Këtë vit Kosova shënon 20-vjetorin e zgjedhjeve të para demokratike. Nëse shikojmë prapa në tetor të vitit 2000, mund ta kujtojmë të gjithë punën e palodhshme në organizimin e zgjedhjeve dhe në bërjen e tyre një sukses.
Në verën e vitit 1999, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e krijoi Misionin në Kosovë me mandat për të organizuar dhe mbikëqyrur zgjedhjet, sipas Vendimit 305 të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së. Unë isha drejtor i Operacioneve Zgjedhore për OSBE-në në ato zgjedhje dhe kisha emërim të përbashkët nga OSBE-OKB-ja si kreu i Task Forcës së Përbashkët të Regjistrimit.
Për të organizuar këtë proces të parë zgjedhor, ishte e nevojshme të hartohej Kodi Zgjedhor nga e para, të krijohej infrastruktura zgjedhore, të përcaktohej elektorati, të krijohej mjedis për pjesëmarrje dhe të krijohej sistemi i përfaqësimit. Çdo hap duhej të udhëhiqej nga standardet ndërkombëtare për gjithëpërfshirjen, transparencën dhe llogaridhënien.
Mbajtja e zgjedhjeve komunale ishte e rëndësishme për krijimin e strukturave të zgjedhura të qeverisjes lokale, të cilat në atë kohë drejtoheshin tërësisht nga personeli ndërkombëtar i UNMIK-ut. Për më tepër, zgjedhjet komunale paraqitën mundësi për të ushqyer demokracinë nga niveli bazë në qeverisjen lokale.
Korniza zgjedhore përcaktoi disa elementë kryesorë të procesit, duke përfshirë financimin e fushatës dhe deklarimin e shpenzimeve, kuotën gjinore për kandidatët, kodet e sjelljes për fushatat politike, sanksionet për shkelje të rregullave të fushatës, qasjen e barabartë në media, pjesëmarrjen nga personat e zhvendosur nga konflikti, programet e komunikimit me votuesit me nevoja të veçanta, standardet e rikthimit të identitetit, kontrollin e mashtrimit dhe ndjeshmërinë e gjuhës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë nisi projektin e planifikimit zgjedhor në dhjetor të vitit 1999. Plani operativ identifikoi parametrat kryesorë të cilët do të bëheshin shtyllat themelore strategjike për hartimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor:
Regjistrimi, fushata dhe votimi janë të hapura dhe të qasshme për të gjitha etnitë dhe lokacionet e votuesve të Kosovës që banojnë brenda dhe jashtë Kosovës.
Procesi duhet të minimizojë fërkimet dhe mundësitë për konfrontim të dhunshëm midis garuesve.
Siguria e votuesve, kandidatëve, organizatorëve, vëzhguesve dhe gazetarëve është prioritet mbizotërues mbi të gjitha aspektet e procesit.
Procesi është krijuar për të minimizuar copëzimin dhe fraksionizmin në politikën e Kosovës.
Procesi posedon veçori që e bëjnë atë të dallueshëm nga zgjedhjet e mbajtura në Kosovë para vitit 1999.
Njerëzit nga Kosova do të përfshihen në planifikim dhe zbatim në çdo nivel dhe në të gjitha institucionet zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme për të konsoliduar qeverisjen demokratike dhe për të krijuar organe të zgjedhura përgjegjëse për vendimet e politikave publike.
Organizimi i zgjedhjeve përfshinte një gamë komplekse të organizatave ndërkombëtare, forcave të sigurisë dhe organizatave joqeveritare. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) kreu regjistrimin dhe procesin e votimit për personat që jetojnë jashtë Kosovës. Këshilli i Evropës bëri vëzhgim ndërkombëtar të zgjedhjeve. KFOR-i, Policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK) ofruan siguri dhe mbështetje tjetër për procesin zgjedhor. Partnerët e OJQ-ve përfshinë Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES) në mbështetje të administratës zgjedhore dhe procesit të informimit, ndër fusha të tjera; dhe Handikos ishte partner kyç i OJQ-ve lokale në programin e votimit për nevoja të veçanta, ndërsa OJQ-të e tjera lokale mbështetën edukimin e votuesve dhe monitorimin e zgjedhjeve.
