e veprimit të fundit të Haradinajt - shpalljes së kandidaturës për kryetar të shtetit.
Do të kujtojmë se në çastin kur e mori ftesën për të shkuar në Hagë për t'u marrë në pyetje si i dyshuar, Haradinaj e dha dorëheqjen. "Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’u dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar", kishte thënë. Atëherë kalkuloi se në zgjedhje do të fitonte shumë përkrahje për veprimin simbolik. Nuk ia kishte qëlluar manovrës, porse i fitoi edhe gjashtë muaj pushtet, ende si kryeministër (ani pse në detyrë), dhe ende me epitetin e të dyshuarit të Speciales.
E tash, një vit më vonë, shpall kandidaturën për postin e të parit të shtetit, pasi që është marrë në pyetje si i dyshuar, dhe me gjasa, hipotetike, që t'i ngrihet aktakuzë. Pra, në situatën hipotetike se Thaçit i ngrihet aktakuza në tetor, dhe nëse ky hipotetikisht jep dorëheqjen ashtu siç ka premtuar, atëherë sërish hipotetikisht Haradinaj do të kishte mundësinë të zgjidhej kryetar po qe se i mbledh 61 vota, të cilat nuk jam bash e sigurt se i ka. Po nejse, në situatën hipotetike të zgjedhjes së tij, vjen sërish situata hipotetike që posa të zgjidhet, t'i ngrihet aktakuza. Dhe natyrisht, pas kësaj do të duhej të dorëhiqej.
Pra arsyeja e vetme për një veprim të këtillë do të ishte që të sigurohej se do të mund të vepronte sikur më 2005-n, kur tashmë e dinte se po e priste aktakuza, porse që në Hagë shkonte nga pozita e kryeministrit, vullnetarisht, dhe me disa beneficione që të tjerët nuk i kishin. Apo ndoshta ka edhe ndonjë arsye tjetër që nuk po më shkon nëpër mendje, e që mbase do ta kuptojmë andej nga vjeshta.
* * *
Nuk e di nëse dikush e ka paramenduar 2020-n si vit të lig. Porse për ne doli edhe më i lig, edhe përtej pandemisë. Thuajse nuk na mjaftonte ballafaqimi me një armik që e kemi ditur se nuk mund ta mposhtim, për shkak se 20 vjet na e kanë shkatërruar shëndetësinë. Na doli ballafaqimi i sërishëm me virusin politik, i cili na ka dërrmuar për së brenda, e tash po na e ha edhe trurin copë-copë.
Është e pabesueshme që si popull ende nuk mësuam asgjë nga keqqeverisja 20-vjeçare. Heshtëm 20 vjet. E tash edhe nëse duam të shprehemi në rrugë, nuk na lë pandemia. Shyqyr doli ky arsyetim e tash vazhdojmë të durojmë në pritje se gjërat rregullohen vetë. Ani pse nuk rregullohen.