E di, një titull si ky ngjan tepër ambicioz në zbërthimin e dialektikës së urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve, por nuk ka të bëjë me këtë. Janë ca shembuj krejt të thjeshtë por të frikshëm që e dëshmojnë se urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve është si çështje ontologjike, e dhënë apriori, sikur të jetë e lindur, jo pasojë e luftërave apo e luftës së fundit në Kosovë. Dhe s’është urrejtje e Serbisë ndaj Kosovës. Është urrejtje serbe, që nuk fashitet dot as me një marrëveshje të mundshme Serbi-Kosovë
Krejt formal është kalimi i kufirit Shqipëri-Mali i Zi, në Muriqan, në pikun e vapës së një dite gushti. Policët kufitarë duken të lodhur e shpërfillës ndaj rregullave, turistët entuziastë e të çliruar që nuk do të presin kësaj radhe në kolona të gjata.
Pa u bërë pesë kilometra në territorin e shtetit që kaherë synon Bashkimin Evropian, por rrëshqitjen në prapakthim e në nacionalizëm ekstrem e ka si ritual, kërkimi automatik i radiostacioneve në radion e makinës, diku te “Kodra e keqe” – e shquar për një bërryl të ashpër, e veshur me jo pak besëtytni banorësh përreth se aty shfaqen lugetërit a rëndom ndodhin aksidente – ndalet te frekuenca 91,0 FM. Është radioja “Sveti Gora”, organ i Kishës Ortodokse Serbe, që për herë të parë doli në eter në shkurtin e 1998-s, e qartë, për t’i fryrë sa më fort nacionalizmit serb, për të bekuar krimet e kriminelët e një populli të dehur me gjak. Ka kohë që i fryn po atij nacionalizmi dhe bën njësoj si atëherë, si tash. Edhe në Mal të Zi. Dhe në esencë ka urrejtjen, urrejtjen serbe ndaj çdo gjëje që nuk është serbe.
E di, ka ca banorë të Serbisë dhe personalitete të shquara që flasin mirë për shqiptarët, e njohin të vërtetën, i kanë denoncuar e dënuar krimet e Serbisë. Që s’e dëgjojnë “Sveti Gorën” dhe s’i besojnë Kishës së tyre. Që s’kanë të bëjnë me urrejtjen e serbëve ndaj shqiptarëve, si çështje ontologjike, e dhënë apriori sikur të jetë e lindur, jo pasojë e luftërave apo e luftës së fundit në Kosovë.
Kisha Ortodokse Serbe s’e ka për qëllim urrejtjen e Serbisë ndaj Kosovës, por mbajtjen gjallë të urrejtjes serbe si frymë. Dhe për këtë i duhet ta viktimizojë qenien serbe. Po për këtë i duhet t’ia përsëritë të kaluarën edhe me frekuencat e “Sveti Goras”, që emetojnë pa pengesë edhe kur “Kodra e keqe” mbetet prapa, teksa në horizont shfaqen helikat e prodhimit të energjisë me erë, një kriter i domosdoshëm që Mali i Zi të futet i gjelbër në BE.
Vajtueshëm zëri i rioshit lexon faqet e ditarit që “vladika” ka mbajtur më 1998-1999. Dhe ajo është e vërteta absolute për ata që i besojnë.
“Djegia dhe rrënimi i Kishës së Shën Premtes është dëshmi e qartë e qëllimeve të shqiptarëve (Šiptara, sic!) që serbët e krishterë pravosllavë, t’i lëndojë në thellësinë e zemrës dhe të çrrënjosë çdo gjë fizike e shpirtërore prej Kosovës e Metohisë”, citon me ca gabime në lexim, me intonacion si te këndimet kishtare. Shfleton faqen tjetër.
”KFOR-i në Kamenicë, pas denoncimit të njëfarë shiptari (Šiptara) arrestoi dy vëllezërit serbë, Svetozarin e Vitomirin, të dyshuar për armëmbajtje pa leje, të cilët, siç thuhet, u kanosen Šiptarëve. Pas hetimit doli se denoncimi qe i rremë dhe pas mbajtjes së tyre tetë ditë në burg, në vend se t’i kthejë në Kamenicë, i la në Gjilan. Vëllezërit hynë në një autobus që udhëtonte për në Kamenicë, por atë e ndalën dy zullumqarë të armatosur e me uniformë të UÇK-së dhe i çuan në drejtim të panjohur”, lexon bindshëm.
Larg talljes me vuajtjen e kujtdo qoftë, por “shpica” e “Sveti Gorës” e zbërthen ashiqare qëllimin e leximit të ditarit për “zullumet e Šiptarëve”.
“Kosovo je Serbia!”, “Dogodine u Prizrenu!”, janë thirrjet e zërave të mesjetës. Dhe ditari duhet të lexohet përditë, vajtueshëm që dikur edhe në pajtimin e mundshëm formal serbo-shqiptar, qenia serbe të jetë sërish viktimë. Se kështu mbahet gjallë urrejtja serbe, e cila nuk zbërthehet dot me kurrfarë teorish që njeh logjika.