U krijuan trupat zgjedhore për të kryer procesin zgjedhor, duke përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) Nënkomisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) dhe Këshillat e Vendvotimeve për të mbështetur KQZ-në në nivel lokal. Këshilli Konsultativ për Parti Politike (KKPP) shërbeu si instrument ndërlidhës mes KQZ-së, Sekretariatit të tij dhe Departamentit të OSBE-së për Operacione Zgjedhore (DEO) dhe atij të Demokratizimit me partitë politike të saporegjistruara të Kosovës. Task Forca e Përbashkët e Regjistrimit (TPR) u krijua mes UNMIK-ut dhe OSBE-së për të kryer regjistrimin civil dhe të votuesve si një veprim i vetëm për votuesit.
KQZ-ja ishte e përbërë nga nëntë anëtarë të Kosovës dhe tre anëtarë ndërkombëtarë. Shefi i Misionit të OSBE-së ishte kryesues i KQZ-së dhe kishte anëtarë shtesë nga OSBE-ja dhe UNMIK-u. Përfaqësuesit e Kosovës kishin kualifikime të ndryshme: tre anëtarë përfaqësonin partitë që ishin anëtare të Këshillit të Përkohshëm Administrativ: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia për Progres Demokratik në Kosovë (PDK)[1] dhe Lëvizja e Bashkuar Demokratike (LBD); dy përfaqësonin komunitetin turk dhe atë boshnjak; dhe tre përfaqësonin median, akademinë dhe OJQ-të. Për fat të keq, komuniteti serb nuk emëroi anëtarin serb në KQZ, duke e lënë vendin bosh gjatë gjithë procesit. Puna e KQZ-së plotësohej nga ajo e KKZ-ve, si rrjet i komisioneve lokale që luajtën një rol në regjistrimin dhe menaxhimin e qendrave të votimit dhe në edukimin e votuesve në nivel të komunitetit.
Për sa i përket drejtësisë zgjedhore, KQZ-ja krijoi KZAP-in si organ të ankesave administrative, i ngarkuar për të siguruar pajtueshmëri me rregullat zgjedhore dhe rregulloret e procedurat e tjera që rregullojnë zgjedhjet. Për zgjedhjet komunale të tetorit 2000, përgjegjësitë e tyre përfshinin shqyrtimin e ankesave nga parashtruesit rreth regjistrit të votuesve dhe shqyrtimin e ankesave që pretendonin shkelje të rregullave zgjedhore.
KZAP-i ishte i përbërë nga një kryekomisioner ndërkombëtar dhe tre zëvendëskomisionerë të Kosovës, të gjithë të emëruar nga kryetari i KQZ-së në konsultim me anëtarët e KQZ-së. Tre avokatë ndërkombëtarë dhe katër zyrtarë policie të UNMIK-ut zhvillonin hetime në emër të KZAP-it.
Mbi 900,000 njerëz u regjistruan për të votuar. Nga ata të regjistruar, rreth 890,000 kishin dokumentacion të mjaftueshëm për t'u regjistruar me sukses. Formularët e aplikimit nuk kërkonin përkatësi etnike, por bazuar në vendndodhjen e qendrave të regjistrimit u vlerësua se rreth 90 për qind të personave nga radhët e komunitetit shqiptar morën pjesë në procesin e regjistrimit. Pjesa më e madhe e komunitetit boshnjak dhe atij goran morën pjesë gjithashtu. Përkundër përpjekjeve të mëdha për kontaktim nga bashkësia ndërkombëtare, shumë pak anëtarë të komunitetit serb dhe atij turk morën pjesë në proces. Pjesëmarrja nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ishte e përzier.
