OpEd

Të lum’t na për ta!

Java që shkoi na e la një vendim, i cili do të duhej të hynte në analet e gjyqësisë kosovare të pasluftës së fundit. Besojeni ose jo, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e shkallës së parë me të cilin të gjithë të akuzuarit në rastin e veteranëve të rremë ishin liruar nga akuzat “për mungesë dëshmish”. Uroj që në rigjykim Themelorja të nxjerrë vendim meritor që do ta zbuste bile pak njërin nga dëmet më të mëdha që i janë shkaktuar Kosovës së pasluftës, kur veteranët e vërtetë u barazuan me mashtruesit zhvatës të buxhetit

Java e nisi qetë. Natyrisht si ndryshe kur edhe e hëna e shkuar qe ditë feste zyrtare. Na kanë mbetur edhe dy javë maltretimi të këtij lloji – sot tashmë kemi hyrë në vikendin e gjatë që do të përfundojë të mërkurën, kur së paku, e dimë me siguri, bankat do të rihapen.

Dhe, vetëm në rast se nis të qarkullojë paraja, atëherë do të paguhen rrogat. Natyrisht, e kam fjalën për sektorin privat. Sepse ai publik me siguri tashmë i ka marrë rrogat më herët për 1 Maj e Bajram, bashkë – pse a mos kanë ata problem me borxhlinj të këqij?

Vazhdoi njësoj e qetë, hiq veriun e Kosovës dhe sulmet konsistente ndaj patrullave të policisë. Edhe këtë javë u shënuan disa sulme – tashmë u bënë punë e përditshme. Përderisa nuk po vritet askush, nuk është se po ndërmerret diçka më shumë që ato të ndalen. Sepse po të ishte ndërmarrë gjë nga Qeveria, me siguri se pas dy orësh do të lajmërohej BE-ja për të thënë se nuk duhet provokuar popullatën lokale serbe.

Gjasat janë që sulmet të jenë pasojë e bllokimit të nja një duzine rrugësh “alternative” që i quajnë përfaqësuesit serbë, kurse “ilegale” i quan pushteti, nëpërmjet të të cilave kontrabandohet malli në Kosovë. Pra, një praktikë e regjur mirë në 20 e kusur vjetët e fundit zor që mund të thyhet, porse sigurisht nuk mund të thyhet pa u përpjekur. Prandaj, mirë është që bllokohen rrugët, porse mirë do të ishte edhe të mendohet që policëve që ekspozohen dita më ditë e që nuk dalin të jenë të korruptuar t’u sigurohen kushtet elementare të punës.

Dje, në Kuvend, ministri Sveçla deklaroi se Policia përballej me mungesë uniformash dhe armatimi, për shkak se OSHP-ja nuk është aktive mbi një vit tashmë. Pra, nuk ka trup që duhet të vendosë po qe se ka shkelje ose jo në tenderët që i shpallin dikasteret qeveritare. E OSHP-ja në fakt e bllokon qarkullimin e parasë dhe më pas rrëfimin e dini: borxhet shkojnë zinxhir dhe e gjithë Kosova futet në qarkun vicioz.

* * *

Por, nuk është OSHP-ja i vetmi problem.

Është edhe sigurimi shëndetësor për policët e besa edhe për krejt popullatën e Kosovës që ka nja 15 vjet që flitet e përflitet e assesi të realizohet. Shkuarja e Arben Vitisë nga posti i ministrit nuk ka sjellë ndryshim kualitativ në menaxhimin e shëndetësisë së Kosovës.

Ardhja e një mjeku me nam e me shumë sens për humor nuk ka sjellë ndryshime pozitive në këtë dikaster. Muajve të fundit jemi dëshmitarë të vizitave që i bën ministri nëpër shtete të ndryshme, porse të pakta janë vizitat që do t’u ketë bërë institucioneve shëndetësore nëpër Kosovë (apo se nuk është raportuar për to).

Por ajo që u raportua qe një takim i mbajtur më 28 prill, që e pati titullin në anglisht (sic!) – “First Retreat of leadership of Health Care of Kosova” – që i bie diçka si një “Tërheqje strategjike” e udhëheqjes së Shëndetësisë së Kosovës, ku do të diskutoheshin çështjet dhe do të miratohej ndonjë plan veprimi se si tutje.

Sidoqoftë, ajo që më la shumë përshtypje ishte një “slajd” që qarkulloi nga ky takim dhe me gjasë do të jetë shkruar nga vetë ministri (po e lë tekstin me gabimet gjuhësore, ashtu siç shihej fotoja): “Transformimi i Shendetsise se Kosoves Permes, Vetedijsimit Individual dhe Kolektiv, Inovimit, Bashkepunimit dhe Dashurise ndaj Memdheut.

E dashurinë ndaj mëmëdheut ministri Latifi ua shprehu mjekëve kështu: “...Duhet me e dashtë pak ma shumë Kosovën. Kur të çoheni në mëngjes thoni ‘oj Kosovë’, nëse nuk e keni dëgjuar atë këngën ‘oj Kosovë, oj nana ime’ mësojeni. Ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë...”

