OpEd

Të pamposhturit e Kievit

Mbi 400 ditë pas fillimit të agresionit rus, shërbimet sekrete ukrainase vazhdimisht po ia dalin ta godasin në zemër hegjemonin në Moskë. Një strategji efektive

Ndonëse zyrtarisht askush në Kiev nuk e merr përgjegjësinë, ka pak dyshime se shërbimet sekrete ukrainase kanë arritur të godasin disa herë në zemër hegjemonin rus. Në fund të gushtit të vitit që shkoi në Moskë u vra në një atentat Darja Dugina, e bija e propagandistit rus Aleksandar Dugin. Njëjtë si i ati, edhe Dugina ishte një përkrahëse agresive e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ajo i la kockat në asfaltin e Moskës, ndonëse besohet se cak i sulmit ishte Aleksandar Dugini.

Në fillim të prillit në Shën Petërburg u vra Maksim Fomin, i njohur si bloger i temave ushtarake me emrin Vladlen Tatarski. Ai kishte 570 mijë ndjekës në kanalin e tij në Telegram. Vrasja e tij ishte spektakulare: një grua iu afrua Tatarskit në një restorant dhe ia dhuroi një bust. Tatarski po bëhej gati për një debat me ithtarët e tij. Nuk e dinte se brenda bustit ishte një material shpërthyes. Kështu mori fund jeta e tij.

Kafehania ku vdiq është pronë e Jevgeni Prigoshinit, biznesmen nga Shën Petërburgu, i njohur si “kuzhinieri i Putinit” dhe edhe më shumë i njohur si shef i “Wagnerit”, një njësie me mercenarë rusë, të cilët luftojnë në Ukrainë dhe janë aktivë edhe në vende afrikane. Prigoshini ka ngjashmëri me paramilitarët serbë të viteve ‘90, të cilët të dirigjuar nga shërbimet sekrete të Beogradit vrisnin e grabisnin popullsinë civile në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Pas vrasjes së Darja Duginas, sipas shërbimeve amerikane, qëndronin me gjatë shërbimet sekrete ukrainase, ndërsa për likuidimin e blogerit Vladlen Tatarski supozimet janë të ndryshme: mund të jetë shërbimi sekret i Kievit ose vetë aparati i Vlladimir Putinit, me qëllim që të frikësojë rrjetin e forcave joformale ushtarake, të cilin Putin e përdor për krime të llahtarshme, por si paranoik që është nuk ka interes që këto grupe të rrisin ndikim të cilin një ditë diktatori rus nuk do të mund ta kontrollonte. Gjatë fundjavës Prigoshin pranoi se trupat e tij janë duke pësuar humbje të mëdha dhe kërcënoi me largim nga qyteti i Bahmutit. “Çdo ditë i palosim nga 1000 kufoma, i fusim në arkivole dhe i kthejmë në shtëpi”, tha Prigoshin.

Afër kufirit me Ukrainën, në trevën ruse të Bërjanskut, u sulmua një tren, i cili po bartte naftë. Në fundjavë mori flakë një depo e naftës dhe benzinës në Sevastopol të Krimesë, e cila që nga viti 2014 gjendet nën pushtimin rus. Zyrtarisht Ukraina nuk ka pranuar se ka gisht në këtë sulm, por vëzhguesit dhe ushtarakët ukrainas theksojnë se këto sulme janë pjesë e përgatitjeve për ofensivën e shumëpritur të Kievit kundër pushtuesve rusë. Kjo ofensivë pritet të fillojë në ditët në vijim, kështu së paku kanë lënë të kuptohet politikanët kryesorë ukrainas.

Këto dhe goditje të tjera të Ukrainës e shtojnë ndjenjën e pasigurisë brenda forcave dhe politikës ruse. Kjo strategji ukrainase është mjaft efektive. Nervozizmi i palës ruse është i dukshëm. Ditëve të fundit janë shtuar sulmet ruse kundër caqeve civile në Ukrainë. Në fillim të kësaj jave u ndërrua zëvendësministri Mihail Misincev, i cili në shtatorin e kaluar ishte ngarkuar me furnizimin material dhe teknik të ushtrisë. Pas 7 muajsh në post, ai duhet t’ia lirojë vendin një gjenerali që vjen nga garda nacionale e Rusisë, një lloj garde pretoriane e Putinit.

Ndërsa opinioni në Ukraine dhe në Perëndim është në pritje të ofensivës së trupave të Kievit, në prapavijë duket se ka përpjekje për gjetjen e kanaleve për negociata mes Ukrainës dhe Rusisë. Javën që shkoi lideri kinez Xi Jinping telefonoi me presidentin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski. Kjo ishte biseda e parë mes tyre që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës. Në përpjekjet për ndërmjetësim duket se ka filluar të përzihet edhe Papa Françesku, i cili që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës nuk është shquar me deklarata të mençura, por artificialisht të balancuara, gjë që në thelb mund të lexohen si tolerancë ndaj imperializmit rus.

Në mars Papa Fraçesku tha se lufta në Ukrainë qëmoti është shndërruar në luftë botërore dhe në treg të industrisë ndërkombëtare të armatimit. Në këtë luftë Papa sheh interesa imperialiste te të gjitha palët. Pas vizitës në Hungari në fundjavë Papa nga Argjentina paralajmëroi një mision paqësor për të cilin premtoi se do të flasë kur të vijë koha. Në Budapest, Papa takoi metropolitin Hilarion të Budapestit dhe Hungarisë, i cili më herët ka qenë si të thuash ministër i Jashtëm i Patriarkatit të Moskës dhe konsiderohet njeri i besueshëm i patriarkut rus Kiril, i cili ka qenë bashkëpunëtor i shërbimit sekret sovjetik. Lidhur me takimin me metropolitin Hilarion, papa Françesku tha: “Mund ta merrni me mend se në atë takim nuk kemi folur për kësulëkuqen, por për gjithçka tjetër”.