OpEd

Të lumtur

Për shembull, jemi skajshmërisht të lumtur që pak më pak se një javë pasi kaloi afati i ankesave dhe vendimmarrjes nga PZAP-ja, kaluam te ankesat drejtuar Gjykatës Supreme. Idenë nuk e kemi se sa do të jemi të lumtur me vendimet e Supremes – “hyp se t’vrava e zhdryp se t’mbyta”, cilido të jetë vendimi, ne do të jemi të lumtur. Dikush më shumë, dikush më pak

Kosovarët edhe për vitin 2025 janë më të lumturit në rajon, sipas Raportit Botëror të Lumturisë.
Sikurse edhe vitin e kaluar, Kosova mban vendin e 29-të në listën e shteteve më të lumtura në botë. Studimi u zhvillua në 147 shtete.

Renditja, e publikuar nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, u përcaktua përmes anketave të vetëvlerësimit ku individët vlerësuan jetën e tyre nga një shkallë nga 0-10. Zero është jeta më e keqe e mundshme dhe 10 jeta më e mirë e mundshme.

Kështu tingëllonte lajmi i javës që nuk kishte të bënte me tendera, me sheshe, me zgjedhje a me ZRRE-në.

Sinqerisht, nuk e di as sa respondentë ka pasur në këtë anketë, e as nuk e di se çfarë shifrash kanë shkruar të anketuarit. Por që për vjet dalim lart në listën e shteteve me popullsi të lumtur, këtë vështirë e bëj mend. Nuk e di nëse këtë ndjenjë na e shkakton fakti se kemi kaluar nëpër shumë represion me vite, dhe kënaqemi me faktin se më nuk e kemi një okupator që na ngulfat e që jetojmë në shtetin tonë të lirë e të pavarur. Apo edhe pse NATO-ja na shpëtoi. Nuk e di. 

Nuk e di as çfarë cilësohet lumturi në këto anketa. A janë këto reagime të çastit, apo është lumturia brenda kufijve të asaj që secili ka, e që do të mund të ishte shumë më shumë, po të kishim qeverisje me vizion zhvillimi.

* * *

Për shembull, jemi skajshmërisht të lumtur që pak më pak se një javë pasi kaloi afati i ankesave dhe vendimmarrjes nga PZAP-ja, kaluam te ankesat drejtuar Gjykatës Supreme. Idenë nuk e kemi se sa do të jemi të lumtur me vendimet e Supremes – “hyp se t’vrava e zhdryp se t’mbyta”, cilido të jetë vendimi, ne do të jemi të lumtur. Dikush më shumë, dikush më pak.

Se po qe se Supremja i refuzon krejt ankesat, zgjedhjet më në fund mund të certifikohen. Uraaa! 
Nëse Supremja vendos të shkohet në rivotim me postë, shumë e njeri do të jetë i lumtur: partia propozuese; numëruesit në QNR; KQZ-ja; ministrat në detyrë... Pse jo? Nëse vendoset kështu, e besoj se e gjithë procedura duhet të përsëritet; të përcaktohet një afat për regjistrim; një afat për votim; një afat për t’i hedhur zarfet në postë... e mandej një afat, optimalisht, treditor për numërim, por që në fund do të zgjatej, paj, nja dhjetë ditë... për shkak se në QNR nuk do të ketë ventilim, e hapësira ka nevojë të ajroset, pra nuk ka kushte pune... E mandej, të mos harroj, një afat për ankesa në KQZ, një për ankesa në PZAP dhe më në fund në Supreme...

Pra, do të jemi tepër të lumtur që një proces zgjedhor të rregullt, nuk do të jemi të gjendje ta përmbyllim as brenda tre a katër muajsh. Kjo për shkak se kërkohet rivotimi, që eventualisht do të mund t’ia sillte VV-së një apo dy deputetë maksimum? A ia vlen zvarritja e procesit deri në pafund, veç për këtë? Me gjasë po, se lumturinë e kemi “top”.

* * *

Ndërkohë doli në sipërfaqe ZRRE-ja dhe propozimi që nga 1 prill të rritet çmimi i energjisë elektrike që do ta paguajmë ne. Gjithsesi do të na bjerë të paguanim, por do të ishim më të lumtur nëse këtë diferencë do të vendoste ta subvenciononte Qeveria – se kështu do të ishim edhe më të lumtur, sepse do të frenohej inflacioni.