* * *

Po qe se mësimi i këngës na e siguron vërtet dashurinë ndaj Kosovës, atëherë ja po e marr për obligim që unë e para ta mësoj tekstin e gjithë këngës (me gjithë telashet që kam për t’i mbajtur mend vargjet) dhe plus po e ushtroj krejt kompaninë, pati nuk pati vesh për muzikë, që ta këndojmë në vend të himnit – fundja himni ynë edhe ashtu nuk ka tekst.

Po qe se në këtë formë njëmend arrijmë ta tejkalojmë hendekun në të cilin jemi, atëherë ia vlen. Nëse për asgjë tjetër, për sigurimin e një shërbimi normal shëndetësor në Kosovë, ku nuk do të detyrohemi të derdhim para në spitale turke për operacione që mund të kryhen edhe këtu. Dihet me siguri se borxhi që ka Kosova ndaj spitaleve turke është mbi 2.5 milionë euro, e ajo që supozohet se në të vërtetë ndodh është se borxhi është madje pesëfish më i madh. Kjo për shkak të skemës së shërimit jashtë vendit që ka pasur trajtim më të rëndësishëm, sesa krijimi i Fondit për Sigurimin Shëndetësor, të llojit çfarë e kemi pasur para shembjes së autonomisë.

E mbase të parët që do të duhej ta mësonin e ta këndonin këtë këngë janë ata që shajnë e piskasin në Kuvend. Ata që qe dy javë ditë na lodhën me çështjen e komisionit hetimor – jo procedura, jo inati, jo propozimi, jo nënshkrimi... dhe në fund po del që në fakt askush nuk e ka përnjëmend këtë çështjen e komisionit hetimor... me gjasë frikohen se po qe se futen shumë thellë lakrave, do të dalin krokodilë aq të mëdhenj sa do t’i gllabërojnë edhe jo pak nga iniciuesit për formimin e këtij komisioni.

Po qe se ka dyshime se ka pasur keqpërdorime, e po qe se ka edhe prova se kjo ka ndodhur, adresa ku duhet shkuar është prokuroria. Fundja, komisioni hetimor i Kuvendit nuk ka fuqi sanksionuese, e prokuroria bile ka mundësi edhe hetimi e edhe ngritjeje padie për çështje që duhet vendosur gjyqi.

* * *

E kur jemi te gjyqi, java që shkoi na e la një vendim, i cili do të duhej të hynte në analet e gjyqësisë kosovare të pasluftës së fundit. Besojeni ose jo, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e shkallës së parë me të cilin të gjithë të akuzuarit në rastin e veteranëve të rremë ishin liruar nga akuzat “për mungesë dëshmish”.

Në vendimin për të cilin KOHA informoi të martën thuhet se Gjykata Themelore kishte bërë së paku 15 gabime kur kishte vendosur t’i lironte të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari - për keqpërdorim të pozitës apo të autoritetit zyrtar.

Sipas Apelit, një pjesë e të akuzuarve nuk kishin pranuar fare që të deklaroheshin gjatë gjykimit, porse në fazat e hetimeve kishin dhënë dëshmi në Prokurori. Këto dëshmi nuk ishin pranuar si prova dhe kjo ka qenë gabim. Në vijim Apeli ka konsideruar se Themelorja është mbështetur në ligjin e gabueshëm kur e ka marrë vendimin.

Mbase si një nga arsyet më të fuqishme se përse është prishur aktgjykimi i shkallës së parë ishte fakti se Themelorja fare nuk është marrë me 19.500 aplikacionet që i kishte identifikuar prokurori Elez Blakaj, por është marrë vetëm me listën e emrave. Për të treguar se sa serioze është kjo punë, Apeli e udhëzon Themeloren që t’i hyjë secilës dosje veç e veç, për të konstatuar nëse janë plotësuar kushtet dhe kush i ka nënshkruar dokumentet. Në fund, e ka udhëzuar gjykatën që gjithsesi t’i marrë parasysh audioincizimet nga takimet e komisionit, që në fakt kishin zbuluar më së miri se si dhe kujt i ishte njohur statusi i veteranit.

Uroj që Themelorja t’i marrë parasysh të gjitha këto udhëzime dhe të nxjerrë një vendim meritor që do ta zbuste bile pak njërin nga dëmet më të mëdha që i janë shkaktuar Kosovës së pasluftës si nga aspekti i denigrimit të veteranëve të vërtetë duke i barazuar këta me mashtruesit, ashtu edhe nga aspekti financiar, kur buxheti duhej të ndajë shumë milionë për pensionet e atyre që nuk i kanë merituar.

* * *

Zor që do të ketë ndonjë zhvillim fort interesant javën që vjen, sepse java e punës do të nisë, për dikë të mërkurën, e për dikë mbase atë të martën e ardhshme, sepse s’bën pa e festuar edhe Ditën e Evropës me këtë harxh. Apo mbase edhe do të befasohemi e Kuvendi do të vendosë të punojë e të qesë në dritë diçka, e që nuk ka të bëjë me mëditjet e shpenzimet e tyre të transportit.

Por, njëherë le të pushojnë këto katër ditë, sepse janë lodhur shumë duke nënshkruar lista mëditjesh e duke i rrahur tavolinat. Të lum’t na për ta!

[email protected]