Të pangopshmit janë të disallojshëm – ata që nuk ngopen pushtet; para; pushtet e para bashkë; ndikim; para, ndikim e pushtet bashkë, e shumëçka tjetër. Të pangopshmit janë ata që nuk e kanë lënë dhe vazhdojnë të mos e lënë këtë vend që të ecë përpara, sepse syri i uritur nuk u lejon të këqyrin esëll dhe më larg sesa rrethi i tyre i ngushtë
Sot po i hyjmë javës së fundit të një fushate zgjedhore ku, “pa pritë e pa kujtu” yll u bë PZAP-ja. Me veprime superekspeditive dhe, kryesisht, me vendime shumë mirë të mbështetura dhe të argumentuara, që nga fillimi i fushatës, PZAP-ja ka shqiptuar një kiamet dënime, në bazë të një kiamet ankesash. Deri dje, kur u shqiptuan madje 75 mijë euro dënime, vlera e përgjithshme më duket se sillet aty nga 400 mijë euro.
E frymëzuar nga puna superefikase e PZAP-së, para dy ditësh e shkrova një status në FB duke sugjeruar që paratë e mbledhura nga gjithë këto shkelje, shkaktuar nga partitë politike gjatë procesit të fushatës, do të duheshin ndarë për studentet që zgjedhin t’i studiojnë shkencat ekzakte. Së paku 70 sosh do t’i merrnin nga 500 euro në muaj për një vit, dhe në vend të broçkullave, do të mund të na sillnin një cilësi të re nxënieje dhe njohuri të cilave do t’ua shihnim hairin në perspektivën jo fort të largët.
Nuk e besoj se kush do ta marrë seriozisht propozimin tim, por bile nuk mund të thonë se nuk e kanë ditur...
* * *
Tri të katërtat e fushatës na sollën programe politike të stilit “tue pa, tue bâ”. Pra, siç edhe u parashikua që në fillim, aty ka listë të gjatë dëshirash dhe premtimesh që njerëzit kanë qejf të dëgjojnë, por që janë zor të realizueshme, ngase shumë sish nuk është se janë analizuar a kalkuluar si duhet kur janë qitur në letër.
Efekti te populli me gjasë është mbërritur: krejt premtojnë, krejt caktojnë afate joreale për përmbushje premtimesh, e mandej merren me njëri-tjetrin: tallen, ofendohen, nënçmohen, akuzohen... dhe mandej përfundojnë në PZAP. E pse jo? Pse a mos paratë e veta po i shpenzojnë, a? Krejt këto dënime mund t’i mbulojnë me paratë që i ka ndarë KQZ-ja për fushatë. Dhe në fund edhe u teprojnë.
Mirë që fushata hyri në fazën e vet të fundit. Nesër një javë do të dalim në votime. Unë gjithsesi se do të dal, nëse për asgjë tjetër, për ta mbrojtur votën time. E jo për shkak se mes partish e gjeta bile një program që njëmend tingëllon racional dhe i cili duhet të na sjellë mirëqenie.
* * *
Derisa e gjithë vëmendja megjithatë është kthyer nga fushata, gjërat po ndodhin te ne dhe përreth nesh.
Ndër vendimet e para të Trumpit qe ngrirja e ndihmave ndërkombëtare që pati efekt të menjëhershëm edhe në Kosovë te projektet e përkrahura nga Ambasada amerikane dhe USAID-i. Vendimi nënkupton pezullim 90-ditësh ku do të bëhet rivlerësimi nëse këto ndihma janë në pajtim me politikën dhe strategjinë e presidencës së Trumpit. Dhe tregon se shumë vende në botë janë shumë të varura nga ndihmat amerikane, përfshirë edhe Kosovën, sidomos në sferën e shoqërisë civile.
Por kjo ndalesë ndihmash duket të mos ketë efekt te fqinji ynë verior.
Pamje fantastike dje qe ajo e studentëve serbë që janë nisur këmbë nga Beogradi për në Novi-Sad (nja 100 kilometra distancë), me qëllimin që të mbërrijnë në qytetin ku ndodhi tragjedia që e nxiti protestën e tyre, e ta shënojnë tremujorin e ngjarjes dhe t’i bllokojnë ca ura e rrugë.
Protesta që nisi me heshtje e që me gjasë nuk u mor seriozisht nga Vuçiqi, derisa nuk u “detyrua” ta organizonte një “kontramiting” në Jagodinë (ku thuhet se protestuesit ishin bartur me autobusë e mjete të tjera transporti), tashmë ua “mori kokën” dy ministrave dhe kryeministrit. Ani pse përshtypja e cila dominon që sa vjet në Serbi është se Qeveria e Serbisë kryesisht shërben si marionetë, ndërkohë që të gjithë penjtë i tërheq vetë Vuçiqi.
Nuk e di se cili do të jetë epilogu i këtyre protestave, por duket se kjo është tronditja më e rëndë që e ka pësuar despoti serb, i cili “kurrë nuk fle, kurrë nuk pi kafe, por vetëm mendon për popullin e vet”.
