Derisa politika e sotme e Kosovës për çdo ditë nxjerr data të reja historike, memoria jonë e korruptuar duket se i ka lënë në harresë ato momente që vërtet ishin kthesë dramatike për vendin
Ballkani - citohet të ketë thënë Winston Churchilli - prodhon më shumë histori sesa që mund të konsumojë. Derisa nuk është e sigurt nëse këtë vlerësim e ka bërë vërtet burrështetasi i njohur britanik, fjalia tingëllon shumë e vërtetë. Së paku në rastin e Kosovës.
Numri i momenteve dhe ngjarjeve historike që ka kaluar Kosova është shumëfishuar në vitet e fundit, saqë krijohet përshtypja sikur Kosovës në 20-30 vjetët e fundit i kanë ndodhur gjëra, që shumicës së vendeve dhe popujve të botës nuk u kanë ndodhur me shekuj. Kalendari historik i Kosovës është i mbushur me momente të deklaruara si kthesa historike, saqë zor që gjendet ndonjë ditë brenda vitit që nuk ka qenë datë historike në të kaluarën e afërt.
* * *
Së fundi, 4 shtatori 2020 iu shtua historisë së tillë të Kosovës. Nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë u cilësua historik nga shumë anë. Vetë presidenti amerikan, Trump, tha se ishte një “marrëveshje historike”. Historike e shpalli marrëveshjen edhe presidenti i Kosovës, Thaçi, i cili për fatin e tij të keq nuk ishte nënshkrues i marrëveshjes, edhe pse ishte motori kryesor kosovar prapa saj. Historike, për arsye të ndryshme, u quajt edhe nga anë të tjera – për dikë me rëndësi historike mbetet njohja nga Izraeli, derisa për disa të tjerë me rëndësi historike është ruajtja e raporteve të mira me Amerikën.
Por shumica e analistëve kredibilë, atyre që e lexuan letrën e nënshkruar para se të jepnin mendimin për të, thanë se nuk ka gjë historike në këtë marrëveshje, edhe pse pasojat e saj ka mundësi të kenë efekte të ndryshme në zhvillimet e mëtutjeshme në Kosovë dhe rreth saj.
Sigurisht për shumicën e qytetarëve, më shumë se për një të arritur historike, marrëveshja ka gjasa të quhet e shënuar më shumë për ato që nuk janë në të sesa ato që ajo i përmban – nuk u ndërruan kufijtë e Kosovës, por as nuk u arrit njohja e ndërsjellë me Serbinë.
Kështu që, krahasuar me pritjet, marrëveshja larg prej të qenit historike, më shumë nxiti një ndjenjë antiklimaksi, saqë jo pak njerëz tashmë e konsiderojnë marrëveshje beninje, që nuk do ketë ndonjë efekt negativ të theksuar, apo së paku jo një që nuk mund të zhbëhet.
Por derisa nuk është historike, marrëveshja nuk është edhe pa rreziqet e veta.
Së pari ajo hap derën e diskutimeve për resurset e Kosovës; përmendja e Ujmanit në një marrëveshje që thuhet se është me Serbinë e faktorizon Serbinë në diskutimet rreth përdorimit të resurseve ekonomike dhe natyrore të Kosovës. Edhe nëse bëhet fjalë për vetëm një “studim fizibiliteti”, marrëveshja legjitimon të drejtën e Serbisë për të pretenduar në hise të Ujmanit. Dhe, nëse kjo vlen për Ujmanin, në të ardhmen mund të vlejë edhe për “Trepçën” apo Brezovicën. Kështu Serbisë, përveçse i njihet e drejta për të qenë e përfshirë në vendimet që prekin minoritetin serb në Kosovë, asaj i njihet edhe e drejta ekonomike mbi asetet.
Së dyti, ajo e obligon Kosovën të bëhet pjesë në projektin e Mini-Schengenit ballkanik, që në vetvete mbase edhe nuk është ide e keqe, por për Kosovën është e palogjikshme hapja e tillë ndaj Serbisë pa njohjen zyrtare të pavarësisë nga Beogradi. Kështu Kosova pranon t’i japë Serbisë qasje në tregun e saj, shfrytëzimin e infrastrukturës sonë për të siguruar dalje në detin Adriatik, të krijojë përshtypjen se problemet janë zgjidhur – derisa Serbia vazhdon të kontestojë shtetësinë e Kosovës.
Së treti, pranimi i një marrëveshjeje të tillë në Washington, me të cilën Kosova hyn në dakordime teknike me Serbinë, dhe lë anash çështjen e njohjes së pavarësisë, zor se mund të jetë argument për të imponuar njohjen e ndërsjellë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, në Bruksel. Apo për të pritur lajme pozitive në lidhje me njohjen nga pesë anëtarët e BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sepse, nëse legjitimimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës (që arrihet përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare) mund të ngrihet me moratorium për një vit (siç u nënshkrua prej kryeministrit Hoti në Washington), atëherë pse paska urgjencë që, ta zëmë, Greqia apo Sllovakia, ta njohin pavarësinë e Kosovës?
Sigurisht, në koktejin e çuditshëm të çështjeve që zunë vend në Marrëveshjen e Washingtonit, relevante, dhe mbase edhe historike, është vetëm njohja nga Izraeli, e cila po ashtu vjen me koston e hapjes së ambasadës në Jerusalem – gjë e cila ka gjasa të na vendosë në linjë konfrontuese me një mori shtetesh, prej Turqisë dhe vendeve arabe deri tek Bashkimi Evropian. Sigurisht, në vend, ndjenjë të përzier ka shkaktuar më shumë fakti që njohja nga Izraeli u vu në kontekstin e konflikteve në Lindjen e Mesme, ku “vlera” dhe “pesha” politike e Kosovës maten me kutin religjioz mysliman. Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse ky zhvillim që buron nga marrëveshja “historike” do të ketë edhe pasoja “historike”.
* * *
Jemi keq me datat historike. Inflacioni i momenteve kyç në historinë tonë të re duket se na e ka korruptuar memorien, dhe disa prej momenteve që vërtet shënuan kthesë në ecjen e Kosovës, pothuajse po harrohen – të mos ishte Facebooku, mbase edhe do të harroheshin tërësisht.
Kështu, me gjithë këtë histori që prodhojmë, vend e pa vend, duket se Churchilli kishte të drejtë. Apo edhe më keq – konsumohemi ne prej historisë...