Në mënyrë që të parandalohej humbja e të drejtave të votimit nga ata që nuk ishin në gjendje që të prodhonin dokumentacion të mjaftueshëm në qendrën e regjistrimit, TPR ofroi tri shërbime mbështetëse: Shërbimi i rikonstruimit të kopjes së dokumentit, Shërbimi i konsolidimit elektronik dhe rishikimi e hulumtimi. Së bashku këto shërbime përbënin atë që u quajt "Procesi i rishikimit dhe hulumtimit". Për dimensionin e rishikimit të procesit, në secilën komunë u krijuan qendrat komunale të regjistrimit (QKR) për të siguruar shërbimin e rikonstruimit të kopjes së dokumentit. Dokumentet dhe regjistrat që ishin gjetur ishin siguruar dhe u transferuan në qendrat komunale të regjistrimit. Në përfundim të operacionit, QKR-të dhe zyrat e tyre në terren përmbanin afërsisht 3,990,200 dokumente që përdoreshin për të vërtetuar pretendimet e identitetit.
Përkundër përpjekjeve të mëdha, u shfaqën shumë probleme me publikimin e Listës Preliminare të Votuesve (LPV). Kishte shumë gabime dhe lëshime të të dhënave të futura në LPV, duke shkaktuar huti dhe shqetësim në lidhje me integritetin e procesit të regjistrimit. Mirëpo, u ndërmorën veprime korrigjuese dhe shumica e këtyre gabimeve u korrigjuan në Listën Përfundimtare të Votuesve (LPV).
Për të mbështetur pjesëmarrjen e grave në zgjedhje, OJQ-të kryen 37 prezantime për gratë gjatë regjistrimit, dhe 33 të tjera u mbajtën gjatë gjashtë javëve para zgjedhjeve. Mbi 1000 gra morën pjesë në këto ngjarje. Për më tepër, për gratë kandidate u zhvillua një projekt i veçantë me dy faza me titull "Përgatitja e grave për qeverisje". Programi përbëhej nga dhjetë punëtori të ofruara në të pesë rajonet e Kosovës për gati 500 nga 1363 gra kandidate që garonin në zgjedhjet komunale. Punëtoritë u koordinuan nga OSBE-ja në partneritet me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim për Gratë (UNIFEM) dhe Institutin Demokratik Nacional për Çështje Ndërkombëtare (NDI). Ndërsa 30 për qind e kandidatëve për listat e partive u kërkua të ishin gra, vetëm 8 për qind e atyre që u zgjodhën ishin gra për shkak të sistemit të listës së hapur të përdorur në zgjedhjet komunale të vitit 2000. Prandaj, u konkludua se sistemi zgjedhor duhej të ndryshohej në mënyrë që të siguronte përfaqësim më të mirë të grave në të ardhmen.
Kishte një numër grupesh në Kosovë që rrezikonin të mos përfshiheshin në procesin e regjistrimit dhe zgjedhjeve. Pa u regjistruar, këtyre njerëzve nuk do t'u jepej mundësia për të marrë pjesë plotësisht në jetën shoqërore në Kosovë, as nuk do të ishin në gjendje të kërkonin shërbime sociale, as të kishin të drejtë të votonin ose të garonin për poste publike. Për të parandaluar këtë, OSBE-ja identifikoi grupe diskrete individësh, të cilët, për arsye të qarta dhe bindëse, nuk do të ishin në gjendje të votonin në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe hartoi Program votimi për nevoja të veçanta për t'iu shërbyer këtyre grupeve.
Votuesit me nevoja të veçanta përfshinin ata individë që kishin marrë pjesë në procesin e regjistrimit të votuesve dhe posedonin dokument të vlefshëm të regjistrimit, por që nuk do të ishin fizikisht në gjendje të votonin në qendrën e votimit të caktuar për ta. Kjo përfshinte njerëz që ose ishin të shtruar në spital ose të burgosur, si dhe policinë, spitalet dhe personelin e zgjedhjeve të cilët ishin në detyrë ditën e zgjedhjeve. U bënë aranzhime të veçanta regjistrimi dhe votimi për këto grupe.
