“Planeti juaj është i ndaluar për vizita të hapura”
“Pse?“
“Ambient social tejet agresiv. Me gjithë kushtet klimatike gati perfekte.
Katër miliardë vdekje të dhunshme për 5000 vjetët e fundit.
Gjatë të njëjtës periudhë rreth 15.000 konflikte të mëdha ushtarake.
Deri në shterimin e burimeve dhe zhdukjen e njerëzimit s’kanë mbetur më shumë se 600 vjet.”
Kështu vijon dialogu nga fundi i filmit “Attraction”, ku më tutje jashtëtokësorët, që papritmas demaskohen në Tokë, tregojnë se si ata vetëm vëzhgojnë dhe e kanë të ndaluar të shfaqen, sepse ne jemi dëmtuesit më të mëdhenj të vetvetes. Sepse dëmin më të madh Tokës ia kanë bërë pikërisht njerëzit. Se për ta kjo është e pakuptimtë. Ata jetojnë përgjithmonë dhe nuk dinë për dhunën, shkatërrimin, urrejtjen. Se kontakti me civilizimet e pazhvilluara vetëm sa e përshpejton shkatërrimin e tyre.
E po më mirë se kaq s’mund ta kishin thënë, apo jo. Dhe këtë jo vetëm në nivelin planetar, por sidomos ne e përjetojmë çdoherë e më shumë edhe në nivel kombëtar e shtetëror. Kemi klimën goxha të përshtatshme. Kushte pra të favorshme për zhvillim. Kemi edhe pasuri natyrore (për të cilat mendonim se do të intervenonte Amerika në favor tonin), kemi edhe trurin (që fatkeqësisht po largohet çdo ditë e më shumë)... por kemi edhe krimin e korrupsionin dhe njëfarë delli të pashpjegueshëm që ta dëmtojmë veten. Merreni vetëm periudhën e pasluftës dhe kur t’ia futni lapsin e shihni sa e kemi dëmtuar pikërisht ne vetveten. Sa dëm i kemi bërë, si duke mos votuar fare, po ashtu edhe duke votuar pa ndëshkuar. Si duke vepruar dëmshëm, po ashtu edhe duke mos vepruar fare. Si duke mos raportuar keqpërdorimet po ashtu edhe duke u shtirur sikur nuk kemi parë gjë. Si duke mos kërkuar llogari po ashtu edhe duke ikur jashtë në vendet ku jepet llogari. Si duke shikuar një shtresë përfituesish duke u pasuruar e bërë milionerë po ashtu edhe duke mos reaguar e ndikuar që kjo të dënohet e ndëshkohet. Jemi katandisur në gjendjen ku të korruptuarin e kriminelin e atë që ka krijuar pasuri me mashtrime e vjedhje shumica e kanë zili e duan të bëhen si ata – mundësisht që pasurinë ta arrijnë edhe më shpejt se ata madje. Dhe kjo sikur është bërë sport nacional.
E ne ende organizojmë fushata për ta pastruar vendin, në vend se të jetë i vetëdijshëm çdo qytetar se nuk duhet hedhur mbeturina, se pastërti nuk është vetëm brenda oborrit të tij, por edhe pjesa e përbashkët e lagjes, e qytetit, e shtetit.
E tek shteti, në anën tjetër, jemi izoluar po sikur planeti ynë në filmin e sipërpërmendur. Sikur jemi të ndaluar për vizita nga jashtë. Vijnë vetëm për zor. Kur ka nevojë për ndonjë “porosi”, tërheqje veshi a ultimatum. Na vizitojnë të shumtën krerët e Shqipërisë (me përjashtim edhe ai i Maqedonisë para pak kohësh). Paria jonë më së largu mund të shkojë deri në Bruksel (po ashtu për ndonjë tërheqje veshi a tjetër porosi të natyrës së ngjashme) apo Tiranë e Podgoricë (edhe këtu jo për qejf a ndonjë vizitë të planifikuar). Për ndonjë vizitë tjetër as që bëhet fjalë. Të ndaluar për vizita nga jashtë. Të dënuar për vizita jashtë. Pra, kemi mbetur i vetmi vend pa lëvizje të lirë, dhe jo pa fajin tonë. E brenda sekush mundohet të mbetet gjallë ashtu si mundet e si di. Dikush duke punuar, shikuar punët e veta, e heshtur pa kurrfarë të drejtash, dikush duke hapur biznese e vende pune pa ndonjë përkrahje nga shteti, i cili kujdeset vetëm që të vjelë tatimet, dikush duke u marrë me bujqësi edhe pse i njëjti shtet nuk mërzitet pse konkurrenca i vjen bujkut nga jashtë dhe atë pa ndonjë “pengesë” dhe e lë të ndihet si jetim pa kurrfarë përkujdesjeje. Të tjerët përpiqen të shkollohen, disa me meritë e disa kërkojnë vetëm letrën sa për ta pasur (edhe pse zor se mund t’u hyjë në punë asnjëra). Ka edhe të tillë që merren me kriptovaluta, disa ia kanë marrë dorën mirë e përfitojnë goxha, disa të tjerë mendojnë t’i futen këtij biznesi, por druajnë se janë djegur tashmë disa herë, e gjithmonë ka të tillë që nuk mendojnë, por rrezikojnë duke shpresuar që më në fund të “nxirren” nga humbjet e vazhdueshme, sikurse kumarxhiu që vazhdimisht e kërkon atë fatin e herës së parë. Fundja, në kohë krizash e varfërie kërkohet më së shumti mënyra më e shpejtë dhe më e lehtë për të arritur tek paraja. Dhe kjo shpesh ta vërë një perde syve për të parë kthjellët. Se për pak harrova bitcoinët e famshëm, që tani janë bërë pjesë e pashmangshme e bisedave nëpër kafene e kudo, dhe kjo tregon sa të etshëm jemi për përfitime të mëdha (sa më shpejt, mundësisht dje) me sa më pak mund e investim. Dikush i bie murit me kokë pse nuk ka investuar me kohë (para 7-8 vjetësh) dhe tani do të ishte milioner, se vlera e tyre do të rritej (dhe po rritet) ende, të tjerët thonë që ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë dhe që është një “flluskë” që mund të shpërthejë në çdo çast. Duhet thënë që të dyja palët kanë të drejtë. Kriptovalutave s’mund t’ua parashikojmë të ardhmen, por ekspertët thonë që blockchain (në të cilin bazohen) e ka të ardhmen e sigurt për transaksione.
Ka edhe të tillë (e që fatkeqësisht janë shumicë) që vetëm rrinë e bëjnë sehir. Shohin seri dhe nuk i bren fare ndërgjegjja që pse jemi kështu fajin e kemi pikërisht ne. Ndryshimi fillon prej nesh. Duke u bërë qytetarë më të mirë, duke e ruajtur pastërtinë, duke kërkuar qeveri më të mirë, duke kërkuar llogari nga ata që i kemi votuar e zgjedhur. Duke mos e kërkuar fajtorin diku tjetër po duke i thërritur mendjes e duke ia dhënë hakun të zotit kushdo qoftë ai.
Dhe kështu e plakim edhe një vit. Viti i Ri erdhi e me të edhe gjasat e mëdha që edhe në të do të jemi të ndaluar për vizita jashtë. Uroj ta kemi shëndetin, e Gëzuar!