OpEd

Të mos na ikin dhentë

Polarizimi në të cilin jetojmë që nga fundi i luftës, kur vdiq solidariteti pa interes tjetër pos mbijetesës, na ka bërë të ngecim këtu ku jeni. Në vend se të merremi me veten, me ngritjen e dijes sonë dhe me pranimin e fakteve të tilla çfarë kanë qenë për të mësuar nga to, ne e kalojmë kohën me ndërtimin e konspiracioneve në emër të “lustrimit” të së kaluarës nga njerëz që lidhje me asnjë send nuk kanë. Dhe kjo tregon se sa të papjekur jemi. Ende

Në ceremoninë e parë të shpërblimeve për letërsi e gazetari të shkruar “Rexhai Surroi”, Aurora e kishte mësuar përmendsh skenarin gati dhjetëfaqesh. Si dikush që ka telashe të mëdha që të mbajë mend tekste, madje edhe ato që i shkruan vetë 😊, e këshillova që t’i merrte letrat me vete e t’i linte në foltore.

Aurora u ngjit në skenë, me shumë mirësjellje e sharm i përshëndeti të pranishmit, dhe posa nisi ta thoshte fjalinë e parë, në formë shumë diskrete i afroi letrat e nisi të lexonte, duke mos e humbur kontaktin e kohëpaskohshëm me publikun.

Ceremonia përfundoi. Aurora u “shlirua”. Më në fund iu stabilizuan rrahjet e zemrës dhe iu hoq trema që e kishte përcjellë gjatë gjithë ngjarjes. Pavarësisht se ishte folësja me përvojën më të gjatë në televizion, kësaj radhe nuk mundi t’i kontrollonte emocionet.

- “Më fal, nuk pata çare pa e lexu tekstin”.
- “Po s’ka dert moj. Vetë të thashë merri letrat”.
- “M’u fshi truni. Posa hypa në binë, e i pashë gjitha ata njerëz, kryesisht në moshë, të ngazëllyer me sytë të kthyem kah unë, m’u ngatërruan krejt fjalët. S’pata qysh ndryshe”...

* * *

Ngjarja ndodhi para 17 vjetësh dhe atëbotë shumica e të ftuarve në sallë kishin qenë moshatarë të babait, pra njerëz në të shtatëdhjetat e vona, dhe të nënës, në të shtatëdhjetat e hershme.   
Natyrisht se kishte edhe të ftuar të tjerë, që kryesisht nuk mbanin poste politike, porse ishin njerëz që në një formë apo tjetër kishin kontribuuar në nxjerrjen e Kosovës nga lloçi pas Luftës së Dytë Botërore me aq kapacitet sa kishin.

Ishin përfaqësuesit e atij brezi që u shkolluan dhe më pas i shkolluan brezat që vijuan; i udhëhoqën ndërmarrjet kosovare, i themeluan institucionet arsimore e kulturore të Kosovës, përfshirë Universitetin, Teatrin, Bibliotekën, Radion, Televizionin, orkestrat popullore, revyale e simfonike, QKUK-në, Arkivin, Bankën Qendrore...

Dhe po, ishin brez që i arriti të gjitha këto në një sistem që ne e njihnim si “socialist”, e që krejt bota e quan “komunist”, ani pse komunizmi, ashtu siç e kishin paramenduar ideologët e saj, nuk u realizua kurrë, në asnjë shtet. 

Në fakt, në të gjitha shtetet ky sistem politik ishte diktaturë – në rastin tonë e quanin “të proletariatit”, por nuk ishte i tillë, sepse proletariatin zor kush e pyeste gjë. Ishte diktaturë e një njeriu të fuqishëm, të rrethuar me burra të tjerë të fuqishëm, që e mbanin pushtetin nëpërmjet aparatit të dhunës, përkatësisht të sigurisë: ushtri e polici.

E, megjithatë, edhe në kushtet e një diktature më liberale, nëse do të mund të përkufizohej kështu, ky brez e solli ndryshimin në Kosovë, brenda një periudhe intensive 15-vjeçare, pavarësisht represionit dhe burgosjeve arbitrare.

Dhjetë ditë para përfundimit të vitit u mbajt ceremonia e radhës e shpërblimit. Kësaj radhe në sallë ishin më pak se dhjetë pjesëtarë të brezit që e përshkrova më lart. 

Është ligji i pamëshirshëm i natyrës që do t’i marrë me vete dhe të cilin ligj me gjithë dhimbjen duhet ta pranojmë, ngase jeta e ka një fund. 

Dhe, pa dyshim, është e trishtë të konstatosh se një gjeneratë e tërë u shua, kush më herët e kush më vonë, mbase pa e marrë mirënjohjen e duhur për trashëgiminë e lënë pas. Për më tepër, shumë sish, pikërisht përse i takonin këtij brezi, përfunduan së përkufizuari si “udbashë”, ani pse UDB-ja ishte shuar me rënien e Rankoviqit më 1966. 

Por, për brezin e ri kosovar, që historinë e mëson “me të ndime”, të gjithë ata që kanë punuar nëpër institucionet e Kosovës autonome kanë qenë të tillë - pra spiunë të policisë.

Për brezat e rinj që nuk ia kanë haberin se çfarë ka qenë Kosova në kohë të autonomisë, krejt kanë qenë udbasha, pos atyre që kanë ndenjur në burg me akuza kot ideopolitike. Dhe për këtë brez që e “mëson” historinë nga “analistët politikë”, krejt kush nuk është i një rajoni, që nuk është veteran (pavarësisht sa i rremë), a i një zone operative të UÇK-së, apo kush nuk është bir/bijë dëshmori, me automatizëm është udbash dhe argat i Serbisë.

* * *

E përshkruara më lart është rezultat i diskursit të sidomos 25 vjetëve të fundit. Është mbase dëshmia më e madhe e dështimit tonë si shoqëri për ta shkruar historinë tonë me të gjitha të mirat e të gjitha të këqijat që na kanë ndodhur si popull. Jo rrëfime të rreme heroizmi e ekzagjerimi arritjesh nga të cilat me rastin e “shtrëngimit” të parë tërhiqemi duke thënë se i kemi zbukuruar ngjarjet.

Në vend të ndërtimit dhe zhvillimit të një debati njerëzor, për të mos thënë intelektual, për të arritur një pajtim në shoqëri se si të shkojmë përpara, ne e kemi zhvilluar luftën për primatin e etiketimit të dikujt si spiun, tradhtar, argat i rusit a serbit, apo luftën për t’u shpallur më proamerikan, ndërkohë që tjetri është antiperëndimor.

Polarizimi në të cilin jetojmë që nga fundi i luftës, kur vdiq solidariteti pa interes tjetër pos mbijetesës, na ka bërë të ngecim këtu ku jeni. Në vend se të merremi me veten, me ngritjen e dijes sonë dhe me pranimin e fakteve të tilla çfarë kanë qenë për të mësuar nga to, ne e kalojmë kohën me ndërtimin e konspiracioneve në emër të “lustrimit” të së kaluarës nga njerëz që lidhje me asnjë send nuk kanë. Dhe kjo tregon se sa të papjekur jemi. Ende.

Aq të papjekur, sa uroj se nuk do të na i marrë edhe 25 vjet për të parë se sa shumë dëm i kemi bërë ne vetes, ndërkohë që fajin për shumëçka ia kemi veshur tjetrit. 

Uroj të mos na ikin dhentë derisa të na vijnë mendtë.
Gëzuar!

flaka@koha.net