Cila parti fitoi më shumë komuna, më shumë ulëse në kuvende komunale e më shumë vota? Cila komunë do të ketë më së shumti buxhet nën menaxhim në tre vjetët e ardhshëm, e cila popullsi e territor?
Kosova përmbylli suksesshëm edhe një proces zgjedhor, të tretin brenda vitit 2021. Të dielën e 14 nëntorit qytetarët e 21 komunave votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Ashtu sikurse në vitin 2017, edhe pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, ishin së paku katër parti që shpallën fitore, duke u kapur për elemente të ndryshme, dikush duke u krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2017 e dikush tjetër me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Por, pas themelimit të partisë Lista Serbe, ajo çfarë është gjithnjë e sigurt është se në dhjetë komuna me shumicë serbe rezultati dihet ende pa filluar gara, ku gjithnjë fiton kjo parti. Edhe në rastet kur nuk fiton, sikurse në Komunën e Kllokotit në vitin 2017, pas pak kohësh edhe kandidatët e partive të tjera shkrihen në Listën Serbe. Në këto zgjedhje kishte komuna ku Lista Serbe i fitoi me 100% të votave (Ranillug), e tri komuna të tjera i fitoi me mbi 90% të votave.
Pas Listës Serbe, PDK dhe LDK kanë fituar postin e kryetarit në numrin më të madh të komunave, apo gjithsej nga tetë. Pas tyre renditen AAK me pesë dhe Vetëvendosje me katër. Nëse krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, PDK ka shtuar numrin më të madh të komunave të fituara.

Në zgjedhjet për kuvende komunale, numrin më të madh të ulëseve në 38 komuna kanë fituar PDK dhe LDK, të cilat do të kenë nga 206 asamblistë komunalë. Vetëvendosje do të përfaqësohet me 193 anëtarë të kuvendeve komunale, Lista Serbe me 148 dhe AAK me 120 ulëse. Në krahasim me zgjedhjet për kuvende komunale të vitit 2017, në këto zgjedhje numrin më të madh të ulëseve e kanë shtuar Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Sa i përket numrit të votave të fituara për zgjedhjet për kuvend të komunës, LDK ka fituar numrin më të madh të votave, kurse në krahasim me vitin 2017, Vetëvendosje ka rritjen më të madhe të votave, apo rreth 49 mijë vota më shumë. Rritje të votave për kuvende komunal në krahasim me vitin 2017 ka shënuar edhe Lista Serbe.

Sa i përket buxhetit, LDK do të ketë në dispozicion buxhetin më të lartë nën menaxhim, sipas projeksioneve me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024, apo gjithsej 581.3 milionë euro për tre vjet, në tetë komuna ku ka fituar postin e kryetarit të komunës. PDK do të menaxhojë me 523 milionë euro, AAK me 257 milionë euro, Vetëvendosje me 223 milionë euro dhe Lista Serbe me 103.3 milionë euro.

Nëse merret si element edhe territori i komunave që do të menaxhohen nga partitë, atëherë PDK do të ketë më së shumti territor nën menaxhim të kryetarëve të komunave në katër vjetët e ardhshëm (2591 kilometra katrorë), kurse më së paku Lëvizja Vetëvendosje (1575 kilometra katrorë).

Nëse e përllogarisim nga pikëpamja e popullsisë, numri më i madh i qytetarëve është i koncentruar në komunat që do të qeverisen nga PDK (mbi 591 mijë banorë), pastaj në komunat ku do të qeverisë LDK (mbi 543 mijë banorë), AAK (afro 300 mijë banorë) dhe Vetëvendosje (214 mijë banorë).

Në këto krahasime nuk janë përfshirë tri komuna, Mamusha e cila qeveriset nga KDTP, Malisheva që do të jetë e vetmja komunë që qeveriset nga Nisma, si dhe Obiliqi, i cili kësaj radhe do të qeveriset nga një iniciativë e pavarur qytetare.
Në përgjithësi, krahasuar edhe me zgjedhjet komunale të 2017-s dhe ato qendrore të 2021-tës, PDK duket të ketë shënuar rikthimin më të madh në të gjitha aspektet. Fitorja e PDK-së në Prizren dhe ajo e LDK-së në Prishtinë ua kanë dhënë fitoret më të mëdha këtyre dy partive, të dy fitoret në dëm të Vetëvendosjes.
Mbetet të shihet se si këto komuna do të bashkërendojnë qeverisjen me nivelin qendror. Në të kaluarën, si në qeverisjen e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ka pasur tendencë që të diskriminohen pozitivisht komunat që qeverisen nga partia e njëjtë me partinë e kryeministrit. Në këtë fushatë zgjedhore edhe Vetëvendosje ka premtuar mbështetje për ato komuna që do të udhëhiqen nga Vetëvendosje. Por mbetet të shihet nëse kjo do të reflektohet edhe në buxhetin për vitin 2022 dhe për vitet pasuese.