* * *
Këtë s’e zbërthen as “Logika” e Bogdan Sheshiqit, një libër voluminoz i botuar më 1962 në Beograd, i cili qëmton edhe metodologjitë shkencore, me shembuj konkretë. Ca prej tyre, te gjykimet, edhe me “Šiptar”, si ai në faqen 563:
“Neki Skopljanci su filozofi
Neki Šiptari su Skopljanci
Neki Šiptari su filozofi”
“Šiptarët” e Sheshiqit – si ky me “Ca shkupjanë janë filozofë/ Ca Šiptarë janë shkupjanë: Ca Šiptarë janë filozofë” – janë shembuj te “Teoritë e gabuara të gabimeve logjike”. Dhe me “Šiptarët” jep edhe shembuj të tjerë si ai se “Ismeti është i paarsimuar/ Ismeti është Šiptar: Šiptarët janë njerëz të paarsimuar”.
Një gjykim si ky me “Šiptarin filozof” për Sheshiqin, “do të ishte ‘formalisht’ i gabuar”.
“E në të vërtetë, kundruar çështjen në realitet, ai mund të jetë edhe i saktë, por gjithsesi ky gjykim nuk është i domosdoshëm por arbitrar, pra edhe i pabazuar logjikisht, sepse premisave të dhëna nuk u kundërvihen as gjykimet: ’Të gjithë Šiptarët janë filozofë’, ‘Asnjë Šiptar nuk është filozof’”.
Në vitet ‘60 ishte mbase krejt normale që shqiptarët për serbët të ishin “Šiptari”, që deklarativisht për ta nuk kishte far konotacioni negativ. Por në esencë, te shembujt mbi gjykimet në “Logika”, fshihet paragjykimi serb mbi shqiptarin. Sot me logjikën e viteve ‘60 – jo vetëm të një libri universitar e akademik – qoftë edhe si “gjykim formalisht i gabuar”, do të ishte krejt legjitim edhe shembulli që do të merrte pala shqiptare:
“Aleksandri i urren shqiptarët
Aleksandri është serb
Të gjithë serbët i urrejnë shqiptarët”
Dhe një shembull si këtë nuk do ta bënin të qëndrueshëm vetëm premisat, por urrejtja serbe e cila nuk zbërthehet dot me kurrfarë teorish që njeh logjika.
* * *
Dita e parë e gushtit të vitit 1950 është data që albanologu kroat Henrik Bariq ia ka vënë “Parathânjes” në “Rečnik srpskoga ili hrvatskoga i arbanaškog jezika” (Fjalor i gjuhës serbishte ose kroatishte dhe i shqipes), të cilin e gjej lehtë në bibliotekën në shtëpinë e babës në Ulqin, ku mbërrij pas rrugëtimit nja njëzet minutash me makinë me valët e “Sveti Gorës” në sfond.
“Nevoja për nji fjalor të gjuhës shqipe dhe të gjuhës sonë, âsht ndie tek qysh atëherë kur nga brezi shqiptar na ka nda kufini i Perandoris otomane. Qysh atëherë ka dalë në dritë ‘Fjalori sërbisht-shqip’ i Kujunxhiqit (1902). Por, aty edhe ka mbetë. Sado që gjat tridhjetë vjetëve të fundit në të gjitha qendrat tona kulturore âsht zhvillue me shum sukses veprimtarija në fushën e linguistikës shqipe, përpjekjet që me nj fjalor të gjuhës sonë dhe të gjuhës shqipe ta çajnë rrugën e njohjes njani me tjetrin nuk kanë gjetë përkrahjen e nevojshme. Kjo ide nuk ka muejtë të realizohet për shkak të acarimit të mardhanjeve politike mbas paktit të dytë të Tiranës (1927) dhe për shkak të nënçmimit që borgjezija e jonë e gjithëfuqishme e atëhershme ka krijue ndaj kombit të ri shqiptar”, shkruan Bariqi dhe jep gjykimin që s’ka nevojë për premisa: “Regjimet dhe qeveritë rrëzohen, kurse popujt mbeten”.
“Albanac” përkthehet “arbanas”; “mržnja” – “anmiqësi-ja”, “azret-i”, “çmirë-a”.
Deri te një marrëveshje e mundshme Kosovë-Serbi duhet të çrrënjoset jo urrejtja nga Fjalori i Bariqit, por ai i qenies serbe ndaj shqiptarëve. Bashkë me të edhe valët e “Sveti Gorës”, njashtu sikurse edhe shembujt në dukje formalë e të rastësishëm të një libri logjike.
Ndryshe, një marrëveshje që urrejtjen ndaj tjetrit s’e ka vetëm premisë të kontestueshme por ontologjike, do të ishte e gabuar qoftë edhe formalisht.