Një program tjetër i votimit me nevoja të veçanta ishte Programi i votimit jashtë Kosovës për t'ua siguruar të gjithë votuesve me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës mundësinë për t'u regjistruar për të votuar në zgjedhjet komunale. IOM-i kreu procesin e regjistrimit dhe votimit me postë që mbulonte 32 shtete dhe siguronte votim me prani fizike në tre shtete. IOM-i vlerësoi se kishte mbi 340,000 të regjistruar të mundshëm që jetonin jashtë Kosovës. 37,629 njerëz që jetonin jashtë Kosovës u regjistruan të votojnë me postë, ndërsa 1757 kishin të drejtë të votonin personalisht në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Votat e postës filluan të mbërrinin në Zyrën e Koordinimit të Vjenës (VCO) më 2 tetor dhe me ndërprerje në 27 tetor, 27,664 fletëvotime ishin marrë. Nga ky numër, 21,583 ishin në gjendje të pranoheshin dhe numëroheshin.
Divizioni i Shërbimeve për Partitë Politike (PPS) i OSBE-së pranë Departamentit të Operacioneve Zgjedhore (DEO) ishte përgjegjës për të siguruar që partitë politike, koalicionet, iniciativat e qytetarëve dhe kandidatët e pavarur të ishin në dijeni dhe të zbatonin vendimet e KQZ-së gjatë gjithë procesit zgjedhor. Në fund, ishin 19 parti politike, dy koalicione, 15 kandidatë të pavarur dhe tri iniciativa qytetare të certifikuara për votim. Fillimisht u certifikuan katër parti dhe një aleancë, por më vonë u decertifikuan në komuna të caktuara për mos dorëzimin e listave të kandidatëve.
Mbi 1000 mbikëqyrës ndërkombëtarë dhe 11,000 personel lokal të Kosovës punuan krah për krah në ditën e zgjedhjeve. DEO arriti të kishte mbikëqyrje 100 për qind ndërkombëtare në nivelin e qendrave të votimit së bashku me pjesëmarrje të konsiderueshme të stafit nga Kosova. Të gjithë, pra 12,000 persona, u trajnuan rreth procedurave zgjedhore nga trajnerë ndërkombëtarë dhe vendorë të DEO-s.
Në Kosovë u identifikuan 380 qendra të votimit me 1464 vendvotime. Disave prej këtyre qendrave iu kërkua që t'i shërbenin një numri të madh të votuesve. Njëzet qendra, të quajtura "mega qendra të votimit", do t'u shërbenin 7500 ose më shumë votuesve, ndërsa 60 qendra votimi, të quajtura "qendra të mëdha të votimit", do t’u shërbenin nga 3500 deri në 7500 votuesve. Këto qendra të mëdha të votimit ishin të nevojshme për shkak të mungesës së hapësirave të përshtatshme. Qendrat e tjera do t'u shërbenin 3500 ose më pak votuesve.
Në ditën e zgjedhjeve, ky raport i votuesve me qendrat e votimit rezultoi problematik. Votuesit erdhën në numër të madh qysh në hapjen e qendrave të votimit. Një dalje e tillë e hershme mbingarkoi kapacitetet e personelit të qendrave të votimit. Pasoja e kësaj llogaritjeje të gabuar administrative çoi në rende të gjata në vendvotime dhe vonesa në votim. Derisa problemet e hershme të furnizimit dhe personelit u zgjidhën kryesisht në mëngjesin e vonshëm, administrata e ditës së zgjedhjeve u lodh nga hutia që shoqëroi hapjen e qendrave të votimit.
