Njeriu, i cili është pjesë e një establishmenti që refuzon të na i liberalizojë vizat për shkak se "krimi dhe korrupsioni nuk luftohen mjaftueshëm", çohet e thotë mos gaboni të merreni me hajna. Për më tepër, thotë mos gaboni të niseni kudo qoftë, pa kërkuar leje, mundësisht nga ai. Apo edhe se nëse duhet zënë hajnat, duhet të ketë marrëveshje paraprake me shkrim me Serbinë, nëse bën të preket ky apo ai hajn, e më pas të veprohet
Fatmirësisht fushata katërjavore përfundoi pa incidente fizike. Porse pasojat e saj do t'i shohim brenda dhjetë ditësh a dy javësh, kur mbase shumë nga pjesëmarrësit e të gjitha tubimeve, ku jo me dy, po me qindra këmbë u shkelën masat anti-Covid, do të paraqiten si raste të reja të të infektuarish me virusin.
Demagogjikë u paraqitën si pushteti ashtu edhe opozita. Të parët kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të valës së pandemisë, e të dytët kishin kërkuar që fushata të shkurtohej në disa ditë, maksimum dhjetë. Kur u desh të merrej vendimi për anulimin e fushatës me prani fizike, të gjithë heshtën. Sepse e dinin se do t'i "grahnin" fushatës pa u lodhur fare as për masa, as për maska, as për distancë, as asnjë send. Sepse me rëndësi është me marrë pushtet.
Ndërkohë, doli një shënim interesant nga Ministria e Shëndetësisë, që thotë se mbi 36% e të gjithë popullatës së Kosovës e ka marrë dozën e dytë të vaksinës - pra një sukses që vlen të shënohet, duke e pasur parasysh se ku ishim në prill të këtij viti me 0 doza të administruara. Porse, megjithatë, synimi për vaksinimin e 70% të popullatës nuk do të mbërrihet deri në fund të vitit me ritmin me të cilin po ecim. Pos nëse nuk na shpërthen edhe një valë e keqe, sikur ajo që na ndodhi në gusht.
E ritmi me të cilin po ecim është i ngadaltë, për shkak se numri i të vaksinuarve në javën e shkuar ka pësuar rënie dita më ditë: që nga e shtuna e kaluar janë vaksinuar gjithsej rreth 70 mijë njerëz (kryesisht me doza të dyta) e kur në fakt kanë mundur të vaksinoheshin 140 mijë. Gjatë javës, 7 veta humbën jetën për shkak të COVID-it. E me gjithë bindjen se fushata është gjëja më e rëndësishme në jetë, megjithatë nuk është. Është shëndeti i popullsisë që nëpërkëmbët nga politikanë dhe aspirues për politikanë me ngarendje nëpër tubime premtimesh kot.
* * *
Nuk e di nëse ka qenë punë fushate apo ka qenë e planifikuar prej kohësh, porse e mërkura agoi në veriun e Mitrovicës me ndezjen e alarmit që sinjalizon rrezikun nga ndonjë sulm a fatkeqësi. Në një aksion të Policisë për kapjen e kontrabandistëve, që doli të ishte pjesërisht e suksesshme, ngase u kapën 6 veta, e ikën 10 veta, u çuan, si me sustë, serbët lokalë për të protestuar kundër aksionit. Dhjetë policë u lënduan, dëme materiale u shkaktuan dhe kësaj radhe shënjestër e huliganëve ishin gazetarët.
Pra, pas aksionit gjysmak, ku u arrestuan 8 veta, prej të cilëve 6 shqiptarë, 1 serb e 1 boshnjak në formë shumë të prekshme u dëshmua se krimi dhe kontrabanda në Kosovë nuk kanë etni. Dhe se aty ku kurrë nuk është ndërprerë bashkëpunimi ndërmjet "armiqve" është pikërisht te krimi. I cili, për fat të keq, në Kosovë është kultivuar si krim shumetnik për dy dekada pa asnjë pardon.
Dy momente të lidhura për aksionin ishin deklaratat e ministrit Sveçla dhe drejtorit të Policisë Mehmeti, që u dëgjuan në konferencë për shtyp. I pari qe elaborimi i kotë i ministrit tek i shpjegonte aksionet e ndërmarra. Ato nuk janë kompetencë e tij, dhe ato do të duhej shpjeguar drejtori i Policisë. I dyti qe çasti kur i pari i Policisë tregoi se dikush prej brenda i kishte zbuluar detajet, e për këtë arsye kishin ikur të dyshuarit e tjerë. Nëse dikush prej brenda njëmend i ka zbuluar detajet e aksionit para se ai të ndodhte, ky drejtor është dashur të dorëhiqej menjëherë. Ose të thoshte se nëse brenda 24 orësh nuk e zbulonte "spiunin", do të jepte dorëheqje. Porse, e di, ky standard është i paarritshëm në këtë Kosovë martire.
* * *
Mirëpo, për ta bërë të gjithë ngjarjen edhe më pikante u përkujdes shefi i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, me një status absolutisht të pakuptimtë. Me të dëgjuar për ngjarjen, u çua dhe shkroi në Twitter: “Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”.
Pra, lufta e kontrabandës nga Policia në territor të vetin është veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, që e rrezikon stabilitetin, për pasojë e papranueshme. Pra, njeriu, i cili është pjesë e një establishmenti që refuzon të na i liberalizojë vizat për shkak se "krimi dhe korrupsioni nuk luftohen mjaftueshëm", çohet e thotë mos gaboni të merreni me hajna. Për më tepër, thotë mos gaboni të niseni kudo qoftë, pa kërkuar leje, mundësisht nga ai. Apo edhe se nëse duhet zënë hajnat, duhet të ketë marrëveshje paraprake me shkrim me Serbinë, nëse bën të preket ky apo ai hajn, e më pas të veprohet.