Nga ana tjetër, fqinja e Serbisë, e dalë në Evropë prej kohësh, Kroacia, u bë vendi që shënoi një protestë të paparë deri tash – një shembull të lëvizjes qytetare që proteston kundër mjeljes së pafund të popullsisë nga rritja e pakontrolluar e çmimeve. Dhe kundër mungesës së masave qeveritare për ta ruajtur standardin jetësor të popullatës.
Platforma e quajtur “Halo inspektore” (Alo inspektor!) kërkoi nga konsumatorët që t’i bojkotonin tri nga rrjetet kryesore tregtare, “Lidl”, “Eurospin” dhe “dm” dhe tri lloje produktesh: Coca-Colan dhe pijet e tjera me gaz, ujin e ambalazhuar dhe detergjentet për enë.
Krahasuar me dy javë më parë (kur nuk kishte pasur bojkot), vlera e produkteve të blera dje ishte 42% më e vogël. Intenca e platformës është që bojkoti të zgjasë një javë, gjatë së cilës do të ushtrohet presioni mbi tregtarët që t’i ulin çmimet që kanë dalë jashtë kontrollit, në emër të inflacionit.
E fakti është se inflacioni në zonën Euro në muajin dhjetor ka qenë 2.4% dhe se kriza e para tre vjetëve (10.6% inflacion) tashmë është tejkaluar. Por, edhe çmimet e kanë tejkaluar normalen...
* * *
Te ne nuk ekziston një platformë kredibile që do të mund ta aktivizonte shoqërinë e dehur kosovare (kryesisht me politikë, me të cilën ushqehemi mëngjes, drekë, darkë) e që ta organizonte një protestë të ngjashme paralajmëruese për shkak të rritjes anormale të çmimeve që nga shpërthimi i pandemisë.
E po qe se do të ketë indice për krijimin e një të tille, mbase informatën shumë treguese që mora dje nga miku im Blendi Hasaj, do të duhej ta kishin parasysh. Ky qe postimi i tij në FB:
“Një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Kosovë, veç në vitin 2023 i kishte 15.4 milionë euro fitim të pastër (d.m.th, pasi që zbriten kostot e mallrave, punëtorëve, tatimi në fitim prej 10%, etj), e që ishin rreth 4 milionë euro më shumë fitim se në vitin 2022 (11.4 milionë euro).
E një rrjet tjetër i supermarketeve, në vitin 2022 i kishte fitim të pastër (neto) rreth 14 milionë euro. E në vitin 2021 rreth 10 milionë euro fitim neto.
Rritu norma e inflacionit, e njëkohësisht rritu edhe marzha e fitimit ose fitimi te këto biznese! Bartje e kostos te konsumatorët fundorë, pra qytetarët. E të mos harrojmë që të njëjtëve (bizneseve) nuk u ishte rritë as çmimi i rrymës.
Ndonëse në disa vende në botë, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve gjatë vitit 2022, rrjete të mëdha supermarketesh, sikurse në Francë, Australi, SHBA etj., kishin marrë vendime për të mos i rritur çmimet e shitjes së produkteve bazike për muaj të tërë, si dhe për t’i ulur shumë prej tyre - pavarësisht luhatjeve në çmimet e furnizimit. Rrjetet “Carrefour” dhe “E. Leclerc” (Francë) kishin vendosur të mos i ndryshojnë çmimet e 100 dhe 230 produkteve bazike, respektivisht, “Coles” (Australi) i kishte ngrirë çmimet për 1100 produkte dhe ulur ato për 500 tjera, “Giant Eagle” (SHBA) ka bërë 20% zbritje në mbi 1000 produkte etj. Pra, e kishin marrë përsipër një kosto shtesë, rrjedhimisht e kishin ulur fitimin e tyre.
E vërtetë që jemi në treg të lirë dhe dikush edhe mundet me thënë se pse atëherë nuk po hyn dikush i ri në treg që të fitojë më pak dhe t'i përfitojë blerësit e pakënaqur, veçse për që është lakmi e tepruar e mungesë e një përgjegjësie shoqërore, nuk ka fjalë që është.
Postimi i Blendit ka të bëjë me supermarkete, e mbase postimin e radhës do t’ua kushtojë bankave – “industrisë” më profitabile në vend – që nuk pasurohen nga interesat aq shumë sa pasurohen nga tarifat e taksat me të cilat na mbysin dhe ndaj të cilave BQK-ja rri heshtur.
* * *
Të pangopshmit janë të disallojshëm – ata që nuk ngopen pushtet; para; pushtet e para bashkë; ndikim; para, ndikim e pushtet bashkë, e shumëçka tjetër.
Të pangopshmit janë ata që nuk e kanë lënë dhe vazhdojnë të mos e lënë këtë vend që të ecë përpara, sepse syri i uritur nuk u lejon të këqyrin esëll dhe më larg sesa rrethi i tyre i ngushtë.
Siç e tha edhe miku im, ata janë personifikimi i dy elementeve kyç: lakmisë së tepruar dhe mungesës së përgjegjësisë shoqërore.