Pra, ZRRE-ja thotë se çmimi duhet të rritet, për shkak se ne shpenzojmë më shumë sesa prodhojmë. E për ta mbuluar prodhimin e mangët, duhet ta importojmë. E ne kurrë nuk e dimë se sa kushton rryma kur importohet, se askujt nuk i bie ndërmend të na tregojë. E as neve besa nuk na bie ndërmend të pyesim.

Ndërkohë unë jam e lumtur njëmend (pa asnjë fije ironie) që e kam një mik si Shenollin, i cili në dy javët e fundit na ka mbajtur leksion në lidhje me shtrenjtimin e rrymës, dhe në fakt, mungesën e arsyes së qëndrueshme për rritjen e saj. 

Ja vetëm një përmbledhje e shkurtër citatesh nga shumë postimet që ka bërë në FB. 

Humbjet e operatorëve t’i paguajë qytetari? Po si po ju rriten humbjet në vend që të zvogëlohen humbjet secilin vit? 

Po shihet që për 'kosto e humbjeve të energjisë' vlera është rritur në 86.65 milionë euro (propozimi 2025) nga 65 milionë euro sa ka qenë në vitin 2024. €86 milionë euro humbje n'vit. A jeni n'veti?
Pastaj e shohim gjithashtu sesi për "shërbimet ndihmëse" të OST, janë propozuar rreth 25 milionë euro më shumë për vitin 2025 nga ZRRE. Çka janë ato "shërbime ndihmëse?"

Humbjet duhet të zvogëlohen e jo të rriten. Duhet INVESTUAR në rrjetin, ashtu siç kanë premtuar. Problemi nuk po zgjidhet tjetërkah, efikasiteti nuk po tentohet me u rritë... Vetëm barra për qytetarët dhe bizneset po rritet. D.m.th., aty ku e kanë më së lehti!”

* * *

E lumtur që m’u dha informata për t’i shtruar edhe unë disa pyetje në lidhje me rrymën.

1. Pse duhet t’i paguajmë humbjet ne qytetarët? Nëse humbjet janë të distribuimit, pra të firmës që për pak para u bë me gjithë këtë kompani me premtimin se do të investonte në rrjet, pse duhet unë, si qytetare e lumtur, t’ia mbuloj humbjet?

2. Çka është OST?

3. Çka është shërbimi ndihmës? Shumë kisha dashur ta dija, se 25 milionë që mund t’i ndahen, e kishin rregulluar mungesën e parasë në qarkullim për nja tre-katër muaj të lumtur pa problem, po qe se do të futeshin në sektorin privat. 

4. Kur do të na i ktheni paratë që na i keni marrë për pagesën e rrymës në veri me dekada? A do t’i marrim me interes, nëse i marrim fare?

5. A do të vendosë Qeveria të na zhysë në inflacion, me rritjen e çmimit të rrymës? Për fat të keq, rryma është produkt i tillë që do të shkaktojë reagim zinxhir dhe do t’i rrisë ama të gjitha produktet e tjera. Për ata që marrin rroga nga buxheti edhe nuk është ndonjë telash, se sa ora nxirret koeficienti i ri dhe u rriten rrogat. Po çka të bëjë sektori privat, që në prodhimtari varet nga energjia elektrike në rend të parë? Apo edhe ai sektor privat i ngufatur e që nuk mund të rritet sepse nuk i ka kushtet për një gjë të tillë – nga t’i marrë paratë për rritjen e rrogave? Këtu përjashtohen ata që marrin tendera, e fitojnë me dhjetëra mijëra euro pse institucionet i shkelin procedurat dhe punët ndalen, ose marrin para shumë të trasha për një punë që bën bile nja trefish më lirë...

* * *

Mund të shtiremi se jemi shumë të lumtur me veten dhe me gjithçka që na rrethon në shtetin tonë. Mund që edhe të jemi të lumtur njëmend, nuk e di.

Porse tok me lumturinë, është një valë e madhe brenge që nga mbulon. Thuajse krejt punët i kemi qitë në ler; thuajse asnjë gjë më nuk na lë përshtypje: as mungesa e tretjes fiziologjike në spital; as zhurma e llava e qenve që nuk menaxhohen dot; as ankesat se përse aktivizohet Prokuroria kur raportohet për një rast potencialisht kriminal; e as vonesa e pafund për ta përmbyllur një proces zgjedhor me 900 mijë votues, të lumtur gjithsesi, që nuk janë 9 milionë, se kishim bërë një vit për ta konstituuar edhe një në vargun e legjislaturave përtace dhe të padijshme.

Të lumtur?

Po me gjasë. 

Aq sa na e kap mendja jonë jo fort racionale.

[email protected]