Për ta fëlliqur performancën e zyrtarit evropian edhe më shumë, u përkujdes zëdhënësi i tij Stano: “Ta marrim në perspektivë se çfarë tha përfaqësuesi i lartë, Borrell. Ai po thoshte që thërrasim për qetësi. Incidentet e dhunshme që po ndodhnin, e në fakt kishte të tilla në veri të Kosovës, duhet të ndalen menjëherë, dhe fatmirësisht u ndalën. Ajo që tha, veprimet e njëanshme e të pakoordinuara, të marra nga autoritetet, që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Ai nuk po i referohej operacionet apo veprimeve të Policisë për të luftuar korrupsionin apo kontrabandën. Po fliste në parim për atë që ndodhi, e që nuk është hera e parë, në veri të Kosovës. Ne e dimë të gjithë se situata, veçanërisht në këtë pjesë të Kosovës është shumë e ndjeshme. Çfarëdo që bëhet në këtë pjesë të territorit, është shumë e ndjeshme dhe duhet marrë parasysh kjo. Për këtë arsye po thoshim dje, siç thamë edhe dy apo tri javë më parë, kur kishte po ashtu tensione në këtë pjesë të Kosovës, çdo veprim i njëanshëm duhet evituar, në mënyrë që të mos ndizet konfrontimi potencial e të rriten tensionet. Është e kundërta e asaj që po duam të bëjmë. Duam të sigurohemi që problemet që janë në terren, e lidhen me veri të Kosovës e me çështje të tjera më të gjera mes Kosovës e Serbisë, duhet të merren në mënyrë të koordinuar e duhet të përdoret dialogu për t’u marrë me këto. Ky ishte në esencë mesazhi i përfaqësuesit të lartë”.
Faleminderit për sqarimin, z. Stano! Mos na e ofendoni inteligjencën, me gjithë spinin që jeni përpjekur t'ia bëni rastit. Për atë se sa shumë ka shkretuar z. Borrell, më së miri e sqaroi Viola von Kramon - kjo bile nuk është shqiptare e nuk mund ta akuzoni për anim: “Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk zbatohet. BE-ja duhet t'i përkrahë shtetet që i luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”. Pikë.
* * *
E po, të gjithë janë duke bërë trysni që të vazhdohet dialogu... një proces që Brukseli po na e zgjat qe më shumë se 10 vjet. Prej të cilit kanë rrjedhur më shumë probleme sesa zgjidhje, dhe nëpër të cilin kanë kaluar tre përfaqësues të lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së. Prej dy zonjave, e para u tregua më e shkathtë se e bindi Hashim Thaçin që ta nënshkruante marrëveshjen për Zajednicën, në kohën kur vetë deklaronte publikisht se e kishte në interes t'ia hapte rrugën Serbisë drejt BE-së. Ajo e dyta ishte e gatshme ta vuloste një marrëveshje për këmbim territoresh, pa asnjë garanci tjetër të kurrëçkahit për Kosovën. Po pse të mërzitej ajo, a mos ishte ndonjëra pjesë e tokës, për të cilën flitej, territor i shtetit të saj?
E tash këtë proces e mbikëqyr zoti Borrell, shtetas i shtetit që as pasaportat nuk na i njeh dhe e ndalon lirinë e lëvizjes dhe e ndërmjetëson zoti Lajçak, shtetas i shtetit që nuk na njeh, por bile pasaportat na i njeh. E edhe i pari, e edhe i dyti nuk i shikojnë Kosovën e Serbinë si palë të barabarta. Prandaj edhe është shumë zor të besohet se në këtë konstelacion edhe mund të arrihet ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse, në formën në të cilën po udhëhiqet. Përfundimisht, BE-ja e ka dëshmuar se nuk mund t'i kryejë punët vetë. Jo pa Amerikën.
E se problemi përfundimisht është tek ana e Serbisë dhe te përkëdhelja që ia bën bota, më së miri e dëshmoi ministri i Jashtëm serb, Selakoviq, dje në Këshillin e Sigurimit. Me arrogancën tashmë tradicionale, na e la fajin neve për gjithçka. Për të, shqiptarët kanë faj edhe pse janë lindur. Pa ta, bota do të ishte më e mirë.
Porse arrogancën dhe mungesën e edukatës, kësaj radhe ia shfryu si ballonin Vjosa Osmani. Në paraqitjen e saj të parë publike në KS të OKB-së në cilësinë e kryetares së shtetit, edhe shefit të UNMIK-ut e edhe Selakoviqit ua rrëzoi teoritë dhe ua dekonspiroi rrenat.
Me një anglishte të pasur e të pastër e mbrojti Kosovën nga sulmet e ndyta politike dhe tregoi për vendosmërinë e shtetit për t'u zhvilluar dhe për t'u njohur nga të gjithë skeptikët që u nënshtrohen propagandës dhe ndikimit serb e rus. Fuqishëm tha krejt çfarë pati për të thënë, dhe iu përgjigj secilit pretendim me bile nga një argument që dhemb. E ftoi Serbinë që të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe u tregoi të gjithëve se aty ishte si përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.
Ishte një paraqitje shumë e fuqishme dhe e dinjitetshme. Po ta kishte edhe fuqinë që t'i bindte përfaqësuesit e shteteve që nuk na kanë njohur, do të kishte me qenë një fitore e madhe.
Edhe më e madhe sesa cilado që do të shënohet në zgjedhjet e nesërme.