Sidoqoftë, nuk kishte incidente të mëdha të sigurisë ose ndonjë lëndim nga incidentet në ditën e zgjedhjeve. Ky sukses ishte për shkak të planifikimit të plotë dhe bashkëpunues të KFOR-it dhe Policisë së UNMIK-ut. Planifikimi i sigurisë së votuesve për ditën e zgjedhjeve bazohej në planin e sigurisë dhe në mësimet e nxjerra nga procesi i regjistrimit. Plani kishte disa karakteristika, duke përfshirë një sistem vlerësimi të nivelit të kërcënimit për vendin e aktivitetit (e kuqe, e verdhë, ose gjelbër), me Policinë e UNMIK-ut, që ofronte siguri statike në vendvotime, dhe KFOR-in që ofronte siguri për zonën.
Nuk kishte ankesa të paraqitura në KZAP për pretendime të mashtrimit me vota dhe as vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve nuk cituan ndonjë rast të mashtrimit. Monitoruesit e pavarur raportuan disa raste të frikësimit ose fushatave politike në ose përreth vendvotimeve. Si dhe, nuk kishte ndonjë ankesë të rëndësishme të paraqitur në KZAP për shkelje të rregullave zgjedhore nga personeli i qendrave të votimit, ose shkelje të rëndësishme të vëzhguara dhe të raportuara nga vëzhguesit e zgjedhjeve.
Transparenca e procesit u mbështet nga prania e mbi 6000 vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve, mbi 200 vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve të udhëhequr nga Këshilli i Evropës dhe mbi 300 përfaqësuesve të akredituar të organizatave të lajmeve. Monitoruesit ishin të pranishëm në çdo hap të procesit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë numërimin e votave dhe hedhjen e tyre në tabela. Për më tepër, procesi i votimit në qendrat e votimit u administrua nën mbikëqyrje të plotë ndërkombëtare.
Tabela më poshtë tregon disa statistika nga zgjedhjet komunale:
Gjithsej votues të regjistruar |
913 179 |
Pjesëmarrja në votime |
79% |
Fletëvotime të pavlefshme |
3,35% |
Fletëvotime të paplotësuara |
1,4% |
Votimet me kusht |
5,8% |
Votimet me kusht të miratuara |
87,3% |
Gabimet nga Lista përfundimtare e votuesve |
1,9% |
Rezultatet e zgjedhjeve u publikuan në tri faza: rezultatet e pjesshme, rezultatet preliminare dhe rezultatet e certifikuara. Rezultatet e pjesshme të qendrave të votimit që mbulonin 80% të të gjitha vendvotimeve u shpallën brenda 48 orëve nga mbyllja e vendvotimeve me synimin për të siguruar sa më pak tension politik në fazën paszgjedhore. Rezultatet përfundimtare preliminare u përfunduan brenda gjashtë ditëve nga mbyllja e votimeve dhe iu paraqitën KQZ-së nëntë ditë pas zgjedhjeve. Këto rezultate u miratuan unanimisht nga KQZ-ja për certifikim nga UNMIK-u, i cili i certifikoi ato më 7 nëntor, dhjetë ditë pas ditës së zgjedhjeve.
Rezultatet e para-certifikimit ndryshuan vetëm pak nga rezultatet e pjesshme të shpallura më 30 tetor, ndryshimi i vetëm ishte një rritje shumë e lehtë (0.5 për qind) në përqindjen e përgjithshme të votave të fituara nga PDK-ja dhe asnjë ndryshim në numrin e përgjithshëm të votave për LDK-në. Shpërndarja e votave midis tri forcave kryesore politike ishte si më poshtë: LDK me 58 për qind; PDK me 27.3 për qind; dhe AAK me 7.7 për qind.
Procesi gjithashtu mori pranim të gjerë ndërkombëtar nga vëzhguesit e zgjedhjeve nga Këshilli i Evropës dhe përmes deklaratave të mbështetjes në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së më 9 nëntor nga Shtetet e Bashkuara, Franca, BE-ja, Ukraina, Norvegjia, Republika Çeke, Kanadaja, Shqipëria, Turqia dhe Zvicra. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, gjithashtu shprehu miratimin dhe vlerësimin e tij për OSBE-në përmes një letre drejtuar kryesuesit në detyrë, Benita Ferrero-Waldner të Austrisë.
{gallery}